
Shpëtim Kelmendi
Kur vdekja vjen në shkurt
(Në kujtim të Frederik Rreshpjes)
Poetët e mëdhenj vdesin në muajin shkurt. Poetët e mëdhenj vdesin në muajin shkurt si për të na e thadruar pashlyeshëm në kujtesë imazhin kalimtar të pranisë së tyre të shkurtër në këtë botë.
Poetët e mëdhenj rrojnë 66 vjeç.
Poetët e mëdhenj duken si të krisur, si të pabindur, si të sëmurë, si të pamarrë vesh, por në të vërtetë ata u binden saktësisht ca rregullave që vetë Zoti i ka mbruajtur enkas për ta.
Poetët e mëdhenj janë endacakë të paepur dhe atdheu i tyre është çdo cope dheu e këtij planeti.
Poetët e mëdhenj rrojnë fare mirë pa poezinë; nëse shkruajnë, kjo ndodh sepse është poezia ajo që s’rron dot pa ta.
Poetët e mëdhenj varrosen në heshtje, pa zhurmë, me një procesion të vogël njerëzish, pa fjalimet, pa lotët, pa dhimbjen dhe përloshjen e të gjallëve, pra pa patetizmat dhe gulshet emocionale, të cilat s’i kanë duruar dot as në gjallje.
Në varrimin e poetëve të mëdhenj gazetat nuk shkruajnë, por nëse shkruajnë, thonë gjëra që s’kanë lidhje thelbësore me poetin, por me punën e palodhshme të vdekjes. Në varrimin e poetëve të mëdhenj ka pak poetë të pranishëm, përveç ndonjerit që e ka kuptuar qysh në gjallje. Në varrimin e poetëve të mëdhenj nuk është kurrë i pranishëm ndonjë përfaqësues qeverie, ndonjë zyrtar ministrie, ndonjë aradhë njerëzish që e mbajnë vetën për shkrimtarë e artistë që grahmojnë nën peshën e idealeve estetike.
Në varrimin e poetëve të mëdhenj përkulen plot nderim deri dhe qiparisat e heshtur të varrezës së Rrmajit, ku prehet pjesa më e ndritur e historisë, artit dhe kulturës shqiptare.
Në varrimin e poetëve të mëdhenj qielli është i vrenjtur dhe, po të kesh mëndjen, mund të dëgjosh gjithandej tingujt që lëshojnë trombat e argjendta të engjëjve që i prijnë kah pafajësia dhe pavdekësia.
Njoh vetëm një poet që i plotëson këto kushte.
Quhet Frederik Rreshpja. Lindi më 1940, për t’u shuar më 17 shkurt 2006, në vetmi, në mjerim të plotë dhe nën indiferencën e paskrupullt të kolegëve, të bashkëudhëtarëve në poezi dhe të shtetit, shtetit shqiptar i cili ka dhënë prova se nuk di ta çmojë kulturën e aq më pak individët që i kushtojnë jetën asaj.
Fredi është shëmbulli më i saktë i njeriut që na provon se ç’do të thotët’i përkushtohesh artit me tërë shpirtin, e sidomos shembulli i njeriut që na dëshmon se poezia është forma më tragjike e artit.
“Jam i dënuar me pavdekësi”, thoshte në nji nga vargjet e shkruara ditë te fundit të jetës, prejse ishte bindur se vdekja nuk donte ta merrte, e kësisoj t’i siguronte shpëtimin nga tmerri i mbijetesës. Por njëkohësisht, ky është edhe një varg profetik, sepse parathoshte udhëtimin e tij të pasosur në historinë e poezisë.
Nëse dëshiroje t’i thoje Fredit diçka që as i interesonte fare, ishte shprehja “Ti je poet i madh!”. Atij as s’i plaste fare për kësi lëvdatash. Këtë kompliment të madhërishëm, që e ëndërron çdo poet i kësaj toke, Fredi ishte kurdoherë i gatshëm ta këmbente me një teke raki, në rastin më fatlum me një Johny Walker. Unë që e kam njohur prej vitesh, nuk di asnjëherë ndonjë rast që Fredi të ketë pohuar se është poet i madh. E as njoh ndonjë tjetër poet që të ketë dëgjuar prej tij ndonjë deklaratë të tillë. E pra, kjo është gjë pothuajse normale për çdo poet tjetër.
Por Fredi ishte Fredi.
Frederik Rreshpja – Foto referenca https://www.facebook.com/pages/Frederik-Rreshpja
Gjatë një periudhe që ka pasë banuar në shtëpinë time, mbrëmjeve më kërkonte fleta A4. Njëherë më kërkonte tre, ndonjëherë dy e në ndonjë rast tjetër katër ose pesë. Në secilën nga letrat shkruante nga një poezi. Tek e shihja të zhgarraviste me shkrimin e tij skandaloz, nën syzet me skelet të trashë që i vareshin në hundë, ndjehesha i bindur se ishte një zë i padukshëm që ia diktonte vargjet. Nuk mbaj mend t’i jetë rikthyer ndonjë poezie për ta ndërruar një fjalë për një tjetër, apo për të korrigjuar diçka. Fredi ishte pre e frymëzimittë lirë dhe vullkanik; ai zotëronte një mekanizëm poetik të shkëlqyer dhe të vetvetishëm. Edhe mënyra e tij e leximit të librave ishte e hatashme. Brënda një ore mbaronte punë me çdo libër, për të cilin mund të të fliste mandej për orë të tëra. Nuk e di si ia dilte mbanë, por di mirë se ishte kështu. Kur ishte në humor dhe e dëgjoje tek fliste, bindeshe se ky njeri nuk kishte kurrfarë lidhjeje me realitetin lëndor. Rrëfente ca gjëra që as mund të kishin ndodhur e as mund të kishin gjasa të ndodhnin ndonjëherë. I llahtarisur nga realiteti material, Fredi shtatvogël shpikte dhe sajonte një realitet të sublimuar nga imagjinata e tij inkandeshente. Vizatonte një realitet të jashtëzakonshëm, ku askush nuk mund të hynte përveç tij. Kjo ishte banesa e vetme që kishte. Dhe ndjehej i lirë. Dhe ndjehej i pavdekshëm.
Fredi i zotëronte të gjithë regjistrat e një gjeniu. Fredi ishte gjeni.
Latinët kanë një shprehje të mrekullueshme, që mund të perifrazohet pafundësisht: “Omnia mea mecum porto” [1]. Kjo shprehje duhet të jetë sajuar që të përdorej për njerëz si Frederik Rreshpja, të cilët kohë më kohë kanë hyrë e kanë dalë nëpër portat e historisë. Sepse Fredi ishte edhe modeli i njeriut që gjithë ç’zotëronte, e mbartte me vete.
Fredi vdiq pa pasuri. Fredi ishte vetë pasuria. Fredi është pasuria jonë. Fredi është pasuria që tashmë e kemi, por që nuk e di nëse vërtetë e meritojmë.
[1] Çdo gjë (të mirë) që kam, e mbart me vete – Sipas Ciceronit, këtë shprehje e ka thënë një nga Shtatë të Urtët, Bianti i Prienit, shek. VI para Krishtit.


Leave a Reply