Babai i Rita Orës: Meraku që kemi mbi suksesin e vajzës sonë
Biznesi i muzikës është ndoshta nga më fitimprurësit sot për sot në të gjithë botën. Të jesh pjesë e këtyre ingranazheve kaq të sofistikuara të një industrie që lëvron miliona dollarë në vit, padyshim që duhet të kesh jo vetëm talent por edhe lidhjet e njohura, nëse do t’i quajmë kështu. Deri tani asnjë shqiptar apo shqiptare nuk ka kaluar caqet për t’u krahasuar me emra të mëdhenj, të jetë pjesë e së njëjtës botë, të cilën ne në Shqipëri e shohim vetëm nëpërmjet ekranit dhe videove. Por fati e solli që ne tani të krenohemi me shqiptaren tonë.
Bëhet fjalë për Rita Orën, shqiptaren e rritur në Londër, e cila është drejt majave. E këtë përcaktim nuk e kemi bërë ne të parët në mediat tona, po pikërisht ato britanike. Ato e kanë krahasuar atë me Rihannën, e po të kemi parasysh që këngët ia bën Jay-Z (është nën menaxhimin e tij), ngjitja e saj mund të themi se është e garantuar. Rita Ora është ylli më i ri i muzikës botërore dhe është shqiptare. Këngët e saj “Hot Right Now” dhe R.I.P kanë qenë në krye të klasifikimeve britanike. Ne kemi mundur të flasim me babin e saj, Z. Besnik Sahatçiu, për të mësuar pak më shumë për jetën e saj. Si është Rita dhe si arriti ajo të lançohet kaq shpejt si një rivale e Rihannës amerikane… Fëmijëria e saj, shkollimi dhe hobit që kishte fëmijë dhe lidhjet me familjen. Si po e përjetojnë prindërit famën e së bijës, dhe lidhjet me familjen, e cila përbëhet prej 5 anëtarësh. Rita, motra e saj, Elena dhe vëllai më i vogli, Doni.
Z.Besnik, së pari mund të na thoni prej sa kohësh jetoni në Londër me familjen tuaj dhe sa anëtarë ka ajo?
Përshëndetje, Jonida! Në Londër jetojmë qysh nga viti 1991. Fillimisht isha unë, bashkëshortja ime, Vera; vajza jonë e madhe, Elena dhe Rita. Në vitin 1997 lindi edhe djali ynë, Doni.
Përse keni vendosur të jetoni në Londër dhe si është jeta juaj dhe e familjes suaj aty?
Duke qenë se pata përfunduar studimet e larta në Universitetin Filozofik të Prishtinës, dega Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Londra, si metropoli botëror ku flitet kjo gjuhë dhe është vendi ku zhvillohen të gjitha veprimtaritë e jetës në nivel të lartë, më tërhoqi. Aq më tepër që edhe im atë, Besim Sahatçiu, intelektual dhe regjisori i parë dhe më i njohuri në Kosovë, ndikoi në këtë drejtim.
Vajza juaj, Rita Ora është drejt majave të suksesit aktualisht dhe ne ndihemi krenarë që ajo është shqiptare. A mund të na thoni pak si ka qenë Rita e vogël?
Qysh në fëmijërinë e hershme, Rita dëshmoi se i pëlqente arti muzikor dhe skenik. Ajo filloi të këndonte në korin e shkollës dhe të luante në pjesë të ndryshme teatrore, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Ndiqte me kureshtje e kënaqësi të veçantë emisionet televizive, sidomos ato kulturore dhe përpiqej të imitonte lojën e aktorëve dhe lëvizjet e këngëtarëve e artistëve në përgjithësi.
Kur e keni parë ju talentin e saj për muzikën?
Duke i parë këto prirje të Ritës, unë dhe bashkëshortja ime Vera, mjeke, me sugjerimin e tim eti, njeriut të filmit, vendosëm t’ia mundësojmë shkollimin në një ndër shkollat më prestigjioze të Londrës për muzikë, film dhe teatër. Aty kriteret e pranimit ishin tepër rigoroze, ku duhej të jepej një provim që përcaktonte nëse nxënësi kishte ose jo talentin e nevojshëm. Shkolla për të cilën po flasim quhet “Sylvia Joung Theatre School”. Gjatë viteve të shkollimit, Rita interpretoi në BBC në teledramën “The Brief” dhe në filmin artistik “Spivs”.
A ka në familjen tuaj dikë tjetër që këndon?
Në familjen tonë vetëm im atë, Besimi, në rininë e vet pëlqente muzikën dhe këndonte me kitarë dhe fizarmonikë. Nga ana tjetër, edhe unë, prej vitesh kam pasur dhe e pasuroj vazhdimisht një koleksion të muzikës botërore, të cilin Rita e ka përdorur gjatë kohës.
Kë ka dobësi Rita nga anëtarët e familjes suaj? Me kë është më e lidhur?
Rita është e afrueshme me të gjithë pjesëtarë e familjes, por në veçanti me mua.
A shkon shpesh Rita në Kosovë? Çfarë lidhjesh mban ajo me vendin e lindjes?
Zakonisht, Rita ka shkuar me familjen në Kosovë për pushime shkollore çdo vit.
Si ndiheni tani që ajo është bërë e famshme z. Besnik? Si po e përjetoni suksesin e saj?
Ndjehemi tepër të lumtur që suksesin e saj e përjetojmë së bashku me shqiptarët e kudondodhur.
Bashkëshortja juaj, nëna e Ritës, çfarë meraku ka për vajzën e saj tani që quhet një yll i ri në ngjitje? A ka ndonjë gjë që e shqetëson?
Bashkëshortja ime është krenare për arritjet e shënuara nga Rita. Meraku dhe shqetësimet e saj janë si të çdo nëne.
Në botën e famës dihet që ka edhe shumë risqe, t’i quajmë kështu. Ia keni frikën kësaj gjëje tek vajza juaj?
Sigurisht!
Së fundi dua të bëj një falenderim për zotin Kopi Kyçyku, i cili pati mirësinë të më ndihmonte në përgjigjen e pyetjeve.
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply