Të dhënat tregojnë rritje të vazhdueshme të emigracionit dhe tkurrje të popullsisë në vend gjatë viteve të fundit
Emigracioni shqiptar vijon të mbetet një nga fenomenet më të forta sociale të dekadës së fundit, me mbi 522 mijë qytetarë që kanë marrë shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian. Shifra pasqyron një trend të qëndrueshëm largimi nga vendi dhe integrimi në tregjet dhe shoqëritë europiane.
Vetëm gjatë vitit 2024, rreth 48.2 mijë shqiptarë kanë fituar shtetësi në BE, duke shënuar një rritje prej 8.1% krahasuar me një vit më parë. Në tre vitet e fundit, mesatarja vjetore e shtetësive të dhëna ka qenë rreth 44–45 mijë, niveli më i lartë që nga viti 2018.
Në total, që nga viti 2010, rreth 632 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportë të një vendi të BE-së, duke reflektuar një valë të vazhdueshme emigrimi që ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tkurrjen e popullsisë në Shqipëri.
Italia mbetet destinacioni kryesor për shqiptarët, me rreth 375 mijë shtetësi të dhëna ndër vite, ndërsa Greqia renditet e dyta me rreth 264 mijë. Në vitet e fundit, në rritje ka qenë edhe Germania, e cila po tërheq gjithnjë e më shumë emigrantë shqiptarë falë lehtësimit të procedurave për marrjen e shtetësisë.
Të dhënat tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes këtij fenomeni dhe rënies së popullsisë në vend, ku gjatë periudhës 2011–2023, Shqipëria ka humbur rreth 420 mijë banorë, kryesisht për shkak të emigracionit dhe uljes së lindjeve.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi të ardhmen demografike dhe ekonomike të vendit, ndërsa trendi i largimit vijon të mbetet një sfidë e madhe për politikat publike.
Burimi/valanews.al/


Leave a Reply