Nga Namik SELMANI
Në vend të një mirënjohjeje publike për këngëtarët e shquar dibranë
Meditim për këngën “O moj Fushë e Korabit”
Unë kam qenë në Korab me Kalin e Ëndrrës. Kam jetuar në stanet e Korabit më stanarët, mbase duke kënduar atë kangën “Hajredin Pasha” që mund ta quajnë “pasaporta e të gjithë dibranëve’ që i trand kullat, gëzimet, dasmat e dibranëve në Shqipëri e në botë. Mbase edhe duke i ndihmuar pak në shtrungë për të mjelë delet. Duke ia dëgjuar tingujt e fyejve e të kavallëve që i kishin me vete bashkë me trastën e bukës.
Unë i kam takuar druvarët e Korabit dhe ata më kanë treguar për lulet e livadheve për borën e majave të tij, si bora e Sharrit, e Tomorit, e Shpiragut, e Jezercës apo të Çikës tej në Kurvelesh të Çamërisë që ngjajnë bash si shamitë e bardha në kokët e thinjura të nënave dibrane ashtu si dhe të nënave ëame diku në Ninatin tim të largët apo në brigjet ullishtore të Margëllëçit e të Filatit.
“Më jep një këngë që të të jap shpirtin e një njeriu, të një krahine, pse jo dhe të një kombi!”.
Dhe fort peshë të madhe ka marrë kënga me vete. Ka marrë përsipër që të shkruajë të gjithë shpirtërat e të të mërguarëve dhe të atyre që i kanë përcjellë. E më ka dërguar atje në atë vend ajo këngë që quhet “Moj Fusha e Korabit”. Më kanë dhënë në buzë pas asaj pasthirmën mrekullore bukuritë e livadheve, të luginave, edhe atë kryfjalë tëdhimbshme “O e mjera unë-oo” që përsëritët varg pas vargu në këngën “Moj Fushë e Korabit” Një oi e zgjatur që më zgjonte të madhin, Mjeshtrin e Madh dhe Atistin e Popullit Demir Zyko. Edhe ai e ka simfoninë e vet, po kaq sa edhe dibranët me këtë këngë. Një simfoni skraparase në pamje që dërgonte përfytërimin në një vend të quajtur Qabe. Mbase në fund të botës do të thotë dikush. Ka qenë kaq e fortë piskama e tij, sa mbase mund ta ketë dëgjuar edhe një tjetër Lulije atje në kullat që ishin sa një zë njeriu pranë Fushës së Korabit.
Një oi gjëmëmadhe që bashkonte kombin, kalatë e tij, gurrat ku pinin ujë mërgimtarët, Me një ndryshim. Demor Zyko ishte vetë mërgimtari që ishte diku në Qabe. Veglat muzikore nuk e shoqërojnë atë në atë simfoni tronditëse. Vetëm isoja njerëzore i vjen prapë si sokëllimë që vjen këtë radhë nga Tomori. Po që i ngjan kaq shumë edhe këngës “ Moj Fusha e Korabit”
Edhe kënga e Dibrës ose më mirë ta themi “kryekënga” që matet me lartësinë e Korabit 2756 metra, e ka ison e vet përcjllëse. Ndaj dhe asnjë më i moshuar se ai, ndaj dhe gurgullima malore e këngës së tij sikur na spërkat të gjithëve . Dhe kam vrapuar në këto livadhet e Dibrës, pa u ndalur, pa patur nevojë që të hipi në jelet e një kali që i hanë patkonjtë për udhë për të vrapuar, pse jo edhe për t’u ulur në gjunjë para meje si një njeri i gjallë për të më mbajtur e për të më dërguar larg, larg ku as unë nuk e di se si quhet ai vend ato korije, ato gjunjë që do të vënë njerëzit që do të takoj. Kur e dëgjoj, kur e shijoj brenda vetes, kur e vë në buzë si të ishte një lule borziloku që këtë radhë ma vënë në duar nënat fisnike dibrane, më ikin fjalët e më mbetet ajo thirrje, klithmë, bolorimë, thuhet në Çamëri, piskamë thuhet në Kosovë në Drenicë.
Moj Fushë e Korabit, o e mjera unë_o
Kush do ta dëshironte këtë thirrje-klithmë në jetën e tij? Është e tepërt të them askush, por ajo është bërë pjesë e vetvetes . Si një rrodhe që të vihet në trup dhe ti nuk e sheh nuk e heq dot.
O e mjera unë-o
Buzët dridhen. Diçka e madhe rrokulliset brenda teje më shumë se ortekët që bien në Korab e në Pikëllimë. Edhe gurët e fshehur në dëborë dridhen. Edhe filizi i barit që fle nën plisa në dëborë për të ridalë në pranverë. Lëvizin nga vendi për të shkuar diku tjetër që të mos pengojnë rrugën e mërgimtarëve që do të kalojnë këndej në pranverë.
Si quhet vajza-grua që këndon? Si quhet e dashuruara në këto bjeshkë. Aq sa e ka patur më të dëshiruarën këtë vend. E njeh pëllëmbë për pëllëmbë Fushën e Korabit. Nuk na e thotë kënga. E ç’rëndësi ka? Nuk është e vetme. Është anonimati që fshihet pas sa e sa brengave, halleve, trishtimeve.
O Fusha e Korabit, o e mjera unë-o
Mund që të ishte të gjithë emrat e vjetër e të rinj të Dibrës, por unë do ta quaja Lulije. Një lloj luleje që e gjen vetëm në Fushë të Korabit. Janë në të njëjjtën kohë dy drama, ajo e Dashurisë dhe e Mërgimit. Të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Një lule që në kohën e këngës a mbase edhe më parë donte diellin e nuk e kishte. Donte flladin e ëmbël të Korabit, por Kuçedra e Mërgimit ia kishte thithur të tërin. E ajo ishte diku mes qiellit dhe tokës si një flutur që ndalte diku në një lule të çelur, që ndalte në një pishë të blertë Korabi. E më tej nisin nëtë njëjtën kohë dy dialogje. Në fund të atyre fjalëve të pakta që thotë Lulija është ai refren klithës “O e mjera unë-oo” dhe më tej një oi e zgjatur, tejet e zgjatur. Dialogu i parë është ai me Fushën e Korabit.
Ç’të jetë ky dialog? Mos vallë nuk e di Lulija se nuk është fajtore kjo Fushë? Ky mal?
E thënë dibrançe ajo, kënga thotë “tej” ( ti) na erdhe hakut. Ai apo ajo e ndryshin fontikisht për përemrin nga ti në tej. Mjafton ky ndryshim fonetik që t’i japë asaj pasaportën më të saktë dibrane të këngës.
Po, Fusha e Korabit ia ka ndarë shtratin Lulijes. E ka ndarë pa krisma. Po, se një ditë kur ajo u bashkua me trimin e saj pa dyshim kishte mjaft krisma. Shumë do jenë hedhur edhe atje pranë Fushës së Korabit. Dhe asaj, dasmorëve me tupanë në duar me këngë në buzë, me valle të pambaruara, me plisa në kokë, me urimet në zemër e kanë parë me dashuri këtë majë, këtë fushë, duke harruar më vonë këtë çast. Duke lëshuar piskamën klithëse. Askush nuk kishte ardhur në kullë në atë odë ku ata flinin, për ta marrë trimin. Nuk i kishte thënë nënës së tij se një ditë trimi do ta linte vetëm në pleqërinë e saj të thellë.
E do ta kujtojë sa më shumë atë. Do që të mësojë diçka për të.
Për besë të urtisë dibrane, mali i Korabit nuk është askurrë më i lartë se kënga që këndohej për të “Moj fushë e Korabit” .
Ndoshta një herë në jetën e tyre pedagogjike mësuesët e gjeografisë duhet të jenë dhe pak “dibranë’ në muzikën e këngët që këndohen për të. Ose e kundërta mësuesët e muzikës që studiojnë folklorin muzikor duhet të jenë dhe pak “gjeografë dibranë” që t’i tregojnë se si është muzika e asaj krahine. Se askush nuk mund të thotë të kundërtën se kënga ngjizet në atë truall ku lind. Ashtu si bima dhe pema që nuk bëhet në çdo krahinë, në çdo klimë.
Më ndërmendet sot studiuesi me famë francez i muzikës ballkanike e në vecanti i këngës dhe valles came. Franc Jakobquhej. Këtu e vite të shkuara ai mori një grup këngëtarësh çamë dhe me viza franceze, shkoi në Greqi. Më saktë në Çamëri. Atje, mes gërmadhave, buzë Jonit, nën degët e ullinjve i kërkonte këngëtarëve që të këndonin këngët e dhimbjes së tyre, të prindërve të tyre. Dhe e kuptoi ai se ajo këngë boloritëse nuk mund të lindëte më mirë se në atë vend.
O, e mjera unë—oooo
Dhe më tej Lulija kërkon letër, kërkon zë, kërkon fytyrën, kërkon… Po ato nuk janë . I ka fshehur diku Fusha e Korabit. Nuk e di se ku i ka dërguar. Ajo është bërë vuve, memece, belbane. I ka marrë mjegulla që bie shpesh në këto shpate. I ka marrë jehona e zërave. Nëse do ndodhte çudia që ta sillte, do e vinte në arkë. Atje ku kishte vënë rrobat me ojna të nusnisë, kishte vënë xhamadanin, kishte vënë shamitë e qëndisura për merak, kishte vënë jastëkët me lule. Kishte vënë dhe ca ftonj me erë të mirë që t’ia jepte trimit nëse ai do të vinte në pranverë. Nëse do ta kishte, ajo do ta përkëdhelte me kaq mall, me kaq dashuri. Sikur të kishte pranë përkëdheljet e duarve të tij , sikur të prekte lotët e saj, pse jo dhe lotët e fshehur të trimit të saj që, kush e di se ku kalonte netët e gjata, se ku hidhte hapat në agimet.
O e mjera unë-oooooo
Dhe refreni të rrënqeth përsëri. Të godet si me hosten për të ecur drejt në parmendë, me çomangë Dhe më tej vjen pjesa e nënës. Një pjesë që lidhet me pranverën se kudo ku asht nana, ka pranverë ka përtëritje të jetës,.
Po në thelb është përtërtija e natyrës. Është koha kur duhet të vijnë ata, mërgimtarët. Të prekin qoftë edhe pak tokën, vendlindjen, të dashurën, nanan, gruan, motrat, ugaret, të shohin majat e maleve shtigjet, lesat, mullinjtë e grurit e të misrit. E nënës i mungon djali. Ah, Fushë e Korabit që ia ke mbushur magjen me grurë e ia ke shtuar pak qumësht të deleve që mrizonin në livadhe në sofrën e varfër! Tash nuk po e sjell djalin dhe nuk dihet se kur do të vijë. E i bën së gjalli një amanet, një lutje, një kërkesë. Një fjalë të nënës nuk e tret as dheu, as guri. I thotë që të marrë hua. Huaaaa?????!! Po ajo dhe vajza e dashuruar mbase nuk e dinë dhe aq mirë se fajdeja në jetë e një mërgimtari është më shumë se laku i kaut që ecën pas parmendës. Mbase edhe e dinë, por djali atje larg duhet ta dijë se kurbeti bën që të shkelet edhe dashuria e nënës edhe dashuria ndaj vajzës. Ndaj sërish klith kënga: “O e mjera unë-oooo!”
prapë na çeli thana
o mjera unë, o
te shtegu po pret nana
o mjera unë,- o
Kjo këngë-monument kaq e mirë në melodi e në varg do edhe ustallarët më të mirë. Kënga është e shtruar. Ka në të nostalgji, dashuri. Ka lutje, ka mallkim, ka vajtim. Janë fyejt dhe kavallët që e shoqërojnë për t’i dhënë sfondin e duhur këngës dhe për të mos e humbur origjinalitetin e këngës të trevës, të mesazhit që ajo jep në të gjithë kohërat.
Kënga ka prijatarët e vet zyrtarë si Liri Rasha, Vera Laçi, Saje Poleshi. Ajo ka sot realizimin edhe nga këngëtarë mjaft të njohur të kombit si Shkurte Fejza që e ka kënduar këtë këngë më 1985 kur erdhi për herë të parë në Dibër. Ka akoma dëshmitarë që kujtojnë se kur e ka kënduar këtë këngë është lotuar në skenë. Janë këngëtaret Fatmira Breçani, Remzije Osmani dhe Aurela Gaçe që i japin ngjyrime të mrekullueshme.
Në këtë varg do të shtonim Motrat Mustafa, Vjollca Buqaj, Qanije Skënder Muça, Adnan Aliu, Artur Imeraj, Bukurije Lamallari, Lulejta Krasniqi, Merjeme Kurti, Nexhip Daku dhe Osman Hasa, Salla Shahini, Mejreme Lamollari Rizvan Sinani, Argitin Dërvishi, Rexhë Jelliçi. Janë disa orkestra dibrane që e japin atë si pjesë instrumentale. Do ishte bukur që të kishim edhe një ose disa videoklipe të kësaj kënge. Disa këngë shqërohen me disa pamje të Fushës së Korabit, por nuk do të ishte keq që të kishte edhe xhirime të këngëtarëve të këtë vend. Për një perlë të tillë është më se e domosdoshme një gjë e tillë.
Kur shoh gjithë fushat e tokës sime, më vjen në buzë ai varg-Monument “O moj Fusha e Korabit
Burimi/Facebook


Leave a Reply