Nga Frano Kulli –
Nuk është dekoruar ndonjë qytet tjetër në Shqipëri me flamuj e postera, si Shkodra në këtë kohë zgjedhjesh. Ndërsa krahasuar me vetvehten, asnjëherë herë tjetër Shkodra nuk është “mbështjellë me kaq shumë beze (flamuj)” sa kësaj here.Kushdo që e viziton, besoj se nuk gjen asnjë përafri me ndonjë qytet tjetër cep e në cep të Shqipërisë.Partitë-koka të koalicionit të qeverisë e kanë kuqëluar kaq shumë Shkodrën, sa ngjan se ajri do të thyhet nga rëndesa e purpurit.Pamja, e të gjitha rrugëve dhe shesheve të qytetit , të krijon një shije të zvargur, që të zë frymën.Gjithçka me tepri, nëse ka ndonjë masë për gjëra të tilla.Së jashtëmi kështu, ndërsa në thelb është një karshillek i paparë herë tjetër,i cili shfaq në vetvehte një sfidë të dyfishtë që i bëhet atij qyteti. Një para e madhe që derdhet lumë për propagandë , në ditë të rënduara thatësire të mirëqenies, shfaqur dukshëm në papunësinë në rritje dhe në hollimin e përditshëm të mjeteve të konsumit,së pari.
Por është edhe një trysni e veçantë psikologjike gjithashtu, për një qytet, që në çfarëdo rrethanash e gjendjesh e ka shfaqur në shumë mënyra bezdinë nga pamje ,qoftë edhe të përafërta me këto të tanishmet. Shkodranët kanë qenë gjithëherë refraktarë me propagandën edhe në kohët kur kjo gjë paguhej shtrenjtë…; padyshim ata janë qytetarët më antipropagandistë të Shqipërisë, kjo është e gjithëpranuar heret.Dhe bash për këtë shkak, por falë edhe talentit genuin të banorëve të tij, është qyteti me thesarin më të pasur të anekdodave e barcaletave, si mënyra më elitare e talljes me propagandën e propagandistët.Po atëherë, pse pikërisht në Shkodër kjo “mësymje” propagandistike ? Çfarë synojnë, autorët e kësaj zgjedhjeje ?
Asgjë enigmatike e të pamenduar nuk ka në këtë rast.Ndoshta rrokullisja e kundërshtarëve në qershorin e 2013-ës, atëherë në pushtet e sot në opozitë, është shtysa emotive për një sjellje e gjest të tillë, nga prijësit e koalicionit qeverisës ; ajo është lexuar prej tyre si fitorja e parë e thellë e tyre ,që e ka ndryshuar njëherë e përshumë kohë raportin politik atje në Shkodër.Po nuk është kuptuar aspak,ose së paku kështu lihet të kuptohet se ajo çfarë ka ndodhur atëherë, posë të tjerash …ka qenë edhe një sfidë e bërë ndaj pushtetit të konsumuar përgjatë tetë viteve , sfidë ndaj mbështejes së dhënë pa kufizim e për shumë kohë prej tyre, për të djathtët dhe të pakthyer meritueshëm, sipas tyre, por edhe për arsye të tjera që janë thënë shpesh…Sfida dhe jo nënshtrimi është pjesë kruciale e njeriut shkodran.
Kanë kaluar dy vjet prej atëhere dhe tani rrethanat kanë ndryshuar shumë. Zhgënjimi është i kudogjindshëm në Shqipëri e shumë më shumë në Shkodër; vetëm po të sillesh si struci nuk e dallon.Ndaj të propagandosh në këtë mënyrë mrekulli qeverisëse është si të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit.I vetmi arsyetim që të bëhet të pranosh është ai se projektorët e fushatës, me këtë mjet dhe këtë formë që kanë përgjedhur duan të manifestojnë forcën.Forcën që mbart në vetvehte pushteti, pa menduar se përdorimi pa shkak i saj, aq më tepër në qerthullin e një kontrasti të madh mund të sjellë edhe efektin e kundërt.Siç ndodh rëndom me çfarëdo gjesti apo veprimi që nuk ngjit …
Se kanë ndodhur në këtë qytet manifestime llamburitëse, njëri syresh në përvjeton e parë të pavarësisë, në nëntorin e vitit 1913. U pat lidhur me vargje dritash kumanorja e Kishës së Gjuhadolit me minaren e xhamisë së Fushë Çelës. Njëzetmijë vetë, pra gadi gjithë banorët e qytetit morën pjesë-shkruan “Hylli i Dritës”-dhjetor, 1913. Ka qenë një simbolikë, natyrisht.Në kohë të tjera e në rrethana të tjera. Po e vetvullnetëshme , ama.
http://www.revistadrini.com/2015/06/pse-eshte-kuqeluar-kaq-shume-shkodra/


Leave a Reply