Sot, me datë 05.09.2026, mora pjesë në Festivalin e Dhjetë Kombëtar të Poezisë, “Muza poetike budiane”, organizuar nga Klubi Letrar, “Pjetër Budi”, në Pallatin e Kulturës, Burrel.
Në programin e këtij festivali ishte parashikuar edhe promovimi i tre veprave të reja letrare, midis të cilave, libri i autorit Ali Daci, “Shtigjet e përgjakura”. Për të folur mbi këtë libër isha caktuar unë.
Me keqardhje, më duhet të them, që në fillim, se ideja, në thelb, e mirë e organizatorëve, u komprometua keq nga mungesa e masave elementare që kërkon promovimi i një libri.
Së pari, moderatorët nuk kishin marrë paraprakisht emrat e referuesve dhe kur atyre u jepej fjala, e njoftonin publikun: tani e ka radhën folësi i caktuar për librin X…, duke na mohuar elementin e parë identitar – emër e mbiemër.
Së dyti, koha për promovimin e tre librave ishte parashikuar gjithsej 15 minuta, pra 5 minuta për secilin libër, përfshirë fjalën e referuesit dhe të autorit. Për shkak të kohës së kufizuar, shqetësimi kryesor i panelit drejtues dhe i modëratorëve nuk ishte nxjerrja në pah e vlerave themelore të librit, por të folurit sa më shkurt, aq sa nuk e kishin për gjë, që disa herë të të përsërisnin me zë: bjeri shkurt, sa më shkurt!
A e dinë organizatorët se autori Ali Daci ka bërë rreth 300 km rrugë nga Rozhaja në Burrel duke kaluar nëpër 3 shtete, për të dëgjuar nga organizatorët që të flitet sa më shkurt për librin e tij, për të cilin ka harxhuar vite të tëra pune e mundi? Kaq të rëndësishëm e quajnë vetën këta “organizatorë” sa të mos dënjojnë t’i kushtojnë pak më shumë kohë veprimtarit të shquar atdhetar Ali Daci dhe veprës së tij?
Së treti, meqënëse libri trajton një temë të mprehtë politike, siç është konflikti shqiptaro-serb, unë e nisa fjalën time me një citim të Kadaresë, marrë nga gazeta Telegraf, datë 11 maj 2011, ku ai thekson se në Kosovën e pasluftës u shfaqën tre etje: për para, për pushtet dhe për lavdi. Në vend që të merreshin me dëshmimin e krimeve serbe, ata heshtën. Këtë heshtje Kadare e quan kriminale. Përkundrazi, Ali Daci, vura në dukje unë, bëri atë që kërkoi Ismail Kadare- dëshmoi me guxim e profesionalizëm të lartë krimet e tmerrshme serbe, jo pas disa vitesh, por në momentin që ato ndodhën. Për panelin drejtues dhe moderatorët, unë po merresha me politikë dhe ky, sipas tyre, nuk ishte vendi i duhur. Por kur libri trajton një temë politike, t’i kërkosh referuesit që të mos flasë për këtë temë do të thotë që po ja ndalon të flasë për vetë librin dhe autorin e tij. Dhe erdhi momenti që unë kurrë nuk e kisha imagjinuar – më ndalën mikrofonin. Në demokraci, kjo njihet me emrin censure – ndalim i fjalës e mendimit të lirë.
Së katërti, si për t’i vënë kapakun organizimit “të përkryer”, pas largimit tim nga podiumi, moderatorja nuk ia dha fare fjalën autorit të librit, siç është rendi e zakoni, por prezantoi axhendën e radhës, ndërkohë që z. Daci ishte ngjitur në skenë. Gjithsesi, meqë kishte shkuar pranë mikrofonit, organizatorët e “mëshiruan” dhe ia dhanë fjalën.
Me mungesën e theksuar të seriozitetit, të dëshmuar nga ana e organizatorëve në marrjen e masave elementare, me keqardhje më duhet të them se ajo që pashë sot nuk i ngjante aspak një promovimi libri, por degradimit të tij, gjë që nuk e meritonte as autorit, Ali Daci, as ne të tjerët, por që nuk u bën nder as organizatorëve.
Sugjerimi im është i thjeshtë: meqenëse është e vështirë të mbahen dy kunguj nën sqetull, do ishte mirë që organizatorët të mos e ngarkonin Festivalin e Poezisë me veprimtari të tjera që nuk ja dalin t’i kryejnë. Promovimi i një libri është diçka serioze dhe bëhet mbi bazën e disa kritereve, realizimi i të cilave e bën autorin e tij dhe referuesit të ndjehen të vlerësuar e dinjitozë. Në të kundërt, promovime sa për të larë gojën, më mirë të mos bëhen fare.
Burimi/Facebook


Leave a Reply