TË NDERUARA NËNA DHE BABALLARË, TË NDERUAR MËSIMDHËNËS, DHE JU, FËMIJË QË NESËR DO TË JENI E ARDHMJA E KËTIJ VENDI!
Sot nuk po ju drejtohem për të gjykuar askënd. Po ju drejtohem si nënë, si mësuese, si pedagoge si menaxhere, si administratore, si udhëheqëse, si kordinatore cilësie, dhe si një njeri që beson se fëmijëria është gjëja më e shtrenjtë që kemi dhe se edukimi nuk është një lojë që mund ta marrim lehtë.
Po ju drejtohem sepse jam e shqetësuar.
Që nga viti 2010, Halloween-i është bërë gjithnjë e më i pranishëm në hapësirat tona: në shtëpitë tona, në shkollat tona dhe në qendrat tregtare. E këto ditë, kur hyj nëpër dyqane, shoh sektorë të tërë të mbushur me figura vampirësh, shtrigash, skeletesh, maska të frikshme dhe zbukurime që e kthejnë frikën në argëtim e errësirën në dekor.
Por ajo që më shqetëson më shumë nuk janë raftet e dyqaneve.
Më shqetëson ajo që ne, të rriturit, po vendosim në mendjen dhe në zemrën e fëmijës.
Shoh nëna e baballarë që i afrohen këtyre sektorëve me entuziazëm, që shpenzojnë para për maska, kostume e sende të përkohshme, pa u ndalur një çast të pyesin veten:
Çfarë po i mësoj fëmijës tim? Çfarë po kultivoj brenda tij? Çfarë vlere po i përcjell?
Nuk po them se një kostum e përcakton karakterin e një fëmije. Nuk po them as se çdo familje që e feston këtë ditë ka qëllime të këqija. Por po them se ne duhet të kemi guximin të mendojmë përtej modës, reklamës dhe dëshirës për t’u dukur si të tjerët.
Sepse jo çdo gjë që vjen nga jashtë është përparim. Jo çdo gjë që shitet në treg është e dobishme. Dhe jo çdo gjë që bëhet modë duhet të bëhet pjesë e edukimit të fëmijëve tanë.
O prindër të dashur!
Kur hyni në dyqan dhe e sheh fëmijën duke të kërkuar një maskë vampiri, një kostum të frikshëm apo një zbukurim që nesër do të përfundojë në mbeturina, ndalu për një çast!
Mos e pyet vetëm veten: “Sa kushton?”
Pyete veten: “Çfarë vlere ka?”
A e di sa shumë mund të bësh me ato para?
Një laps për dorën që mëson të shkruajë.
Një gomë për gabimet që fëmija duhet të mësojë t’i korrigjojë.
Një fletore ku ai do t’i hedhë ëndrrat e veta.
Një libër që mund t’ia hapë një botë të tërë.
Një shishe ujë, një ushqim i shëndetshëm dhe kujdesi që i nevojitet gjatë ditës shkollore.
A e kuptoni o prindër se çfarë pasurie mund t’i japësh fëmijës tënd?
Nuk është çështja të mos i blesh asgjë fëmijës. Është çështja të mos e mësosh se çdo dëshirë duhet plotësuar, se çdo reklamë duhet ndjekur dhe se lumturia blihet me sende që nesër nuk do t’i kujtojë më.
Mos e mat dashurinë tënde me çantat e mbushura nga dyqani. Mate me vlerat që ia mbush zemrën.
Kur blen një libër, i jep një mundësi të re.
Kur e mëson të lexojë, i jep një pasuri që nuk i merret lehtë.
Kur e mëson të dallojë të mirën nga e dëmshmja, po e përgatit për jetën.
E kur hyn në sektorin e librave, mos ia thuaj gjithmonë: “Jo, nuk kemi para për këtë!”
Ndoshta një ditë, pikërisht ai libër që nuk ia bleve, do të ishte dhurata më e mirë për të ardhmen e tij.
~ O prindër, a e di se fëmija të vëzhgon edhe kur mendon se nuk po të sheh?
— E di.
— A e di se ai mëson nga ajo që ti blen, nga ajo që ti lavdëron dhe nga ajo që ti e quan argëtim?
— E di.
— Atëherë, pse nuk ndalesh të mendosh para se t’ia bësh çdo modë pjesë të fëmijërisë?
— Sepse dua ta gëzoj.
— Por a e di se mund ta gëzosh edhe me një përrallë, me një lojë edukative, me një shëtitje në natyrë, me një vizatim të gjetheve të vjeshtës, me një libër të bukur dhe me kohën që ia kushton?
Fëmija nuk ka nevojë të bëhet kopje e botës që e rrethon. Ai ka nevojë të rritet duke kuptuar botën, duke menduar për të dhe duke zgjedhur me vetëdije.
THIRRJE PËR MËSIMDHËNËSIT
Të nderuar kolegë e kolege!
Shkolla nuk është vetëm ndërtesë. Shkolla është institucion i dijes, i formimit dhe i edukimit.
Prandaj, para se të krijojmë kënde me vampirë, skelete, shtriga e simbole të frikshme, le të mendojmë: çfarë mesazhi duam t’u japim nxënësve tanë?
A mund ta shndërrojmë vjeshtën në një mësim të bukur për natyrën, ngjyrat, gjethet, frutat, riciklimin, krijimtarinë dhe kujdesin për mjedisin?
A mund të krijojmë kënde leximi, ekspozita punimesh, lojëra logjike, punë dore dhe aktivitete që zhvillojnë imagjinatën pa e bërë frikën qendrën e argëtimit?
Sigurisht që mundemi!
Nuk po kërkoj që fëmijët të rriten pa njohur kultura të tjera. Përkundrazi, ata duhet të mësojnë, të pyesin, të hulumtojnë dhe të kuptojnë dallimet kulturore. Por njohja e një tradite nuk do të thotë se duhet ta përvetësojmë verbërisht atë.
Mësimdhënësi nuk është vetëm organizator aktivitetesh. Ai është edukator, model dhe përgjegjës për mënyrën se si i ndërton përvojat mësimore.
Le t’i përdorim aftësitë tona pedagogjike për të mbjellë dije, jo vetëm për të krijuar fotografi për rrjetet sociale.
MESAZHI PËR FËMIJËT TANË
Të dashur fëmijë!
Ju nuk keni nevojë të vishni një maskë për të qenë interesantë.
Nuk keni nevojë të dukeni të frikshëm për të qenë të guximshëm.
Nuk keni nevojë të ndiqni çdo modë për të qenë të pranuar.
Guximi nuk është të dukesh si një përbindësh. Guximi është të mbrosh shokun që ngacmohet. Është të thuash të vërtetën. Është të pranosh gabimin. Është të ndihmosh dikë që ka nevojë.
Bukuria nuk është te maska që e fsheh fytyrën, por te karakteri që nuk e fsheh të vërtetën.
Në vend që ta mbushni kohën me gjëra që nesër harrohen, mbusheni me dije, miqësi, respekt, kreativitet dhe ëndrra.
Sepse bota ka mjaft errësirë. Ajo ka nevojë për fëmijë që rriten me dritë në mendje dhe mirësi në zemër.
Të nderuara nëna e baballarë!
Kur ta merrni këtë mesazh, mos e shihni si sulm ndaj jush. Shiheni si një ftesë për reflektim.
Unë nuk dua t’ia ndaloj askujt të mendojë ndryshe. Dua vetëm që, përpara se të vendosim një traditë të re në jetën e fëmijëve tanë, të ndalemi e të pyesim nëse ajo përputhet me vlerat që duam t’ua mësojmë.
Nuk dua që fëmijët të rriten me frikë nga dallimet. Dua që ata të mësojnë të kuptojnë, të respektojnë dhe të zgjedhin me vetëdije.
Por dua edhe që ne, si prindër, mësimdhënës e shoqëri, të mos e harrojmë përgjegjësinë tonë.
Sepse një fëmijë nuk edukohet vetëm me atë që i themi. Edukohet me atë që i blejmë, me atë që ia lejojmë, me atë që ia promovojmë dhe me atë që ia bëjmë shembull.
O prind, para se t’ia blesh një maskë, bleja një libër. Para se ta mësosh ta ndjekë një modë, mësoje të mendojë. Para se t’ia mbushësh duart me sende, mbushja mendjen me dije dhe zemrën me mirësi.
O mësimdhënës, para se ta zbukurosh klasën, mendo çfarë mesazhi do të mbetet në mendjen e nxënësit kur zbukurimet të hiqen.
O shoqëri, mos e ngatërro përparimin me imitimin, as lirinë me mungesën e reflektimit.
Fëmijët tanë nuk janë projekte të rrjeteve sociale. Nuk janë konsumatorë të vegjël që duhet t’i ndjekin të gjitha reklamat. Ata janë njerëz në formim, me mendje që mëson dhe me zemra që ndikohen nga shembujt tanë.
Dhe nëse vërtet i duam, le t’ua dëshmojmë dashurinë me zgjedhjet tona.
Nuk po kërkoj të krijojmë armiqësi ndaj askujt. Po kërkoj të krijojmë vetëdije.
Nuk po kërkoj t’ua mbyllim fëmijëve dritaren drejt botës. Po kërkoj t’ua mësojmë të shohin përmes saj me mendje të kthjellët.
Dhe, ju lutem, mos harroni: një fëmijë është shumë më tepër se një kostum, një maskë apo një fotografi që merr pëlqime.
Ai është e ardhmja e familjes, e shkollës, e lagjes, e fshatit, e qytetit dhe e shoqërisë sonë.
Mos i mësoni fëmijët të blejnë gjithçka që u ofron bota. Mësojini të zgjedhin atë që u bën mirë.
Sepse ajo që sot e quajmë një lojë të vogël, nesër mund të bëhet një zakon; ajo që sot e promovojmë pa menduar, nesër mund të bëhet një normë.
Dhe kur të vijë ajo ditë, nuk do të kemi të drejtë të pyesim vetëm: “Kush ua mësoi fëmijëve këtë?”
Duhet të kemi guximin të pyesim edhe veten:
“Çfarë u mësuam ne, me shembullin tonë?”
Me respekt për çdo prind, çdo mësimdhënës dhe çdo fëmijë, por me përgjegjësi të plotë për vlerat që dua t’i mbroj,
Ardita Brahimi Idrizi
Nënë • Mësuese • Menaxhere • Administratore • Udhëheqëse • Pedagoge Sociale • Pedagoge e Përgjithshme • Koordinatore e Cilësisë
Një thirrje për reflektim. Një zë për fëmijërinë. Një përgjegjësi për të ardhmen.
Burimi/Facebook


Leave a Reply