Në këtë promovim, pothuajse në mënyrë natyrale, u bë i dukshëm një tjetër udhëtim paralel bashkë me atë të librit. M’u bashkuan njerëz të padukshëm për shoqërinë.
Një ndër to ishte Blerina, (Art Me Dashuri) me të cilën isha njohur në korrik pasi kishim folur në telefon dhe më kishte treguar historinë e saj. I kisha premtuar se në promovimin e librit do të kishte një hapësirë për ekspozimin e artit të saj.
Pastaj, me humbjen e mamit dhe me rrugën e bashkëjetesës me mungesën e saj, e kisha lënë në një sirtar të kujtesës.
Muajin e kaluar, ndërsa po përgatitesha për promovimin e librit dhe po lexoja një postim të shkrimtarit Kel Demi për të, nuk mendova dy herë.
I shkrova:
“Kur të mundesh, më merr në telefon…”
Dhe kështu nisi njohja dhe bashkëpunimi me Blerinën.
Ndërsa për burgun e grave, prej kohësh i kërkoja Irena Toci të realizonim një promovim aty.
E them sinqerisht: procesi i autorizimit po zgjatej dhe, në disa momente, po humbja shpresën. Nuk e kuptoja as vetë këmbënguljen time për të shkuar aty. Derisa, në mes të promovimit në Tiranë, ndërsa po flisja mbi librin, më erdhi konfirmimi i takimit.
E komunikova edhe në sallë, me zë të lumtur:
“Sapo më erdhi konfirmimi — nesër do të jem në burg.”
Dhe kështu u realizua takimi me to.
Nga larg, kisha dëgjuar edhe për Loris. Për mësuesen e tij që i kishte paguar biletën që ai të merrte pjesë në olimpiadën e matematikës në Amerikë. Dëshiroja që ta takoja në promovimin e librit në Elbasan, ndaj i dërgova një ftesë:
“Do të isha me fat të ishe në promovimin e librit.”
Ai u përgjigj:
“Do të jem. E kam menduar të vij edhe unë.”
Dhe aty u takuam.
Nuk e kam mohuar që profesioni im më ka sjellë pranë njerëzve të jashtëzakonshëm. Njerëz që i kam njohur në momentet më të vështira; në luftën në mes jetës dhe vdekjes, dhe shumica prej të cilëve sot nuk janë më. E megjithatë, vazhdonin të ruanin dinjitetin, dritën dhe një qëndrueshmëri të heshtur.
E pashë këtë te Blerina, një prani e fortë, e bërë mur brenda vetes, si për të mos u rrëzuar nga pesha e dhimbjes dhe e vështirësisë.
E pashë edhe te gratë në burg. Përqafimet e tyre ishin forma lirie, që mi dhanë mua për t’i nxjerrë jashtë nga aty. Në një botë që pretendon të jetë e lirë.
Dhe Loris Qose është një tjetër histori. Një adoleshent me një ëndërr të madhe dhe një botë që hesht përballë tij.
Përpara disa ditësh më tregonte në telefon për vështirësitë që po haste me aplikimin për olimpiadën në Romë.
Aty e pyeta:
“Kush t’i ndjek procedurat online për kriteret e pranimit, si në Amerikë dhe tani në Romë?”
Ai u përgjigj thjesht:
“Vetë.”
Dhe unë jam e sigurt që Loris do të shkojë shumë larg.
Ne jemi vetëm një guriçkë e vogël në këtë botë. Por kur biem në ujë, krijojmë rrathë, dhe ato rrathë mund të zgjojnë rrathë të tjera, mund të thërrasin vëmendjen dhe të hapin sy.
Na duhen sy për të parë.
Të kalojmë por edhe të ndalemi te të padukshmit, sepse shpesh janë vetëm, dhe jashtëzakonisht të bukur.
Faleminderit të gjithëve ju që i jeni bashkuar rrathëve që po krijohen.




Burimi/Facebook


Leave a Reply