nga femra.ch
E ëmbla e skenës shqiptare Enca Haxhia, vazhdon me suksese të pandalshme , të cilën e kanë përcjellë gjatë gjithë këtij viti. Enca në këtë intervistë dhënë revistës “Femra”, ka treguar për ecurinë e punës, shkollimin, dhe planet e saja për vitin 2014. Kënga “Jepe Tash”, është pritur mjaftë mirë nga publiku dhe vazhdon të pëlqehet shumë.
“Femra”: Enca me çka jeni duke u marr aktualisht?
Enca: Për momentin jam duke punuar me disa këngë të reja të cilat do te dalin përgjatë vitit 2014, ndërsa njëra prej tyre do të lancohet nga fundi i këtij viti…Po përpiqem që edhe këtë vit të sjell risi dhe materiale të mira…Kam besim se do të pëlqehen shumë.
“Femra”: Sa jeni e angazhuar në mbrëmje të ndryshme?
Enca: Këtë sezon kam qenë shumë e zënë sepse jam fokusuar në fillimin e Universitetit dhe kohën më të madhe ma ka marrë puna për materialet e reja…Nuk kanë munguar as mbrëmjet megjithatë sezonin tjetër do te jem me prezente, se bashku me këngët e mia të reja.
“Femra”: Si ka qenë për ty ky vit, me çfarë risie do ta përmbyllni vitin 2013?
Enca: Ky ka qene një vit i mirë për mua në muzikë. Filloi me suksesin e baladës sime në “TopFest”, publikimin e single-t tim “Jepe Tash”, i cili rezultoi si një hit veror, një bashkëpunim për një single anglisht gjithashtu i shoqëruar me klip dhe para pak muajsh publikova dhe një këngë tjetër ritmike…Këtë vit do e mbyll me prezantimin e një dueti që besoj do te ketë sukses.
“Femra”: Tregu i muzikës po tejmbushet me emra të rinj që pretendojnë se bëjnë muzikë të bukur. Çmendim keni për këto lloj prurjesh?
Enca: Prurjet janë vërtetë të shumta në tregun muzikor, megjithatë nuk duhet mohuar që nder prurjet e reja ka vërtetë dhe këngëtare të talentuar që bëjnë muzikë të bukur…Megjithatë unë gjithmonë kam menduar se koha dhe rezistenca ne treg është treguesi me i mirë për vlerat e një artisti dhe muzikën e tij.
“Femra”: Thonë që fillimi mbart gjithmonë vështirësi, si në muzikë ashtu edhe në çdo fushë tjetër. Po kthehemi paksa mbrapa në kohë dhe të pyesim cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha që mban mend nga fillimi i rrugëtimit tënd në muzikë?
Enca: Është e vërtetë, fillimi pothuajse gjithmonë është i vështirë, sidomos në një fushë si muzika, pjesë e artit ku asgjë nuk është e sigurt. Është një fushë ku rrezikon shumë…Të them të vërteten unë vij nga një familje artdashëse por asnjë prej tyre nuk ka qene pjesë e kësaj fushe me parë ndaj me është dashur të punoj fort për të arritur. Vështirësitë janë të panumërta, lodhja e shumtë, përzgjedhja e materialeve te duhura, prezantimi me njerëzit e duhur, shpenzimi i madh monetar për të realizuar një projekt të mirë etj etj… Megjithatë mediat dhe njerëzit më kanë mbështetur që në fillim dhe për këtë u jam shumë mirënjohëse dhe e lumtur.
“Femra”: Mendon se muzika në vendin tonë konsiderohet edhe si biznes, një formë e mirë për të gjeneruar të ardhura dhe realisht sa fitimprurëse është fusha e muzikës?
Enca: Fillimisht për mua muzika është art, diçka që duhet me bërë me shpirt dhe dashuri…e megjithatë unë tashmë e konsideroj atë edhe si profesion për të cilin unë kam punuar dhe investuar ndaj sigurisht qe kam edhe pritshmëritë për fitimet financiare…Në trevat shqiptare tregu muzikor ende është i pastabilizuar dhe nuk funksionon ashtu siç duhet, megjithatë për disa artistë të mirë mund të behet fitim i mirë të ardhurash pas një pune të madhe.
“Femra”: Cilat janë aspektet apo momentet ku kuptohet cilët janë këngëtarët e vërtetë? Sa e rëndësishme është për një këngëtare të këndojë edhe live krahas muzikës playback?
Enca: Sot, një këngë e bukur jo domosdoshmërish kërkon një vokal shumë potent, kërkon një zë të bukur edhe stil….Mendoj se në ditët e sotme për një këngëtare është e rëndësishme që këngët e saj t’i interpretojë mirë edhe live. Për mua i kënduari live ka qenë gjithmonë i rëndësishëm, dhe le të themi, një nga pikat e mia të forta.
“Femra”: Cila është kënga që ke më tepër për zemër në repertorin tënd muzikor, pa dashur të bëjmë diferencime ndërmjet krijimtarive të tua muzikore?
Enca: Ahh këngët e mia i kam njëlloj sikur t’i kem fëmijët e mi ndaj nuk do të doja të diferencoja, në humorë apo situata të ndryshme me pëlqejnë këngë të ndryshme…Megjithatë faktet tregojnë se këngët e mia më të fundit janë me të preferuarat nga publiku,dhe premtimi im është se çdo këngë e re do të jetë më e mirë se e mëparshmja
“Femra”: Sa e njëjtë apo e ndryshme shfaqet Enca në këngët e saj dhe cila është spuntoja kryesore në realizimin e një kënge?
Enca: Shumica e këngëve të mia janë të ndryshme nga njëra tjetra si në stil ashtu dhe në paraqitje, me pëlqen të jem gjithmonë “fresh” për publikun…Zakonisht unë e kam një inspirim apo ide për këngën e radhës megjithatë ndodh shpesh të me ofrojnë këngë kompozitore të ndryshëm , dhe në rastet ku mua me pëlqejnë materialet, i punojmë bashkë për të arritur ne një produkt final
“Femra”: Cilat janë planet tua për vitin 2014?
Enca: Siç e përmenda kam disa këngë shumë të bukura,të cilat i planifikoj t’i publikoj të shoqëruara me klipe.
“Femra”: Cila është kënga që ka marr më së shumti klikime, nga dëgjuesit?
Enca: Mesa duket kënga ime më e suksesshme është “Jepe Tash” edhe të them të drejtën më vjen shumë mirë për këtë sepse është kënga të cilën unë e projektova që prej fillimit,u realizua ashtu siç e doja unë nga fillimi në fund…Për suksesin e kësaj kënge sigurisht dua të falënderoj dhe ZzapnChriss, producentët e saj.
“Femra”: Sa e vlerësuar ndihesh nga publiku që të vlerëson dhe të suporton në mënyrë të vazhdueshme?
Enca: Është vlerësimi më i madh për një artist, është një fakt që më bën shumë të lumtur. Ata më japin mbështetjen dhe dashurinë e tyre unë ua kthej me muzikë të mirë.
“Femra”: Të ndalemi paksa tek sfera emocionale. Kush është Enca jashtë botës së muzikës?
Enca: Tiparet kryesore që më kanë karakterizuar gjithmonë janë se jam shumë e ndjeshme,e dashur,e guximshme,e komunikueshme, shumë ekspresive, e drejte(duke qenë se jam edhe peshorja në horoskop ha ha ha, qesh) por mund të jem edhe shumërebele në momente të caktuara..
“Femra”: Kush e përbën familjen tuaj?
Enca: Familja ime përbëhet nga prindërit dhe motra ime e vogël,Uindi…
“Femra”: Cili është ai fatlum që e ka fituar zemrën tënde?
Enca: Ende nuk është gjetur ha-ha-ha-ha (qesh).
“Femra”: Merret me diçka tjetër Enca përpos muzikës?
Enca: Po, kam filluar Studimet në Universitetin Evropian të Tiranës për marrëdhënie me publik dhe komunikim…Është një degë që e kam dashur gjithmonë dhe që në të ardhmen e shoh të lidhur ngushtë me muzikën.
“Femra”: Sa është e lehtë të menaxhosh famën?
Enca: Për persona të ndryshëm ndoshta është ndryshe…Megjithatë unë jam tip që di ta kontrolloj veten dhe të mbaj balancat (sepse jam peshore në horoskop ha-ha-ha qesh).
“Femra”: Na tregoni një storie ose ndodhi që nuk do ta harroni kurrë që ju ka ndodhur në skenë apo diku tjetër?
Enca: Kam histori të mira dhe histori të sikletshme në skenë…njëra prej tyre ka qenë kur më është dashur të performoja live në një televizion me temperature 39 e gjysmë … Ndërsa historitë e bukura lidhen me reagimet e fansave dhe objekte të ndryshme madje edhe të çuditshme që më kanë dhuruar.
“Femra”: Dhe krejt për fund nëse kemi harruar të ju pyesim diçka?
Enca: Thjesht doja të falënderoja nga zemra gjithë njerëzit dashamires ndaj meje dhe muzikës sime në Diasporë…ju kam shumë xhan!
Leave a Reply