Drejtuar: Mediave Investigative, Emisioneve të Lajmeve dhe Opinionit Publik
Nga: Paulin Macaj (Banor i zonës/Qytetar i Shkodrës)
“HAPE GOJËN, MOS TU HAPTË MA, PARA SE NË RRJOLL TË NOLL TRAGJEDI!”
Të nderuar gazetarë,
Po ju drejtohem si zëri i një komuniteti që po mbytet në heshtje dhe padrejtësi. Prej një muaji e gjysmë, banorët e Rrjollit (Velipojë) janë nën një terror të vërtetë shtetëror. Nuk flasim këtu për politikë të ditës, por për bukën, gjakun dhe amanetin e të parëve tanë që po na grabitet para syve.
Pse po heshtet për Rrjollin?
Shohim çdo ditë se si policia, në vend që të mbrojë qytetarin, kthehet në roje të makinerive të oligarkëve. Shohim se si banorët tanë, pleq e gra, dhunohen, arrestohen dhe terrorizohen në tokën e tyre, aty ku as turku e as serbi nuk arritën t’ua merrnin pragun e shtëpisë.
Drejtësia me dy standarde:
Kur bëhet fjalë për të mbrojtur “hajnat e miliardave”, pushteti i del kundër gjykatave e drejtësisë. Por kur qytetari i thjeshtë mbron pronën e trashëguar brez pas brezi, për të ka vetëm gaz lotsjellës, shkopa gome dhe qeli.
Ky është një alarm i fundit!
Duresa jonë ka një kufi. Kur shtypet i ndershmi, lëkundet themeli i shtetit. Ne nuk duam tragjedi, ne duam drejtësi! Ne kërkojmë që shteti të hapë gojën dhe të ndalë këtë masakër mbi pronën private para se situata të dalë jashtë kontrollit.
THIRRJE PËR MEDIAT:
Ejani në Rrjoll! Shihni lotët e asaj lokeje që mbron shtëpinë. Dokumentoni terrorin që po ushtrohet mbi ne. Rrjolli është sot ndërgjegjja e kombit dhe ne nuk do të dorëzohemi pa drejtësi.
Me respekt dhe vendosmëri,
Paulin Macaj
Qytetar i Shkodrës
Burimi/Derguar nga Autori


Leave a Reply