Në ndërgjegjen kolektive ekziston një bindje pothuajse e pakontestueshme se falja përfaqëson kulmin e pjekurisë morale. Na është mësuar se njeriu i mirë fal, se zemra e madhe harron dhe se pajtimi me ata që na kanë lënduar është rruga më e sigurt drejt paqes së brendshme. Megjithatë, kjo ide, sado fisnike të tingëllojë, fsheh një rrezik të madh: shndërrimin e faljes nga një akt i lirë i shpirtit, një rezultat do të thoja, në një detyrim moral.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i këtij reflektimi: njeriu, sipas meje, nuk i detyrohet askujt falje. Falja nuk është borxh ndaj familjes, fesë, traditës apo pritshmërive shoqërore. Ajo është një mundësi njerëzore, një rezultat i mundshëm i shërimit, por kurrsesi një kusht për të qenë i denjë, i moralshëm apo i plotësuar si individ.
Pak kohë më parë, në një bisedë mes disa grave, dëgjova rrëfimin e një jete të përshkuar nga vuajtja. Ishte historia e një martese të mbushur me dhunë fizike e psikologjike, e një divorci të vështirë dhe e një vetmie të thellë pas ndarjes. Por plagën më të madhe nuk ia kishte shkaktuar vetëm bashkëshorti. Ajo vinte nga ata që duhej të ishin streha: familja. Në momentet kur kishte pasur më shumë nevojë për mbështetje, ishte përballur me indiferencë, heshtje dhe braktisje.
“Nuk arrij t’i fal,” tha ajo.
Përgjigjja ime ishte e menjëhershme, instiktive: Po pse duhet t’i falësh? Ti nuk je e detyruar ta bësh.
Nëse njerëzit që kishin përgjegjësinë morale për të të mbrojtur kanë zgjedhur të mos jenë pranë teje, pse falja duhet të konsiderohet një detyrim? Përse dhimbja e shkaktuar prej tyre duhet të kalojë domosdoshmërisht përmes filtrit të faljes që të konsiderohet e kapërcyer?
Kjo pyetje hasi menjëherë kundërshtim. U quajta dhe “katile” se shpreha sakaq por nuk u indinjova. 🙂
Dikush e barazoi mosfaljen me ligësinë dhe faljen me çlirimin e shpirtit. Dhe pikërisht aty kuptova sa e rrënjosur është në kulturën tonë ideja se falja nuk është zgjedhje, por detyrë.
Në shoqërinë shqiptare, familja gëzon një status pothuajse të shenjtë. Që në fëmijëri mësohemi se lidhjet e gjakut duhet të ruhen me çdo kusht, se prindërit duhen respektuar pa kushte dhe se familja mbetet gjithmonë familje, pavarësisht plagëve që mund të shkaktojë. Këto janë vlera të vyera kur shërbejnë si burim dashurie dhe mbështetjeje. Problemi lind kur ato përdoren për të justifikuar padrejtësinë ose për t’i kërkuar viktimës të heshtë dhimbjen e saj/tij.
Edhe tradita fetare e lartëson faljen si virtyt. Në esencën e saj kjo është një ide fisnike. Por një virtyt humbet autenticitetin e vet kur ushtrohet nga frika, faji apo presioni moral. Një njeri që fal vetëm sepse ka frikë të mos konsiderohet zemërngushtë, mëkatar apo i pamoralshëm, nuk po fal në të vërtetë. Ai thjesht po i nënshtrohet një norme.
Ajo që shpesh neglizhojmë është realiteti i traumës. Trauma nuk është një kujtim i largët që zbehet me kalimin e kohës. Ajo transformon mënyrën se si individi përjeton veten, tjetrin dhe botën. Ajo jeton në trup, në ankth, në vigjilencën e vazhdueshme, në mosbesim, në trishtim e madje në depresion. Për këtë arsye, t’i kërkosh një personi të traumatizuar të falë menjëherë është po aq absurde sa t’i kërkosh dikujt me një plagë të hapur të vrapojë.
Falja autentike nuk lind nga imponimi. Ajo lind kur njeriu ka pasur kohë të përballet me plagën e vet, ta kuptojë, ta pranojë dhe ta integrojë në historinë e jetës së tij. Për disa, ky proces përfundon me falje. Për të tjerë, jo. Dhe asnjëra prej këtyre rrugëve nuk e bën njeriun më pak të vlefshëm.
Një nga keqkuptimet më të zakonshme është identifikimi i mosfaljes me urrejtjen. Në të vërtetë, këto janë dy gjendje krejt të ndryshme. Mund të mos falësh dhe megjithatë të mos ushqesh dëshirë për hakmarrje. Mund të mos harrosh dhe prapëseprapë të jetosh në paqe. Mund të pranosh se një plagë ekziston pa e kthyer atë në burim helmimi për jetën tënde. POR nëse shumë keq të është shkaktuar ke të drejtën legjitime të urresh. Nuk është normale kur e bën pa motiv por në të kundërt është në të drejtën e njeriut.
Madje, besoj, se falja e imponuar shndërrohet në një formë të mohimit të vetes. Kur njeriu fal për hir të pritshmërive të të tjerëve, rrezikon të heshtë të vërtetën e përvojës së tij. Ai rehabiliton autorin e plagës përpara se të dëgjojë nevojat e shpirtit të vet. Dhe ky nuk është shërim; është vetëm një tjetër formë e heshtjes.
Falja ka vlerë vetëm kur është e lirë. Vetëm kur vjen natyrshëm si rezultat i një procesi të brendshëm dhe jo si produkt i presionit social, kulturor, fetar apo autoritar. Askush nuk duhet të ndihet fajtor sepse nuk është ende gati të falë. Dashuria për veten fillon pikërisht aty ku njeriu i jep vetes të drejtën të mos mohojë dhimbjen e tij.
Prandaj, falja është një mundësi e shërimit, jo kushti i tij. Kur vjen, është një dhuratë e ndërgjegjes. Kur nuk vjen, nuk është dështim moral. Sepse dinjiteti i njeriut nuk matet me aftësinë për të falur çdo gjë, por me guximin për të qenë i ndershëm me të vërtetën e vet. Ndonjëherë akti më i lartë i pjekurisë nuk është falja, por pranimi i sinqertë se plagët kanë nevojë ende për kohë. Dhe në këtë pranueshmëri nuk ka ligësi. Ka vetëm njerëzi.
JD 28.08.2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply