Ekziston një hapësirë dhe kohë për gjithçka; dy të dashuruar, brenda mureve të dhomës së tyre private, kanë lirinë të përdorin çdo lloj fjalori, por media nuk është dhomë gjumi.
Nga: Rexhail Ramadani
Një nga treguesit më alarmantë të regresit të një shoqërie është degradimi i hapësirës së saj mediatike. Kur ndjekim programet që transmetohen sot, përballemi me një realitet tronditës: ekranet tona janë shndërruar në tribuna ku promovohet padituria dhe ku ftohen individë që nuk zotërojnë asnjë njohuri elementare, e mbi të gjitha, asnjë lloj turpi apo respekti ndaj publikut. Ka lindur një prirje shqetësuese ku të rinjtë ftohen nëpër studio televizive për të diskutuar ekskluzivisht mbi anatominë dhe organet gjenitale. Këta individë, me një krenari naive, hiqen si të civilizuar dhe modernë, pa e kuptuar se injoranca dhe edukata e tyre e nivelit të ulët nuk kanë asnjë lidhje me qytetërimin.
Civilizimi, në thelbin e tij filozofik, është masa ku njeriu i dallon qartë gjërat që i përkasin publikut nga ato që i takojnë sferës private. Vetëm në xhungël njeriu mund të shëtiste i zhveshur, duke mbuluar trupin vetëm me një fletë para e mbrapa. Sot, zhveshja e fjalorit nga çdo masë dhe kriter moral është e njëjtë me zhveshjen fizike në mes të rrugës. Paturpësia nuk është shenjë emancipimi, por primitivizëm. Ekziston një hapësirë dhe kohë për gjithçka; dy të dashuruar, brenda mureve të dhomës së tyre private, kanë lirinë të përdorin çdo lloj fjalori, por media nuk është dhomë gjumi. Media është institucion që duhet të udhëhiqet nga kritere rigoroze etike dhe estetike. Është mjerim kulturor që redaktorët dhe drejtuesit e këtyre emisioneve e shesin vulgaritetin si një “trend” bashkëkohor.
Ky improvizim dhe kjo rënie e standardeve vërehet edhe në trajtimin e temave të rëndësisë kombëtare. Në të njëjtat studio thërriten pseudo-analistë për të folur mbi luftën dhe politikën, pa pasur asnjë ekspertizë të mirëfilltë. Jetojmë në një kohë ku individë, thjesht sepse kanë qenë aktivistë të çajtoreve, marrin guximin që në emër të luftës apo kauzave të mëdha të vetëshpallen shkrimtarë, profesorë apo aktorë, pa pasur asnjë vlerë reale akademike apo artistike. Ky keqpërdorim i historisë për përfitime personale vetëm sa e thellon krizën e meritokracisë. Portalet dhe mediat tona sot e kanë ngritur banalitetin në nivelin e një standardi zyrtar.
Shtrimi i pyetjes bëhet i pashmangshëm: a kanë kryer ndonjë fakultet të mirëfilltë këta njerëz që drejtojnë këto media, apo institucionet tona janë mbytur nga diplomat e blera? Një redaktor me shkollim të vërtetë dhe kulturë të gjerë (Allgemeinbildung) do të ndiente përgjegjësi intelektuale përpara se t’i ofronte publikut një përmbajtje të tillë degjeneruese. Ku janë sot sociologët, akademikët dhe kritikët e kulturës? Pse po heshtin përballë këtij kaosi? A ka mbetur më kritikë të vërtetë në këtë shoqëri, apo zëri i arsyes ka heshtur plotësisht? Mbrojtja e sferës publike nga provincializmi dhe banaliteti është detyrë e çdo intelektuali që refuzon të pranojë xhunglën si standard të jetës sonë kulturore.
Burimi/Facebook


Leave a Reply