1️⃣ Po të pish birrë, të rritet barku!
Nuk është birra ajo që të shëndosh, por fakti që, duke qenë se përmban zakonisht pak alkool (110 kalori për litër kundrejt 160 të verës së kuqe), ka prirjen të kpnsumohet në sasi të mëdha. Ata që pinë shpesh birrë kanë gjithashtu tendencën ta shoqërojnë me snack-e jo të shëndetshme: ja “thembra e Akilit” që shpjegon “barkun e madh” të “birraxhinjve”
2️⃣ Thuhet se kjo shprehje ka lindur nga fakti që gjermanët, të njohur si konsumues të “bjondeve”, janë shpesh “barkmëdhenj”. Por japonezët, gjithashtu adhurues të njohur të kësaj pijeje, nuk janë aspak të tillë.
3️⃣ Qëndrimi shumë afër televizorit dëmton sytë
Para viteve ’50, aparatet televizive mund të lëshonin rrezatim që, me kalimin e kohës, rrezikonte të krijonte probleme me shikimin.
Sot kjo thënie është e tejkaluar, sepse televizorët modernë nuk kanë më tub katodik dhe problemi i rrezatimit nuk ekziston. Megjithatë, shikimi i televizorit shumë afër dhe për një kohë të gjatë mund të shkaktojë lodhje vizuale. Nëse është një fëmijë që qëndron shumë pranë ekranit, kjo mund të jetë shenjë se ai ka tashmë nevojë për syze.
4️⃣ Supostet janë më efektivë se tabletat
Nuk është e vërtetë. Ndryshon vetëm mënyra e përthithjes, e cila e bën të preferueshme njërën ose tjetrën formë. Me të njëjtin parim aktiv, barnat në formë suposti përthithen më ngadalë nga organizmi sesa tabletat, kapsulat apo forma të tjera. Për më tepër, përthithja është vetëm e pjesshme, prandaj doza e tyre është zakonisht më e lartë.
5️⃣ Nëse ke menstruacione, nuk duhet të lahesh
Ndalime dhe kufizime si mosbërja e dushit, moslarja e flokëve apo madje moslarja e rrobave e kanë shoqëruar ciklin menstrual që nga lashtësia. Këto bestytni nuk kanë asnjë bazë shkencore: aktivitetet relaksuese ose lëvizja gjatë ciklit ndihmojnë në uljen e luhatjeve të humorit dhe shqetësimeve, si dhe favorizojnë higjienën e duhur. Mjafton të shmanget uji shumë i ftohtë.
6️⃣ Duhet të pish të paktën 8 gota ujë në ditë
Të hidratohesh është e rëndësishme, por trupi ynë e di shumë mirë si ta rregullojë këtë dhe nuk ka nevojë për rregulla të ngurta. Ne hidratohemi edhe duke ngrënë fruta e perime dhe duke pirë çaj, qumësht, çajra bimorë e kafe. Teoria e 8 gotave, e përhapur për herë të parë në vitin 1945 nga Food and Nutrition Board (SHBA), nuk mbështetet nga prova shkencore.
7️⃣ Të dogji dielli? Lyeje me gjalpë dhe ia hodhe
Në realitet, kjo nuk ka asnjë bazë mjekësore dhe, përveçse e padobishme (sepse lehtësimi zgjat pak), është edhe kundërproduktive, pasi mund të favorizojë infeksionet. Shumë më mirë është të shpëlahen djegiet me ujë të ftohtë, të përdoren pomada të posaçme ose, në raste të rënda, të shkohet në urgjencë.
8️⃣ Kërcitja e gishtave shkakton artrit
Zhurma shkaktohet nga shpërthimi i flluskave të ajrit që formohen në lëngun sinovial, i cili ushqen indet dhe lubrifikon nyjet. Studime të shumta kanë kërkuar lidhje mes këtij zakoni dhe artritit, por nuk është gjetur asnjë lidhje. Kërcitja e gishtave nuk bën as mirë, as keq. Megjithatë, ata që e bëjnë këtë në mënyrë kompulsive mund të shkaktojnë lëvizje jo normale të nyjes, që me kohë mund të çojë në inflamacion.
9️⃣ Ngrënia e karotave përmirëson shikimin natën
Vitamina A në karota është e mirë për shikimin, por sasitë që mund të konsumohen normalisht nuk bëjnë mrekulli dhe nuk na japin “superfuqi”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pilotët britanikë të RAF-it përhapën një thashethem për të fshehur përdorimin e radarit, duke thënë se shikonin mirë në errësirë falë dietës me karota. Kështu lindi miti. Dieta megjithatë është e rëndësishme për shëndetin e syve: disa karotenoide mbrojnë makulën, pjesën qendrore të retinës.
🔟 Dehja e ditës para shërohet duke pirë të nesërmen (helmi del me helm!)
Jo. Një dopio raki në mëngjes nuk të bën të ndihesh më mirë.
Alkooli ka efekt diuretik dhe vetëm sa do të të shtojë dehidratimin. Pas një dehjeje, mëlçia përpiqet të eliminojë etanolin; shtimi i mëtejshëm vetëm e përkeqëson gjendjen.
1️⃣1️⃣ Një mollë në ditë e të “shpëton” nga doktori
(An apple a day keeps the doctor away)
Mollët përmbajnë fibra dhe vitaminë C, të rëndësishme për shëndetin. Por ato nuk janë gjithçka që na nevojitet dhe, nëse sistemi imunitar kërcënohet nga viruse apo baktere, kjo zakon nuk bën diferencën.
1️⃣2️⃣ Mos dil në të ftohtë se sëmuresh
Edhe pse ftohjet dhe gripi shtohen në stinën e ftohtë, nuk është vetë i ftohti që na sëmur. Janë pasojat e tij: temperaturat e ulëta ulin mbrojtjen e mukusit në rrugët e frymëmarrjes dhe ne kalojmë më shumë kohë në ambiente të mbyllura, duke favorizuar transmetimin e patogjenëve.
1️⃣3️⃣ Analizat e gjakut bëhen gjithmonë esëll
Studime rigoroze kanë treguar se kjo nuk është gjithmonë e nevojshme. Shumë parametra mbeten të pandryshuar edhe pas ngrënies. Ndryshe është për gliceminë dhe trigliceridet, të cilat varen nga vakti i fundit. Nëse shmangni mëngjesin, mos harroni të pini ujë, çaj ose kafe pa sheqer.
1️⃣4️⃣ Rregulli i pesë sekondave
Ideja se ushqimi i rënë në tokë mund të hahet nëse mblidhet brenda 5 sekondash është një thjeshtim i tepruar. Disa baktere e kontaminojnë ushqimin në më pak se një sekondë; rëndësi kanë edhe sipërfaqja dhe lagështia.
1️⃣5️⃣ Çokollata bën keq për mëlçinë, si dhe sjell kapsllëk e puçrra
Çokollata nuk e ngadalëson zorrën; madje mund ta favorizojë tranzitin. Në sasi të vogla, çokollata e zezë mund të ketë rol mbrojtës për mëlçinë. Aknet lidhen kryesisht me hormonet. E vërtetë është që teprimi me ushqime të skuqura dhe të ëmbla dëmton lëkurën.
1️⃣6️⃣ Shumë sheqer i bën fëmijët hiperaktivë
Studime të shumta nuk kanë gjetur prova që e mbështesin këtë teori, edhe pse teprimi me sheqer është i dëmshëm. Ideja lindi nga një letër e vitit 1974, por një letër nuk ka të njëjtën vlerë shkencore si një studim i rishikuar.
1️⃣7️⃣ Nëse ha shumë spinaq, bëhesh i fortë
Spinaqi përmban hekur, por jo në sasi shumë më të mëdha se perime të tjera. Miti lindi nga një gabim shtypi në vitin 1890, ku një presje e vendosur gabim e rriti vlerën dhjetëfish. Gabimi u zbulua vonë, por Braccio di Ferro kishte pushtuar botën.
1️⃣8️⃣ Margarina është më pak e yndyrshme se gjalpi
Pothuajse të gjitha margarinat kanë përmbajtje yndyre të ngjashme me gjalpin. Avantazhi është përmbajtja më e lartë e yndyrnave të pangopura. Gjalpi është më natyral, por duhet konsumuar me shumë masë; vaji i ullirit mbetet zgjedhja më e mirë.
1️⃣9️⃣ Gërhitja është problem vetëm për ata që flenë pranë
Jo. Është edhe e rrezikshme për shëndetin e atij që gërhet. Mund të jetë shenjë e problemeve serioze si hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare, të lidhura me apnetë e gjumit.
2️⃣0️⃣ Sheqeri kafe është më i shëndetshëm se i bardhi
Jo. Të dy përmbajnë të njëjtën molekulë, saharozën. Sheqeri kafe përmban pak melasë, me sasi shumë të vogla mineralesh e vitaminash, të pamjaftueshme për ndonjë përfitim real.
2️⃣1️⃣ Vaksinat shkaktojnë autizëm
Gënjeshtra më e rrezikshme nga të gjitha. Miti lindi nga një artikull i vitit 1998 në Lancet, i firmosur nga Andrew Wakefield. Hetimet e mëvonshme e rrëzuan hipotezën dhe zbuluan konflikt të rëndë interesi. Artikulli u tërhoq dhe Wakefield u përjashtua nga Urdhri i Mjekëve.





Burimi/Facebook


Leave a Reply