Shoqata “Alba – Dansk” i shpreh ngushllimet familjes se kengetares se madhe shqiptare,po ashtu dhe te gjithe miqve dhe shokeve dhe kolegeve te Vaces ,por dhe mbare opinionit publik ,qe dje qe ne oret e para te mengjezit, me te marre lajmin e largimit nga jeta,qytetare te shumte,simpatizane ,shoke e miq te Vaces ,kane percjellur gjate gjithe dites ,mesazhe ngushllimi,si dhe video te kesaj kengetareje te madhe,ne rrjetet sociale.
Ne shprehim konsideraten me te larte per artisten e madhe,Nderi i Kombit,qe ju akordua nga Presidenti,te madhen e te paarritshmen deri me sot ,Vace Zelen. Kjo kengetare qe na nderoi ne te gjithe boten me zerin e saj. Ajo eshte nje nder te 500 zerat me te mire ,ne mbare globin ,qe nderohet e do te kujtohet gjithmone ,nga mbare populli shqiptar ,kudo ku jeton e punon ai.
Kemi humbur mbretereshen e kenges,Vacen tone ,ndaj ne te gjithe ndjehemi te pikelluar ,por ajo vertete nuk eshte me me ne fizikisht ,por jeton cdo dite me ne se jeton zeri i saj ,ane e mbane botes…
Ngushllime edhe njehere familjes.
I qofte i lehte dheu .
Lamtumire Vace !
—————————————————–
Sali Berisha

Dhimbje dhe zi per per boten tone kulturore dhe mbare kombin tone! Sot u nda nga jeta, kengetarja e madhe, zeri i shekullit te kenges sone, Vaçe Zela. Me zerin melodioz e te paperseritshem, me ken
get dhe interpretimet e saj, Vaçe Zela dhuroi gezim, kenaqesi dhe krenari ne zemrat dhe votrat tona.
Vaçe Zela jeton e do jetoje ne gjuhen me te bukur, me magjepse, ne kengen e saj, kengen e kombit tone! Ngushellimet me te sinqerta bashkeshortit, vajzes dhe te gjithe familjes. Mirenjohjen e pakufishme kengetares sone te pavdekshme Vaçe Zela!! sb
———————————————–
Saimir Pirgu
Ikona e muzikës shqiptare, e perjetëshmja Vaçe Zela sot nuk është më midisi nesh. Zëri i saj do të kumboj dhe rezatoj në cdo zemër shqipëtari për jetë të jetëve sepse është pjesë e pa zevëndësueshme e identitetit tone kombtar.




Lamtumirë Vaçe
Saimir Pirgu
———————————————————–
Qerim Skenderaj

Rruges, duke u kthyer per ne shtepi, njeri nga miqte e mi me ngushelloi per vdekjen e Vaçe Zeles. Lajmi me dritheroi sepse brezi im eshte rritur me zerin dhe muziken e saj. Pa Vaçen, secili prej nesh do te kishte nje boshllek te ndjeshem kulturor dhe muzikor. Disa kohe me pare, nje lajm i rreme, na i ngjethi mishin, por kur u mesua pavertetesia e tij, ndjeva nje çlirim te ankthit te dhimbjes per kengetaren e madhe. Tani, fatkeqesisht, lajmi eshte i vertete. Artistja e pashoqe ndali frymen. Tashme na mbeti legjenda e saj, zeri magjik dhe i pa arritshem. Per kete arsye dhimbja per te, eshte per te gjithe shqipetaret kudo qe ndodhen, “pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Te gjithe sot perulen me respekt para kujtimit te saj. Jam i sigurt se zeri dhe kenget e saj do te percillen ne breza dhe do te kthehen ne frymezim per çdo kengetar a kengetare te vertete. Modeli eshte “Vaçe Zela”. Artistja me e kompletuar e te gjitha kohrave te derisotme. Qofte i perjetshem kujtimi i saj. Ngushellime familjes dhe te afermeve.
Me perulje dhe respekt te thell, Qerim Skenderaj.
———————————————
NGA EDLIRA DOKO

KANARINË E VOGËL-O
-Vaçe Zelës-
Kanarinë e vogël-o
pse më rri mërzitur?
Ma mban kokën mënjanë,
pse nuk thua ndonjë fjalë?
Shkon e vjen porsi reja
për ty po qan Myzeqeja,
gjithë atdheu të këndon
por ti bën sikur s’dëgjon.
Kanarinë e vogël-o
pse më rri mërzitur?
Ma mban kokën mënjanë,
pse nuk thua ndonjë fjalë?
Eh,sa ndrin sonte qielli ynë,
ca yje më pak e ca më shumë,
në mes tyre një kanarinë
këndon ëmbël për Shqipërinë.
Kanarinë e vogël-o
pse më rri merzitur?
Ma mban kokën mënjanë,
pse nuk thua ndonjë fjalë?…
EDLIRA DOKO
———————————————————————–
Myrteza Mara
KLUBI I SHKRIMTAREVE”PETRO MARKO” VLORE
U NIS VAÇJA
U nise për në parajsë, u nise Vaçe
Kishte kohë që atje pllakoste zija
Mungonte një frymë të falte veç paqe
Veshur trishtim dhe vetë Perëndia!
Të kërkonte pranë fronit vetë Zoti,
I lodhur nga mëkatet e mëkatarëve.
Sot, për ty, vajtojnë retë me shi loti
Qajnë dhe ata që prehen nën varre!
Ikona e këngës si ninullat e jetës
Pasqyrë e shpirtit ku shikohet kënga
Oh, sa të shkon kuror’e Mbretëreshës
Ti që ke mbirë në miliona zemra!
U nise Vaçe, u nise për në Parajsë
Nga qielli i prushur do përshëndesësh
Kombi për ty do ndal frymën një çast
Nga kënga jote do rindizet gjithë jetën!
U nis Vaçja, dëgjuan zogjtë dhe malet
Dëgjuan detet, fushat edhe pyjet
Për ty do na marë kaq shumë malli
Do ngremë kokën të të shohim tek yjet!
06.02.2014
——————————————-
Maki Maqedonci CanolliVatra ne Jacksonville Florida
VAÇE ZELA, KJO KANARINË
Zëri yt i ëmbël, moj Vaçe Zela!
Nuk dëgjohej vetëm në Shqipëri,
po ai kaloi fusha e male,
gjithandej ku kishte shqiptari.
Ai kaloi këndej në Kosovë,
zemrat tona i pushtoi,
dhe e dëgjonin me dashuri,
pleq, të rinj edhe fëmijë.
Zëri yt si zë bilbili,
zemrat tona i gëzonte,
ai zë i bukur kur gjëmonte,
të gjithë shqiptarët i bashkonte.
E harronim se ishim të ndarë,
dhe që kishim edhe kufi,
se zëri yt, moj shpirt i krenarisë
na mbante në gjirin e Shqipërisë!
Zëri yt si zë kanarine,
vinte vrap sikur shqiponja,
përmes valëve të radios
drejt në zemrat e vatrat tona.
Të kujtoj me nostalgji fëminore,
kur e shikonim TVSH e asaj kohe,
me shumë frikë dhe mundim,
valët e TV-së t’i kapnim me nxitim.
Ti nuk ishe vetëm kanarinë,
që këndoje nga Shqipëria,
por e gjithë trojeve shqipare,
nga të dëgjonte edhe fëmija.
Pjesë nga libri im: I shes diellit akullore
Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj!
©Makfire M Canolli

—————————————————————–
Çfarë kanë thënë për Vaçe Zelën
Dritëro Agolli, shkrimtar: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”
Nexhmije Pagarusha, këngëtare: “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.”
Osman Mula, regjisor: ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare potente, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha maksimumin.”
Prof. Tish Daija, kompozitor: “Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t’i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Kur ndonjë këngë s’i përshtatej sadopak natyrës së zërit të saj, ajo e braktiste. Zërin, këngën si karakter ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera : në portament, glisando, melizmat, kantilenën dhe lëvizje kolorature. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë.”
Gjokë Beci, poet: “Nëse ka përkthim togfjalëshi “KRENARI KOMBËTARE SHQIPTARE” ai pa dyshim do të ishte VAÇE ZELA.”
Avni Mula, kompozitor e këngëtar: “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.”
Zijà Saraçi, kantautor: “Vaçja erdhi në skenën Shqiptare si një erëz e lehtë, si një shi pranveror me të gjitha perkusionet e saj natyrore, ajo kaloi si një meteor mbi qiellin tonë, duke lënë pas një tis të hollë emocionesh të paharruara, emocione të cilat i dhanë ndriçimin e munguar shpirtrave. Ajo krijoi shkollën, iku dhe hipi në “Piedestal”, për të mbetur një legjendë e paharruar në kujtesën tonë kolektive…”
Limoz Dizdari, kompozitor: ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara, ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”
Nora Çashku, pedagoge e pianos: “Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta kenë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, “rebele”. Falë talentit, ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t’i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s’është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë.”
Prof. Zana Shuteriqi, muzikologe: “Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithçka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqiptarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitetin e vet.”
Prof. Dr. Adriatik Kallulli, kritik letrar, shok klase: “Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një balsam për shpirtrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, më së miri dëshmon atë që pat thënë Mikelanxhelo “Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju.”
Ferdinand Deda, dirigjent: ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s’i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”
Leka Bungo, regjisor: “Vaçja për mua dhe për të gjithë ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit.”
Mimoza Ahmeti, shkrimtare: “Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton.”
Prof. Dr. Fatmir Hysi: “Ajo mbetet një shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”
Luan Zhegu, kantautor: ”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë “dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në konflikt me “drejtuesit” sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”
Shqipe Zani, pedagoge e kantos: “Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”
Pavlina Nikaj, këngëtare: “Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në agjendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t’ia kishte zili çdo këngëtar: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saj këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen.”
Visar Zhiti, poet: ”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë… të pazëve ! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”
Prof. Dr. Aleksandër Peçi, kompozitor: “E dashur Vaçe, u çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli.”
Ardit Gjebrea, kantautor: “Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë.”
Rikard Ljarja, aktor e regjisor: “Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudentë në shkollën për aktorë. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite vite… Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte “the voice”.
Mirush Kabashi, aktor: “Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e sillte nëpërmes përmbajtjes së këngës, por nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bënte atë fenomen, që e bënte aq të kërkuar, që do ta bëjë atë gjithmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë, sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial. Ky është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte.”
shqiptarja.com
——————————————————–
Nishani shpreh ngushëllimet për Vaçe Zelën: Emri i ‘Artistes’ është shënuar në historinë e artit dhe të muzikës

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh ngushëllimet e sinqerta dhe dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të këngëtares së papërsëritshme shqiptare, Vaçe Zela.
“Në këto çaste dhimbjeje, kur mbarë kombi ynë po përjeton me hidhërim të thellë humbjen e këngëtares së papërsëritshme Vaçe Zela, dëshiroj të shpreh, edhe në emër të shtetit shqiptar, ngushëllimet më të ndiera e të sinqerta. Vaçe Zela ishte magjia e madhe që e bëri kombin shqiptar të gëzojë dhe të jetë optimist për jetën, edhe kur jeta premtonte shumë pak mirësi. Artistja e madhe po ikën si rrallëkush: ajo ka fatin të ndahet nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë, sepse kënga dhe arti i saj, vetë emri i ‘Artistes’ është shënuar në historinë e artit dhe të muzikës shqiptare. Vaçen tonë do ta mbajmë mend përjetë me admirim dhe mirënjohje për kontributin e saj të paarritshëm artistik, që e kurorëzoi me plot të drejtë si ‘Mbretëreshën e këngës shqiptare’.
Kujtimi i interpretimeve të saj në skenat shqiptare dhe botërore, talenti dhe aftësia e lindur për të sjellë më tepër gëzim dhe liri mes atyre që kanë pasur fatin ta shohin e ta ndjekin, ta njohin dhe ta vlerësojnë, thyerja e tabuve ideologjike në art e në jetë si dhe virtuoziteti i saj i pashoq do të mbeten ngahera të gdhendura në mendjet dhe zemrat e artdashësve shqiptarë e të huaj. Familja, të afërmit, miqtë dhe dashamirët e panumërt do ta vuajnë mungesën e saj të pazëvendësueshme, por shpresoj që forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të madhe do ta gjejnë tek shpirti i saj i pavdekshëm prej artisteje mbarëkombëtare, që do t’i shoqërojë e do t’i bekojë përjetë me ngrohtësinë e zërit melodioz, interpretimet e paharrueshme dhe vlerat e saj të rralla njerëzore. Iu prehtë shpirti në paqe”, theksohet në mesazhin ngushëllues të Kreut të Shtetit shqipta….
sot.com.al
———————————————————-
Thaçi dhe Haradinaj mesazh ngushëllimi për Vaçe Zelën

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së Ramushash Haradinaj kanë shprehur përmes mesazheve të ngushëllimi keqardhjen për ndarjen nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, Vace Zela.
Hashim Thaci: “Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të këngëtares dhe artistes së shquar Vaçe Zela. Vaçe Zela ka qenë dhe mbete ikonë e muzikës së lehtë dhe asaj popullore, një zë origjinal, i papërsëritshëm dhe unikal në muzikën shqiptare.
Ramush Haradinaj: “Vepra dhe kontributi i zonjës Zela është një prej kapitujve më të vlefshëm në opusin nacional të këngës shqipe, dhe si tillë do të mbetet përherë pjesë e thesarit tonë të gjithëmbarshëm kulturor. Përjetësisht do ta kujtojmë dhe do të ndihemi krenarë me këngëtaren e madhe shqiptare, zërin dhe repertorin që ajo i dha e i la në trashëgim muzikës dhe kulturës sonë në përgjithësi…..
sot.com.al
———————————————————–
Kryekuvendari Krasniqi ngushëllon familjen e këngëtares Zela

Me rastin e vdekjes së artistes së madhe të këngës, Vaçe Zela, kryekuvendari Jakup Krasniqi i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes së këngëtares. “Shqiptarët kudo në botë mësuan sot lajmin e trishtuar për vdekjen e mbretëreshës së këngës shqipe, Vaçe Zela. Ajo që e re hyri me vrull në skenën e artit, duke sjellë emocione të fuqishme artistike gjatë gjithë jetës dhe për të mbetur përjetshëm në panteonin shqiptar. Zëri kumbues i Vaçes nuk ka vdekur, sepse do të shoqërojë edhe shumë breza artdashës shqiptarë”. “Duke ndarë dhembjen bashkë me ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, juve dhe gjithë adhuruesve të saj u shpreh ngushëllime të thella për këtë humbje të madhe”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryekuvendarit Krasniqi./kosovasot/
————————————————————-
Haradinaj: Përgjithmonë krenarë me Vaçe Zelën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me keqardhje të thellë mori lajmin për shuarjen e divës së këngës shqipe, Vaçe Zela. Kryetari Haradinaj bashkëndjenë me familjen, të afërmit, kolegët e këngëtares së madhe dhe mbarë komunitetin artisitik shqiptar. “Vepra dhe kontributi i zonjës Zela është një prej kapitujve më të vlefshëm në opusin nacional të këngës shqipe, dhe si tillë do të mbetet përherë pjesë e thesarit tonë të gjithëmbarshëm kulturor”. “Përjetësisht do ta kujtojmë dhe do të ndihemi krenarë me këngëtaren e madhe shqiptare, zërin dhe repertuarin që ajo i dha e i la në trashëgim muzikës dhe kulturës sonë në përgjithësi”, thuhet në telegramin e Haradinajt. /kosovasot/
——————————————————————
Lulzim Basha: Mësova me hidhërim të thellë për ndarjen nga jeta të artistes së shquar “Nderit te Kombit” Vace Zelës. Për të gjithë ne që u rritëm me zërin e saj unik, sa më shume që koha kalon aq më e dashur dhe e veçantë është figura e saj.
Vace Zela do te mbetet përjetë mes nesh. Ngushëllimet e mia për familjen, të afërmit dhe miqtë e kësaj ikone te muzikës shqiptare. U prehtë ne paqe. L. Basha
——————————————————————
Ambasada Amerikane “Me këngët e saj Vaçe Zela u kthye në legjendë të muzikës”.
”Shqipëria humbi një nga këngëtaret e saj më të mëdha. Vaçe Zela ishte një artiste e madhe dhe kushdo që e ka dëgjuar atë të këndojë, mund të dëshmojë për bukurinë e zërit dhe talentin e saj të pafund. Me këngët që interpretoi, ajo u kthye në një legjendë të muzikës shqiptare – jo vetëm për brezin e saj, po për të gjithë shqiptarët e çdo moshe. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjen dhe të dashurit e saj. U prehtë në paqe!”.
————————————————————————
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro: “Sot e tutje, “Valsi i lumturisë” kthehet “në requiem të pazëvendësueshëm për thesarin e kombit, që quhet thjesht Vaçe!”
————————————————————————
Kryeministri Rama: “Në një kohë e vend tjetër, Vaçja do ishte yll i ndezur në qiellin e botës, iku duke lënë përjetë ndezur yllin e vet në qiellin e Shqipërisë”.
———————————————————————–
Një minutë heshtje në Kuvend
Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në nderim të artistes Vaçe Zela, ndërsa kryetari Ilir Meta me anë të një fjalimi nderoi dhe lartësoi figurën e saj.
“Vaçe Zela ishte një zë i mrekullueshëm që ka zbukuruar dhe lumturuar jetën e gjeneratave të tëra në kohë më të vështira. Mbas pothuajse 20 vjetësh mungese në skenë por gjithmonë e pranishme në kujtesën tonë Vaçja e madhe, “Nderi i Kombit” është ende kulmi i papërsëritshëm i këngës shqiptare. Ajo është shkëlqimi i zërit të shpirtit dhe padyshim mbretëresha e kurorëzuar e muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare. Ajo ishte njeriu që i dha emrin një epoke, ishte fëmija e shkëlqyer dhe i papërsëritshëm i këngës dhe i muzikës shqiptare”, u shpreh Meta.
———————————————————————
Jozefina Topalli, deputete demokrate:
E dashura e shqiptarëve! Iku Vaçe Zela, mbeti zeri i Saj! I kendoi me dashuri pa kufi vendit te saj si askush tjeter! I gezoi jetet e shqiptareve me magjine e zerit te saj, kur nuk kishte asnje gezim per to! Ajo ishte e dashura e shqiptareve!
————————————————————————
Erjon Braçe, deputet socialist:
Eshte e madhe, e jashtezakonshme, e paperseritsheme, e perjetshme!Quhet Vaçe Zela dhe eshte kengetarja me e madhe e ketij vendi!’Nderi i Kombit’ eshte titulli zyrtar, ‘Mbretereshe e Popullit’, eshte titulli qe do i mbetet.Por, dua ta vecoj keshtu; Eshte lushnjare! Mos heshtni! Mos e qani!Duatrokiteni! Per gjithe kenaqesine qe ju fali per vite, per zerin e paperseritshem qe la per secilin, kulturen tone; nderojeni, duatrokiteni!
—————————————————————————-
Eduard Halimi, deputet demokrat:
Do te jetojë gjithmone zeri me i bukur i shqiptareve.
————————————————————–
Sidrit Bejleri, këngëtar:
Nderroi jete nje nder figurat me te medha te artit skenik shqiptar…Iku pertej artistja e madhe, ajo te ciles te gjithe i referohen kur flitet per majat e vokalit shqiptar…Iku Vaçja…Paqja e Zotit qofte me te!
————————————————————–
Aurela Gace, këngëtare:
Sapo u zgjova dhe hap televizorin si rutine e mengjesit. Degjoj lajmin e hidhur te shuarjes nga jeta te artsites se Kombit Vaçe Zela….menjehere me erdhi ne mend ate cfare kam perjetuar kur e kam takuar per here te pare…ne shtepine e saj ne Basel te Zvicres shkova ta takoj shume vite me pare…e shoh te buzeqeshur, me zerin e embel qe me ftoi te ulesha dhe u bukosa fare, nuk flisja dot,nuk i thosha dot sa shume e doja zerin e saj,sa shume kisha degjuar…me ofroi kek te cilin e kishin gatuar ne shtepi….mezi e hengra nga emocioni i madh qe kisha duke qendruar afer saj. E pyes xhaxhi Pjetrin,bashkeshortin e saj, ” si eshte te jetosh prane kesaj artisteje kaq te madhe”? Ai m’u pergjigj i qete: “Per mua ka qene dhe eshte njeriu i jetes time”.
Të dua shumë teta Vaçe dhe emri yt e zëri yt do të jetojë në memorjen e të gjithëve ne, vajzës sime do t’ia mësoj emrin dhe këngët e tua, që edhe ajo e brezat e tjerë ta dinë se çfarë thesari ka pasur Shqipëria. Shpirti yt u prehtë në paqe!
—————————————————————————
Virgjil Kule, gazetar:
“Ah, Vaçja, u shua! Ja, para syve tanë u shua…por nuk do shuhet kurrë ne kujtesën e kombit”.
Fatmir Toçi: “Për 60 vjet pushtoi skenen muzikore shqiptare duke mbetur edhe sot këngëtarja më e dashur dhe më e vlerësuar. Veshtire do te jete per nje kohe te gjate qe te ngjitet ne skene nje dive e muzikes me dimensionet e Vaçe Zelës”.
—————————————————————————-
Dritëro Agolli, shkrimtar:
“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”.
———————————————————————–
Vitore Stefa Leka ,Shkrimtare
I perjetshem do ngelet ne zemrat tona kujtimi i8 kesaj miti te muzikes shqiptare Ajo na ka mbajtur gjalle dhe ne kohen e bunkiereve.. Une u merzita shume se e kam njohur dhe pse pas 90-tes po kam pas shume miqesi me familjen Rodiqi.. I kam frekuentuar shpesh dhe e ndjeva shume kete humbje ne rradhe te pare si njeri i afert dhe i njohur e pastaj humbje madhe e nje artiste qe mbajti gjalle gjithe brezin tim ne kohen e bunkiereve.. Kam fol tre here me Pietrin sot.. dhe tani para nje ore.. Nuk gjeja fjale ta ngushelloja se e di une cka bere ai dhe Irma per ate Vace.. Nga andej me vinte zeri i mekur i nje njeriu qe dhe ai vet eshte i semure po qe sp permbahej dot nga kjo humbje.. I paste lene Jeten te dyve dhe i perjetshem kujtimi i saj.
——————————————————————————
Zhani Ciko, artist:
Në këtë ditë të trishtë ku duket sikur dhe natyra ka marrë pjesë në të. Vacja, artiste shumëdimensionale. Figura e Vaces do të mbetet e paharruar dhe do të vlerësohet nga populli
——————————————————————————–
Irma Libohova, kengetare:
Jam tepër e hidhëruar. Jam këngëtare e brezit të saj dhe për mua ka qenë shkollë. Ajo ka qenë autoritare, e vendosur, në biseda që kemi pasur bashkë më tregonte shumë mbi muzikën. Për mua ka qenë mike, shoqe, dhe ngushëlloj familjen. Nuk e di, por kjo ditë e trishto. Vacja nuk ka vdekur. Për mua ka qenë krenari që krahasonin zërin tim me të sajin
—————————————————————————
Manjola Nallbani, kengetare
Këngë, interpretime, emocione që shqiptarëve ju kanë shërbyer në momente të ndryshme u kanë ngritur moralin lart, dhe kjo është arritja më e madhe e një artisti që me zërin tënd tu japësh emocion, që të të këndojnë. Vacja këtë e bëri dhe gjithkush nga ne është mirënjohës për atë që dha me zërin dhe shpirtin e saj.
—————————————————————————
Qemal Kërtusha, kengetar:
Ajo është një medalje e madhe e muzikës, një trashëgimi e madhe, një meteor, që zbret 1 herë në 100 vjet në tokë, ashtu ishte zëri i Vace Zelës. Kur është kënduar, fëmija i parë, duke shëtitur, njerëzit na habiteshin me fjalët më të mira, duke thënë cfarë kange të bukur keni kënduar.Para se të dilte në skenë, ajo më thoshte Qemal, kam emocion, ma ver dorën tek gjoksi. Asaj sikur do i delte zemra nga vendi, por kur shkonte tek mikrofoni, e ngrinte sallën peshë. Të jepte emocion të jashtëzakonshëm.
————————————————————————-
Myfarete Laze, kengetare:
Këngëtare komplekse për të gjitha zhanret. Kam pasur fatin që të këndoj këngë në festival, kompozime me të. Vaçja një talent i rrallë…
—————————————————————————
Zef Nacaj,Piktor
Po iken Vacja e po iken nje brez i pazevendesueshem artistesh te medhenj qe rrezik se kombi jone nuk e di a do ti perserise ende ne permasat e tyne.
Respekt per ta ne perjetesi. Ju kjofte i lehte dheu e pacin driten e zotit.
ngushellime familjareve.
————————————————————————————-
Alida Hisku,Kengetare
Te nderuarit e familjes sime elektronike!
Mbreme ne oren 2 te nates u nda nga ne legjenda e muzikes Shqipetare Vace Zela, ne moshen 75vjec,mbas nje semundje te gjate.
I perjetshem qofte kujtimi dhe vepra e kesaj Legjende.
Shume e hidheruar e me dhimbje te madhe shpirtrore
Alida.
———————————————————————————
Kanë thënë per Vaçe Zela
Dritero Agolli, shkrimtar:
“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarën e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”
Nexhmije Pagarusha, këngëtare
“Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.” [1] Edhe pa e takur, unë, Vaçe Zelën, e kam adhuruar shumë. Kur shkova për herë të parë në Tiranë, në vitin 1971, kisha shumë dëshirë të takoja disa këngëtarë, që unë i adhuroja, si: Avni Mulën, Vaçe Zelën, Luçie Milotin, Ibrahim Tukiqin… Dhe dëshira m’u plotësua. Para se ta takoja Vaçen, unë shkova në një koncert të saj. Paraqitja e saj në skenë ishte e mahnitshme. Mbeta pa frymë derisa po e dëgjoja. Pas koncertit u takuam. Nuk kisha parë ndonjëherë njeri si Vaçja nga shpirti i së cilës shkëlqente një botë e madhe, shkëlqimi i saj depërtonte thellë në thellësite e shpirtit të secilit. Ajo është një grua komplete. Është shumë e ngritur. Gjithashtu ka edhe një humor të mrekullueshëm. E kam takuar edhe herë të tjera kur kam shkuar në Shqipëri. Më ka pritë në shtëpinë e saj, me familjen. Po ajo është edhe një amvise e mrekullueshme. Banesa e saj shkëlqente nga pastëria. Servimin e ushqimit që bënte ajo nuk e bëjnë as në hotelet më të mira. Po lulet?Ato ajo i adhuronte dhe secila ishte në vendin e vet. Vaçja është e papërsëritshme.
Osman Mula, regjisor
”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare potente, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha një maksimum.”
Tish Daija, kompozitor
“Vaçe Zela ishte tepër e pa mëshirëshme. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult” [1] Kam një jetë të tërë bashkëpunimi me Vaçen. Na lidhi miqësia, na lidhi karakteri, na lidhi dëshira për të bërë dicka të bukur për këngët e muzikës së lehtë shqiptare, në përgjithësi. Vaçja ka qenë një talent i rrallë dhe unë kam shkruar shumë për Vaçen se interpretonte shumë bukur. Dhe Vaçja duket ka qenë e kënaqur me mua. Kemi bërë diku rreth 10 këngë të suksesshme duke filluar që nga këngët e tipit popullor “Me lule të bukura” këngën e krushqëve, që këndohet kudo në Kosovë, pastaj këngën “Flakë e borë”, ”Erë pranverore”, ”Natën vonë” dhe shumë këngë të tjera që Vaçja i ka interpretuar në mënyrë të shkëlqyer. Ajo kishte edhe dicka tjetër të favorshme për mua: kur nuk i pëlqente Vaçes dicka, ajo nuk vepronte sipas miqësisë që të bëjë lëshim. Ajo nuk bënte asnjë lëshim! Nëse kënga nuk i dukej e realizuar, nëse kënga nuk përmbushte kërkesat e saj thoshte: më fal Tish ti nuk e ke qëllu! Ose, këtë nuk e bëj dot! Po, ishte kërkuese deri në maksimum. Ajo shikonte çdo germë, cdo notë, a është në vendin e vet, dhe në qoftëse i mbushej mendja, që ajo mund ta interpretojë mirë, fuste brenda gjithë pasionin e saj. Vaçja ishte e edukuar, që nga nëna e saj, për këngën popullore po këndonte vetëm këngën e lehtë, po pastaj, ju fut këngës popullore dhe u bë aq brilante, në këngën popullore, sa ishte edhe në këngën e lehtë.
Avni Mula, kompozitor e këngëtar
“Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtare duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.”
Limoz Dizdari, kompozitor
”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”
Nora Çashku, pedagoge e pianos
“Vaçe Zela ka qenë piedastal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta ketë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, “rebele”. Falë talentit ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t’i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s’është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë.”
Zana Shuteriqi, muzikologe
“Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithshka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqipëtarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitein e vet.”
Adriatik Kallulli, kritik letrar
{A.K. shok klase} “Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një ballsam për shpritrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, mësëmiri dëshmon atë që pat thënë Mickelangelo “Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju.”
Ferdinand Deda, dirigjent
”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s’i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”
Leka Bungo, regjisor
“Vaçja për mua dhe për të gjithë ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit.”
Mimoza Ahmeti, shkrimtare
“Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton.”
Fatmir Hysi, shkencëtar
“Ajo mbetet një shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”
Luan Zhegu, kantautor
”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë ” dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në koflikt me “drejtuesit” sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”
Shqipe Zani, pedagoge e kantos
“Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”
Pavlina Nikaj, këngëtare
“Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në axhendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t’ia kishte zili çdo këngëtare: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saja këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen”.”
Visar Zhiti, poet
”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë … të pazëve! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”
Aleksandër Peçi, kompozitor
“U çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli.”
Lirim Deda, poet
“Ne vërtetë jemi një vend, ku ka thesare të gjithfarëllojshme nën e mbitokësore, por më i çmuar dhe më i përveçëm është thesari ynë shpirtëror e kulturor. Përse u dashka që të mos udhëtojë nëpër shpirtrat e kombeve të tjerë një filigram i florinjtë mëmëdhetar si Vaçe Zela, që pashëmbëllsisht me askënd tjetër dëfton shqiptarizmin si më shqiptarja në këngë e melodi.”
Ardit Gjebrea, kantautor
“Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë.”
Liliana Çavolli, këngëtare
[1] Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, bile mund të them edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete. Kam pasur rastin ta njoh diku në vitet ’70. Më ka lënë shumë përshtypje modestia e saj, ndërkaq artisti I madh është edhe njeri i madh! E tillë është Vaçja.
Sytki Bushati, mjek
(S.B. mik i familjes) “Vaçja sikur lindi për të bashkuar në këngë tokësoren me hyjnoren. Gjithshka në harmoni. Kjo është Vaçja për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur. Nuk di pse më erdhën në kujtesë ato vargjet e poetit popullor shkodran: “Perëndia të goditi, kusur nuk të pat lanë.”
Rikard Ljarja, aktor e regjisor
Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, … [1] “Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudent në shkollën për aktor. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite vite… Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte “the voice”.
Mirush Kabashi, aktor
Gjithmonë më tingëllon zëri i saj… [1]Impresionet e para, për emrin e madh të Vaçe Zelës, i përjetova si gjimnazist i qytetit të Durrësit, qytetit tim të lindjes. Ardhjet e artistes së madhe, Vaçe Zelës, në teatrin e qytetit të Durrësit, konsideroheshin ngjarje shumë të mëdha. Për ju, dua të kujtoj një ngjarje interesante. Nga tavani i teatrit janë rrëzuar katër-pesë të rinj mbi kokat e spektatorëve, nga numri i jashtëzakonshëm i kërkesave ose nga mënyrat e tërthorta që kërkojshin të gjenin ata që kishin mbetur përjashta për të hyrë, dhe nëqoftëse nuk arrinin ta shikonin, të paktën, të kishin mundësi ta dëgjonin Vaçe Zelën. Dhe kishin hyrë nga çatia, nga dritat nga … ku vetëm në kushtet e një pasioni të jashtëzakonshëm njeriu, apo i riu, mund të sakrifikojë, aq shumë, vetëm e vetëm për të dëgjuar atë që quhej fenomeni Vaçe. Dua të kujtoj edhe një rast tjetër: Ndodhemi me Vaçe Zelën në pozitën, unë, të drejtuesit të programit të vitit të ri, që ishte ndër programet më të rëndësishme dhe më të ndjekura të vitit në RTSH, dhe Vaçe Zela, që padiskutim do të ishte e pranishme me zërin e saj, si një nga figurat kryesore të asaj mbrëmjeje aq të vaçant për teleshikuesin shqiptar. Mirëpo Vaçja, për fatin tim të keq, kishte një kompleks! Ajo nuk pranonte të intervistohej, në programet televizive, sepse kishte emocione të llahtarshme dhe nuk arrinte të formulonte frazat. Është shumë e vërtet kjo gjë, është karakteristike. Unë që doja patjetër ta intervistoja Vaçen, që të jem i sinqert, jo vetëm për nevojë të spektatorit por edhe për kënaqësinë time që të kisha një dialog me Vaçe Zelën, tashmë të filmuar, gjej një mënyrë të veçantë dhe shfrytëzoj faktin që Vace Zela kishte në repertorin e saj kaq shumë këngë me tematika të ndryshme sa i them: Vaçe, dakord, do bëjmë një kompromis: Unë do të të pyes me fjalë ndërsa ti shfrytëzo reperorin tënd për t’m’u përgjigjur me këngë. Dhe kështu proceduam. Dhe, nuk e harroj pyetjen e pare: Vaçe kur ke filluar të këndosh për herë të parë? Ajo u mendua për pak dhe filloi të përgjigjej “Dikur kur unë isha ende e vogël…” Po pastaj në rininë tënde? ”Kam qenë në rini shumë e gëzuar… ” Ky dialog, të cilin edhe sot kur e rikujtoj, më krijon vërtet shumë emocione! Na kaloi kaq mirë sa në fund pastaj pyetja ishte e ndërtuar në formë të tillë, sa pasi i kujtuam shtatë-tetë këngë, që shërbenin si këngë përgjigje, pastaj kënduam dhe një gjë sëbashku. Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e siellte nëpërmes përmbajtjes së këngës po nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bëntë atë fenomen që e bënte aq të kërkuar që do ta bëjë atë gjithëmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial, është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte.
Nirvana Pistulli, poete
…është një idhull…nuk i përket vetvetes… [1] “Vaçja është një idhull, është një emër që nuk harrohet, është një zë që nuk mund të zëvendësohet, është një melodi e përjetshme, është një lule plot dritë në një kohë të zymtë, ushqim për shpirtëra të etur. Ajo nuk i përket vetvetes, ajo i përket gjithë kombit.”
Nexhat A. Agolli, shkrimtar
autor i monografisë “Vaçe Zela – magjia e këngës shqiptare”: “Vaçe Zela ishte një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj të ngrohtë dhe të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën adoleshente dhe, në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenithin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e ngjashme me të tokës rreth vetes dhe diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufirin e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të mahnitshëm.”
Besnik Dizdari, gazetar
“Kur flet për Vaçe Zelën të del përpara një rrugë gjigande dhe vihesh në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura, për të përmbledhur rrufeshëm një jetë të tillë. Unë them vetëm kaq: Brezi ynë u rrit me këngën e Vaçes. Në shpirtin tonë të trazuar zëri i saj i rrallë, melodia që buron prej tij, përshkohet si një lloj elektrizimi që sjell vetëm forcë. Është një forcë shpirtërore që blaton një lloj rinimi të pashpjegueshëm, që ishte krejt në kundërshtim me atë realitet! Është e çuditshme se si ndodhte, që edhe atëherë kur përmbajtja e këngës nuk sinkronizohej me zërin e magjishëm dhe me melodiozitetin që buronte prej tij, ne emocionoheshim deri ne skaj. Çuditërisht ndjeheshim me të fortë dhe nostalgjia që falte zëri shndërrohej në një optimizëm që sa vështirë ishte ta gjeje në Shqipërinë e asokohe. Ky është shërbimi i madh atdhetar i Vaçe Zeles ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë Vaçja na fal humanizëm, te cilin ne nuk ia kthyem me kurgjë me tepër përveç se me duartrokitjet që thonë se janë shumë për artistin. Ndoshta…”
Violeta Librazhdi, mësuese
shoqe fëmijërie, autore e librit biografik “E papërsëritshmja Vaçe Zela”: “Kënga e saj çante muret e Teatrit të Operas dhe Baletit, kaptonte rrufeshëm fusha, bregore e male dhe futej në çdo shtëpi shqiptari brenda e jashtë kufirit. Njerëzit e tjeshtë ndoshta nuk e dinë se sa çmime të para ka marrë Vaçja. Por ato dinë më shumë, dinë që Vaçe Zela është një bijë e denjë e popullit të saj, që kudo dhe kurdoherë ka në zemër e në mendje Shqipërinë e shqiptarët. E kjo është mjaft për ta. Prandaj ajo meriton ngrohtësinë, dashurinë dhe urimin e thënë tjesht: “Të këndoftë zemra, të lumtë goja o Vaçja jonë e shtrenjtë!” Kjo është arsyeja që ne, shoqet e shokët e saj, kur mblidhemi bashkë ndër festa shokësh e miqsh edhe kur ajo s’është, ngremë një gotë për të dhe na duket fort e goditur sentenca e latinëve “Shkëlqen mungesa e saj.”
Agim Pepa, poet
[1] Në momentin kur po përgatitjej shtypi periodik i Tiranës për të botuar dicka për Vaçe Zelën, me rastin e 60 vjetorit të lindjes së saj, në ambientet tona letrare, diskutohej mjaft. Unë mes shokësh kam dhe një letrar mik, Fiqri Mujo, i cili ka qenë për 15 vjet në burg, burg për politikë. Ai në burg kishte me vete dhe kitarën e Vaçe Zelës. Fiqriu ishte një pasionat, një muzikant, dhe kur e kishin arrestuar, ai kishte marrë dhe kitarën me vete. Duke qëndruar kënd më kënd kitara ishte dëmtuar shumë, i ishte shtrembëru bishti, i ishin këputë telat, megjithatë ajo binte si kitarë, tingëllonte, dhe kur mendonim që kjo kitarë ka tingëlluar edhe në duart e artistes së madheVaçe Zela ata tregonin më tepër interes. Këtë ma thotë mua miku im Fiqriu, një ish i burgosur i Spaqit. Ma thotë historinë e kitarës dhe kjo mua më frymëzoi dhe shkrova poezinë, duke menduar se do të përcjell emocionet, disa mesazhe të atyre të burgosurve, të cilët gjithësesi po vuanin denimin po që nuk donin që të shkëputeshin nga jeta. Tingujt e kitarës së Vaçe Zelës, ata, shpeshherë I shoqëronin në gjumë, në burg edhe në vuajtje, dihet edhe në mjerim, se dihet që në burg nuk bëhej qejf. Ja kështu më lindi kjo ide të shkruaj këtë poezi e cila pati mjaft sukses. Një poezi është një moment, megjithatë ajo mban brenda një porosi sepse unë njihja edhe Vaçen, po njoha edhe dhimbjen e shumë të burgosurve atje.
Hysni Zela, këngëtar
[1] Zërin e kemi trashëguar nga nëna, ajo këndonte shumë bukur. Po të mos ishte nëna nuk do ishim as ne, kështu të paktën themi ne. Të them të drejtën, unë nga motra kam marrë shumë, mirëpo unë motrës nuk i kam dhënë asgjë përveç që e kam dëgjuar pa e kundërshtuar për ato që më thoshte ajo gjithëmonë.Vaçja më ka ndihmuar shumë në rrugën e artit, në rrugën e këngës, të cilën e vazhdoj edhe sot. Më kujtohet edhe sot kur Vaçja këndonte, unë i rrija pranë dhe sikur doja që me zor të bëhesha këngëtar, isha i vogël atëherë. Dhe ia arrita të bëhem këngëtar, jo në shkallën e Vaçes, po ja, arrita.
Rexhep Munishi, etnomuzikolog
…kam pasur fatin të rritem dhe të jetoj me përjetimet e veçanta… [1] Fjalët e mira, që dikush i thotë për ndonjë personalitet, nuk janë çdo herë si shenj kurtoazie prandaj dua që të më besohet në shprehjen time shumë të sinqert në këto pak fjalë që do t’i them për këngëtaren Vaçe Zela. Unë, si dhe shumë të tjerë, kam pasur fatin të rritem dhe të jetoj me përjetimet e veçanta, me zërin e Vaçe Zelës, të cilën për shkak të rrethanave politike në Kosovë e dëgjonim tinëzisht por me plot admirim. Vetëm një interpretim specifik e i sinqert i dalë nga një shpirt, poashtu i madh e i sinqert, ka mundur të magjeps tërë botën shqiptare kudo që jetonte. Këtë e arrinte Vaçe Zela me këndimin e saj të vacant, tërheqës dhe mbi të gjitha shumë të dallueshëm dhe të papërsëritshëm. Kjo ka bërë që ajo dhe këngëtaret e tjera shqiptare të jenë jo vetëm në kujtesën e brezave që ndërrohen po edhe për kohë të gjatë të mbeten krenari e kulturës kombëtare.
Vitore Stefa–Leka
…është dhe do të mbetet… [1] Vaçe Zela, është dhe do të mbetet shenja më e qartë e indetitetit të kulturës artistike shqiptare të kohës. Përgjithmonë do mbetet pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.
———————————————————————
Mardena Kelmendi, poete
…nuk e arrij kurrë atë çka vërtetë do doja të thurja për të… [1] Në miliona notat e tua fluturova dalë nga gryk argjent i rrallë shpesh e dashuruar shpesh e trishtë e kaq herë me mallë nëpër stinë e nëpër nota vallzoja Valsin e Lumturisë, Ti e unë e mijra të tjerë të dashuruar në cilendo koh që ajo ndjënjë nis Në prehërin e gjyshës sa herë më ulë me kaq deshirë aty të rri me kujtove kaq herë ledhatimet pranë saj në fëmijëri Më dhe kaq emocion kur nënë u ndjeva në lindjen e fëmijës tim të parë ngrihej një sallë e tërë kur zëri yt Vaçes Zela qante mbi kitare Kaq herë më këngët e tua në buzë ai zë tingellonte e zgjonte ëndrat forca jote e dashurisë Artiste Populli, që i mjekove të gjitha zemrat Në vitet ku heshtjet mbulonin ftohtë shtratin e jetes ngrohtë zëri jot Ku me forcë ujvare jetë me kaq shpirtë na fale edhe sot nëpër botë Dridhej Kelmendi ushtonte malë e kodër Myzeqeja hapte zemrën, Yll i muzikës me pentagrame qiellore po i falë këngën E dashur ..shumë pak ky varg për sa dua të sjell deri tek ty në emer të emocionit që ke mbjellë tek unë , dashuri ka mbirë aty Lermë të ndjej akoma në këto vallëzime të lodhura të largësisë sensin e jetës në zërin tënd që i jep jetë veç dashurisë E dashur lejomë që ky varg si një shall në gushë të të ledhatoj me mall nga ai takim i paharruar me ty të të vi e perqafoj Ku lindin miliona të tjera fjalë e vargje që të dedikon çdo zemër me ty kudo jetoj e jeton dhe në shpirt të ka të gdhendur si emer Vaçe Zela grykë arta zemër flatra nder i artit të Shqipëris Uroj e dashur në zemrën tëndë diku ky varg dedikuar me dashuri Një FALENDERIM për mrekullinë që na ke falur të qendis. Këto vargje ia dedikoj idhullit tim, artistes së popullit, Vaçe Zela, i cili nuk e arrin kurrë atë çka vërtetë do doja të thurja për të.
——————————————————————
Vace Zela: Lus Zotin cdo dite te shoh dhe nje here Shqiperine
Alfred Papuciu, Mediator kulturor
E Marte, 12 Maj 2009
Dita e 9 majit 2009 do te mbetet ne kujtese te mbi 200 shqiptareve ne Zvicer, jo vetem se ate dite u promovua libri per nder te akademikut Bedri Dedja, por edhe sepse e pranishme ne kete eveniment, ishte legjenda e muzikes se lehte shqiptare Vace Zela. E shoqeruar nga bashkeshorti i sa, perkthyesi i talentuar i disa librave te autoreve zvicerane per Shqiperine dhe Kosoven, Pjeter Rodiqi dhe e bija, Irma Rodiqi, ekonomiste e shquar e Institutit te Statistikave ne Bazel te Zvicres dhe poete, Vacja dukej se e kishte mposhtur semundjen qe e shoqeron prej vitesh. Eshte hera e pare qe Vace Zela, “Artiste e Popullit” dhe “Nder i Kombit”, me gjithe gjendjen e saj shendetesore jo te mire, merr pjese ne nje aktivitet arsimor dhe kulturor. Hyrja e saj ne sallen e madhe te restorantit Tropicale- Hotel des Communes, Geneveys-sur Caffrane, Neuchatel (Neshatel) u prit me ovacione, qe vazhduan me teper se 20 minuta, shoqeruar me tingujt e kengeve te paharruara te perles se muzikes shqiptare. E emocionuar, artistja jone e shquar, por teper modeste dhe fisnike, pranoi te dale ne fotografi, si kujtim i bukur i kesaj mbremje te vecante, me te gjithe pjesemarresit. Teper e emocionuar, ajo shprehu kenaqesine e saj me fjalet “sot ju me shtuat jeten time, me nje dekade dhe nuk do ta harroj kurre kete pritje madheshtore”. “Ju dhe te gjithe bashkekombesit e mi, me keni frymezuar qe te kendoj dhe te jap nje ndihmese modeste per kengen ne gjuhen shqipe, se bashku me te gjithe ate armate kengetaresh te suksesshem, qe po japin nje kontribut te madh per te gezuar shqiptaret, si dhe per te cuar se bashku me tej, demokracine e vendosur ne Shqiperi”, pohoi kengetarja e madhe. Me nje modesti te shquar, diva qe mbushi 70 vjet pak jave me pare, shtoi se ndoshta nuk e meritonte nderin e madh, duke e cilesuar si “Personalitet te vitit 2009” nga Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve dhe duke marre njekohesisht kenaqesine e gjithe atyre telefonatave nga Shqiperia, qe nga Presidenti i Republikes Bamir Topi, kreu i MTKRS-se Ardjan Turku etj. Evenimentin e rralle ne Neshatel te Zvicres, e nderoi me pjesemarrjen e tij edhe balerini i shquar shqiptar qe ka bere zene shume skena te botes, Enkel Zhuti.
Si e festuat 70-vjetorin e lindjes suaj dhe shpalljen tuaj si “Personalitet i vitit 2009”, nga Ministria e Kultures?
7 prilli ka qene nje dite e vecante. E kam te veshtire t’jua pershkruaj emocionet e asaj dite. Kam marre telefonata te pafundme, te cilat kane filluar ne oren 07:00 te mengjesit dhe kane perfunduar rreth mesit te nates. Me kane marre te njohur dhe te panjohur ne telefon, por ajo qe me ka prekur me se shumti ka qene telefonata e Presidentit Topi, i cili me uroi ne emer te te gjithe shqiptareve. Me pare ai me dergoi nepermjet kryetarit te bashkise se Lushnjes, nje buqete te bukur me lule dhe disa dhurata me dedikimin e posacem. Po ashtu me ka prekur shume edhe telefonata e nje shkolle fillore. Ata zera femijesh qe me uronin te gjithe ne kor ditelindjen. Po jo vetem telefonatat; nuk pushonte se reni edhe zilja e deres. Korriere njeri pas tjetrit, qe sillnin buqeta me lule. Nuk di t’u them sa buqeta me kane ardhur nga Shqiperia, nje buqete me 70 trendafila nga Franca, te tjera nga Italia, Austria dhe mjaft vende te tjera. Ka qene nje dite e paharruar. Gjithashtu koncerti i organizuar nen kujdesin e Zonjes se Pare per nderin timin, ne Pallatin e Kongreseve ne Tirane. Gjithe ato urime te bukura te marra nga koleget e mi. Fakti qe gjimnazi “Qemal Stafa” organizoi nje veprimtari te vecante per mua ne kete dite, si ish-nxenese e ketij gjimnazi. Oh! Kam frike se nuk jua kam permendur te gjitha. Natyrisht edhe shpallja “Personalitet i Vitit” ishte nje nder i rralle per mua. Te gjitha keto une kam fatin e madh t’i perjetoj per se gjalli, prandaj dhe i jam aq mirenjohese atij vendi, qe me rriti, me beri ate qe jam dhe qe mbi te gjitha me nderon edhe sot, megjithese mungoj prej gati nje cerek shekulli nga skena shqiptare. Kete gje di ta bej vetem populli yne i mrekullueshem.
Cfare mbresash patet nga takimi me bashkekombesit tuaj ne Neshatel, me 9 maj 2009 dhe kur degjonit kenget tuaja te shoqeruara nga duartrokitjet e tyre?
Mbresat dhe emocionet ishin thuajse te njejta me ato te ditelindjes. Salla e gjithe e ngritur ne kembe qe per pese minuta me radhe nuk reshte se duartrokituri, aq sa me vinte zor, sepse ai takim behej per nder te shkrimtarit te madh, profesorit Bedri Dedja. E gjithe kjo u nxit edhe nga fakti se mikja e familjes sone, vajza e Bedriut, Edlira Dedja, kishte vene ne magnetofon kengen me tekstin aq domethenes “Po ku ka si ti, o Shqiperia ime!” Qe nje veprimtari dinjitoze, e organizuar shume bukur, ashtu si e meritonte i ndjeri Dedja, qe tregoi se artistet e vertete nuk vdesin kurre.
Kur keni filluar te kendoni per here te pare?
Isha vetem nente vjece dhe me hipen ne nje karrige, me veshen nje fustan nuseje. E vetmja gje qe nuk gjeten dot ishin nje pale kepuce, keshtu qe heren e pare kam kenduar zbathur. Por nuk u kuptua, sepse i leva kembet me shkumes. Edhe sot qesh, kur me kujtohet ajo dite.
Zgjedhja e profesionit tuaj si kengetare si erdhi?
Ne menyren me te natyrshme. Ajo ishte gjeja qe mund te beja me mire se gjithcka tjeter. Ne fakt une rrjedh nga nje familje qe e ka dashur shume kengen. Nena ime ka pasur ze te bukur, keshtu qe edhe une jam rritur me dashurine per kengen. Megjithate, prinderit donin qe une te mesoja dicka tjeter, sepse kenga nuk u dukej zanat.
A keni ndonje kujtim te bukur nga jeta teatrale, pasi ju keni mbaruar shkollen e larte per teater?
Une kam luajtur vetem ne nje pjese teatrale. Ne fakt une kisha vetem nje qellim, te behesha kengetare e zonja. Por meqenese u zhgenjeva njehere, sepse nuk me pranuan ne Liceun Artistik, duke me quajtur te paafte dhe doja me cdo kusht te studioja, mendova se Shkolla e Larte per Teater, do te me ndihmonte per te interpretuar me mire kengen.
Karriera e suksesshme si kengetare, ju ka ofruar me shume sfida apo kenaqesi?
Te dyja se bashku. Sot natyrisht qe une kujtoj vetem kenaqesite dhe si ju thashe edhe me lart, kam fatin e rralle qe te perjetoj kenaqesi po aq te medha, sa edhe kur ngjitesha ne skene.
Sa vite bete ne skenen kombetare? Ju keni kenduar ne disa zhanre ne muzike. Keni kenduar edhe kenge popullore dhe te lehta. Cila kenge e interpretuar, ju ka lene me teper mbresa?
Kam kaluar nje jete te tere ne skene, rreth 40 vjet. Nuk di t’ju them se cila kenge me pelqen me shume, sepse une kam dashur me shpirt cdo kenge qe kam kenduar. Natyrisht kam qene shume kerkuese. Jo rralle i kam munduar koleget e mi kompozitore dhe poete, sepse nuk pranoja te kendoja asnje fraze, jo me kenge, qe nuk me “ngjiste”. Sa net pa gjume kane kaluar prej meje, por me pas ma falnin mundin qe u krijoja, sepse bindeshin qe kisha pasur te drejte.
Cfare ju ka mbetur ne kujtese nga pjesemarrja juaj ne turnete jashte shtetit, me Ansamblin e Kengeve dhe Valleve Popullore?
Kur kam kenduar per here te pare ne Kosove ne vitin 1979. Kane qene emocione te rralla, te paperseritshme. Por kam edhe kujtime te tjera te bukura. Nuk di c’te permend me pare. Ne Norvegji me dhane dy ore para koncertit, nje kenge norvegjeze per ta kenduar. Mendoni sa e veshtire eshte te mesosh per dy ore, nje kenge ne nje gjuhe qe nuk e njeh. Pasi kendova strofen e pare, per nje moment harrova tekstin. Por pa kaluar as nje minute, sikur ta kishin bere te gjithe me fjale, 2000 spektatore ngrihen njeherazi ne kembe dhe vazhdojne se bashku me mua te kendojne kengen. Qe nje emocion aq i madh sa koleget e mi me vone, me thoshin qe ti bere enkas sikur harrove fjalet. Nje tjeter kujtim i bukur eshte koncerti ne Firence, kur kam kenduar kengen italiane “Firenze stanotte”. Jane disa kenge qe lene gjurme te thella ne publikun vendas, i cili me nje lloj fanatizmi ruan interpretimin e kengetareve vendas dhe e ka shume te veshtire, per te mos thene te pamundur, te pranoje se nje i huaj mund t’i kendoje kenget e tyre me mire. Une kam pasur fatin ta perjetoj nje gje te tille. Edhe atje eshte ngritur i gjithe publiku ne kembe, duke kenduar se bashku me mua.
Semundja ju ka ndare nga skena, por jo nga hobi juaj per lulet. A kujdeseni per to?
Sa do te doja ta beja nje gje te tille, por per shkak te gjendjes sime shendetesore tani e kam te pamundur. Vajza ime Irma, e cila ka trasheguar edhe ajo pasionin per lulet, kujdeset sot per to. Perpara se te semuresha kaloja ore te tera ne bahce, saqe fqinjet e mi zvicerane me quajne “zonja me gishtat jeshile” dhe me shaka thone se ata duhet te paguajne per ate pamje te bukur, qe shohin nga dritaret e tyre. Edhe dyqanet qe shesin lule me njohin dhe kur shkoj shitesit, si me shaka me thone, “Oh zonje, u be kohe e gjate, gati nje jave qe s’ju kemi pare”.
Vajza juaj Irma ka zgjedhur ekonomine si profesion. A do te kishit deshire qe ajo te ishte bere kengetare si ju?
Jo, kete nuk e kam dashur kurre. Pastaj, ajo per sa i perket profesionit ka trasheguar me shume nga i ati, prej te cilit ka pasur edhe prirjen per shkencat ekzakte.
Cfare mesazhi keni per brezat e rinj te kengetareve shqiptare? Cili eshte mendimi juaj per muziken shqiptare ne teresi?
E kam te veshtire te luaj rolin e mesueses ne distance, por do t’u lutesha qe te ruajne me cdo kusht identitetin tone kombetar, qe eshte gjeja me e vyer qe kemi.
Vacja dhe familja. A keni ndonje kompliment per bashkeshortin tuaj Pjeter dhe vajzen Irma?
Vazhdoj te jetoj sot, pas tere atyre semundjeve te renda qe kam kaluar, vetem ne saje te dashurise dhe perkushtimit te tyre ndaj meje.
A keni deshire te ktheheni ndonjehere ne qytetin tuaj te lindjes dhe ne pergjithesi ne Shqiperi?
Oh, kjo eshte nje pyetje qe me mire mos te ma kishit bere, sepse me mbush me trishtim. Kjo eshte endrra ime me e madhe. Do te doja me gjithe shpirt te shkelja edhe nje here rrugicen ku kam lindur dhe kam kenduar per here te pare. Te shoh se si ka ndryshuar Tirana, ku kam kaluar pjesen me te madhe te jetes sime. Lus Zotin cdo dite, qe te ma realizoje kete deshire, sepse Shqiperia per mua ka qene dhe mbetet vendi qe me ka falur emocione te jashtezakonshme, qe me ka bere te ndjehem njeriu me i lumtur ne bote. Prandaj, ua them me gjithe shpirt; jam aq krenare qe jam shqiptare, se ai vend me mungon me shume se gjithcka tjeter.
Flet i shoqi: “Urimet i dhane force Vaces”
“Per urimet e derguara me rastin e 70-te vjetorit te ditelindjes, Vacja lutet te pranoni falenderimet me te sinqerta dhe shprehjen e mirenjohjes se saj dhe iu deshiron shendet, mbaresi e gjithe te mirat e mundshme”, tha bashkeshorti i Vace Zeles, Pjeter Rodniqi. Sipas tij, vleresimet dashamirese te bera ne adrese te saj, c’eshte e verteta, e kane emocionuar e mallengjyer, por njekohesisht i kane sherbyer edhe si mbeshtetje dhe nxitje te fuqishme, per perballimin e veshtiresive qe lidhen me gjendjen e saj, jo gjithnje te mire shendetesore. Edhe une, bashke me Irmen, ju falenderojme dhe shpresojme te kemi rast t’ua shperblejme ne te mira dhe gezime.
Marre nga Arkivi



Leave a Reply