![]()
Për amerikanët është e ligjshme të luftohet në ushtrinë e një vendi tjetër në shumicën e rasteve, me përjashtimin kur kjo ushtri po lufton kundër Shteteve të Bashkuara
JOSHUA E. KEATING, Foreign Policy
Kris Xheon (Chris Jeon), një student universiteti 21-vjeçar nga Los Anxhelosi, kaloi një palë pushimesh verore me goxha aventurë. Ai informoi familjen dhe miqtë që po shkonte në Kajro, por pastaj kapërceu kufirin dhe shkoi në Libi, ku kaloi disa javë duke luftuar me rebelët kundër Gadafit.
Lajmet e fundit tregojnë se garnizoni i tij i acaruar në fund e ka nisur për në shtëpi. Kur një reporter nga gazeta me bazë në Abu Dhabi, “National”, e identifikoi atë kur e pa të veshur me veshje stil amerikan, studenti i matematikës shpjegoi se pati menduar që “ishte qejf të bashkohej me rebelët”. Dhe ai duket se nuk e bëri diçka të tillë për të tërhequr vëmendje apo për ekzibicionizëm. Ai e mbylli intervistën duke u lutur, “çfarëdo që të bëni, të lutem mos u thoni prindërve të mi”. Por duke lënë mënjanë pasojat prindërore, a theu Xheon ndonjë ligj amerikan?
Ka gjasa që jo. Qeveria e Shteteve të Bashkuara natyrisht nuk i nxit nënshtetasit e vet të ikin dhe të luftojnë në luftëra të huaja, por ka një histori të gjatë të këtij fenomeni, nga Brigada Abraham Lincoln që luftoi kundër Francisko Frankos gjatë Luftës Civile të Spanjës te shumë amerikanë hebrenj që kanë shërbyer në Forcat Mbrojtëse të Izraelit.
Sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, çdo nënshtetas, i cili “regjistrohet, fut veten, punësohet, ndihmon ndokënd të rekrutohet ose shkon përtej juridiksionit të Shteteve të Bashkuara me synimin për t’u rekrutuar apo për të hyrë në shërbim të çdo princi, shteti, kolonie, distrikti ose njeriu si një ushtar apo si marinar… duhet të gjobitet nën këtë ligj ose të burgoset për jo më shumë se tre vjet apo të gjobitet dhe burgoset njëkohësisht”. Por një vendim gjykate nga viti 1896 në lidhje me një nënshtetas amerikan që pati luftuar me revolucionarët kubanë kundër sundimit kolonial spanjoll, e interpretoi këtë ligj si një mjet që synonte të shpallte të paligjshme për nënshtetasit amerikanë rekrutimin në një ushtri të huaj brenda Shteteve të Bashkuara, jo thjesht që të luftonte në një të tillë. (Shënim për Këshillin Tranzitor Kombëtar të Libisë: Ka gjasa që nuk do të jetë e mençur të krijohen stacione rekrutimi nëpër kampuset universitare amerikane me shpresën e rekrutimit të më shumë luftëtarëve).
Duke qenë se Xheon duket se ka udhëtuar drejt Libisë pa ndonjë nxitje (ai ka blerë një biletë vetëm vajtje, sepse nuk dëshironte të rrezikonte të humbiste 800 dollarë “nëse kapej ose ndodhte diçka”), ai ka gjasa që është i pastër nga pikëpamja ligjore.
Por ka disa detaje: Nëse një amerikan bashkohet me një ushtri të angazhuar në akte armiqësore kundër Shteteve të Bashkuara, atëherë kjo konsiderohet tradhti dhe është një akt i dënueshëm me vdekje. Ligji gjithashtu, dukshëm, nuk flet në mënyrë eksplicite për organizatat e klasifikuara si grupime terroriste dhe familja e “talebanit amerikan” Xhon Uollker Lindh (John Walker Lindh) u përpoq të argumentojë se ai thjesht po shërbente në forcat e armatosura të një vendi tjetër dhe nuk kishte për qëllim të ndihmonte Al-Kaedën apo të sulmonte trupat amerikane.
Por çfarë do të ndodhte nëse Xheon qëllonte të merrte pjesë në një sulm në Sirte apo në ndonjë qytet tjetër të Libisë, ku civilët janë masakruar?
Për këtë mund të shërbejë precedenti i Çaki Tejlor (Chuckie Taylor), një nënshtetas amerikan dhe djali i një ish-bosi lufte të Liberisë, Çarls Tejlor (Charles Taylor). I riu Tejlor u dënua më 2008-n në një gjykatë në Florida për akte torture të kryera gjatë luftës civile të Liberisë, nënshtetasi i parë amerikan që dënohet në Shtetet e Bashkuara për krime kundër njerëzimit të kryera në një vend tjetër.
Po për sa i përket nënshtetësisë? Nëse ke një pasaportë amerikane, atëherë ligji thotë se “mund ta humbësh nënshtetësinë tënde amerikane duke shërbyer në forcat e armatosura të një shteti të huaj”. Fjala ‘mund’ është me rëndësi kritike. Më 1967-n, në çështjen ligjore Afroyim v. Rusk, Gjykata Supreme vendosi që nën amendamentin e 14 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, nënshtetasit amerikanë nuk ‘zhvishen’ dot pa vullnetin e tyre nga nënshtetësia. (Kjo çështje përfshinte një njeri me nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe izraelite, të cilit iu hoq nënshtetësia amerikane pasi votoi në zgjedhje në Izrael, por precedenti aplikohet edhe për shërbimin ushtarak gjithashtu.)
Që nga ajo kohë, qeveria duhet të provojë se një individ u bashkua me një ushtri të huaj, me synimin për të hequr dorë nga nënshtetësia e Shteteve të Bashkuara. Ushtria në fjalë duhet të jetë e angazhuar në akte armiqësore kundër Shteteve të Bashkuara ose individi në fjalë duhet të shërbejë si oficer.
Kështu, për sa kohë Xheon ia del të shmangë kryerjen e akteve të tradhtisë, krimeve të luftës apo nuk promovohet në gradën e oficerit – gjë që duket se ka pak gjasa të ndodhë, për shkak se ai raportohet se pyeti “si dreqin përdoret kjo gjëja?” kur i dhanë një automatik AK-47 – ai ka gjasa të jetë i mbrojtur nga pasojat ligjore. Se çfarë do të bëjë me të nëna e tij kur të kthehet në shtëpi, ky është një problem për të.
Lufta e Spanjës
Trajtimi i veteranëve nga vendet përkatëse
Rreth 2800 amerikanë shërbyen në Luftën e Spanjës si ushtarë, oficerë apo trupa të mbështetjes teknike në ndihmë të kauzës republikane gjatë Luftës Civile të Spanjës. Rreth 800 prej tyre u vranë në luftime. Pas luftës, veteranët e Brigadës u konsideruan në përgjithësi mbështetës të Bashkimit Sovjetik. Pas paktit Molotov-Ribentrop, i cili e ndau Poloninë mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naziste, veteranët e brigadës dhe shoqata e tyre u përça, njëri grup ndoqi linjën zyrtare komuniste që e shikonte luftën në Europë si luftë imperialiste dhe u angazhua në forcat politike që kundërshtonin përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në luftë apo në mbështetje të Britanisë së Madhe. Të tjerë, gjithsesi, vijuan me axhendën e tyre antifashiste. Disa hynë vullnetarisht në forcat speciale britanike (para se SHBA-ja të hynte në luftë) dhe organizuan rezistencën antinaziste në Europë.
Shtetet e Bashkuara i konsideruan ish-anëtarët e Brigadës si rrezik sigurie. Më 1947-n, organizata e tyre u vu në listën e grupimeve subversive. Por kjo ishte vetëm një nga pesë organizatat që mbeti e paprekur, pasi u klasifikua si subversive.
Trajtimi i veteranëve nga vende të tjera varioi sipas qeverisë përkatëse. Në Kanada, veteranëve të Luftës së Spanjës iu mohua punësimi dhe disa nuk u rekrutuan gjatë luftës së Dytë Botërore për mungesë besueshmërie politike. Veteranët e Zvicrës u dënuan më ashpër se në çdo vend tjetër, me 420 vendime për burg nga dy javë deri në katër vjet. Në Spanjë, qeveria në vitin 1996 respektoi një premtim të qeverisë republikane të vitit 1938 dhe u dha nënshtetësinë rreth 600 ish-luftëtarëve të mbetur gjallë. Në Francë, më 1996-n veteranët morën statusin e veteranit francez.
Artikull i botuar më 2 shtator 2011 te revista “Foreign Policy”
Gazeta Shqip






Leave a Reply