Të nderuar përfaqësues të kulturës, medias, gazetarisë,
të nderuar qytetarë të thjeshtë dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive,
Është për të ardhur keq që sot, përballë një situate kaq shqetësuese në disa prej projekteve televizive më të ndjekura në vend, shumëkush zgjedh të mos shohë, të mos dëgjojë, ose më keq akoma, të bëjë sikur nuk sheh dhe nuk dëgjon.
Po i referohem konkretisht dy projekteve të Top Channel: “Për’puthen” dhe “Big Brother Albania VIP”, të cilat kanë degraduar në mënyrë alarmante nga qëllimi për të cilin supozohet se janë krijuar.
Emisioni “Për’puthen”, i transmetuar çdo ditë nga e hëna në të premte në orën 18:20 – një fashë orare ku ekrani ndiqet edhe nga fëmijë dhe adoleshentë – ka humbur çdo standard etik. Fjalori i përdorur, batutat, sjelljet dhe mesazhet e përcjella janë të një niveli që do t’i dëgjoje vetëm në ambientet më të ulëta, jo në një ekran kombëtar. Ky emision nuk përfaqëson më as njohje, as debat, as argëtim, por një realitet të shëmtuar, negativ dhe të dhunshëm verbal.
I jam drejtuar edhe AMA-s, por përgjigjja se “nuk mund të ndërhyhet në fashat e programit” është e pamjaftueshme. Askush nuk kërkon ndërhyrje në orare, por ndërhyrje kur një emision del jashtë misionit të vet, jashtë etikës dhe jashtë çdo norme shoqërore. Kur “Për’puthen” nuk është më “Për’puthen”, por një platformë fyerjesh, atëherë ndërhyrja është detyrim institucional.
Po aq shqetësuese është situata në “Big Brother Albania VIP”, i cili këtë edicion ka marrë një rrugë skandaloze. Fyerjet, bullizmi i hapur, gjuha e ndyrë dhe dhuna verbale transmetohen pa asnjë filtër. Produksioni duket se është i interesuar vetëm për klikime dhe shikueshmëri, ndërsa përgjegjësia sociale është lënë plotësisht pas dore. Bullizmi tolerohet, ofendimet normalizohen dhe krijohet përshtypja e qartë se disa persona gëzojnë mbrojtje nga produksioni.
Pyetja lind natyrshëm: ku qëndron “VIP”-i këtu? Pse individë pa asnjë kontribut publik, pa etikë dhe pa vlera shoqërore quhen “VIP”? Ndoshta ky format duhet të quhet ndryshe, sepse shumë prej këtyre personazheve sillen si njerëz të marrë nga rruga dhe të futur në një shtëpi që quhet “më e madhja e shqiptarëve”.
Akoma më shqetësuese është fakti që personazhe problematikë nga “Për’puthen”, të njohur për sjellje bullizuese dhe negative, riciklohen dhe futen në “Big Brother VIP”, duke u promovuar si figura publike.
Nuk është vonë të reagojmë. Ju që shkruani, ju që moderoni, ju që keni zë publik: flisni. Nuk mund të bëjmë strucin ndërkohë që dhuna verbale, banaliteti dhe modelet e gabuara transmetohen çdo ditë në ekrane kombëtare.
Në një vend ku krimi dhe dhuna janë tashmë plagë shoqërore, këto programe nuk duhet të shërbejnë si frymëzim negativ. Televizioni duhet të përcjellë vlera, kulturë, debat të shëndetshëm dhe mesazhe frymëzuese, jo modele rrugaçërie.
Ju lutem, merreni në konsideratë këtë letër shqetësuese, e cila nuk përfaqëson vetëm mendimin tim personal, por edhe të shumë miqve dhe qytetarëve që më shkruajnë çdo ditë të indinjuar nga ajo që shohin në këto programe.
Është koha që projektet televizive të drejtohen nga profesionistë me përgjegjësi shoqërore, jo nga amatorë të etur për klikime.
Me respekt
Luigj Shkodrani – Gazetar dhe drejtues i radios shqipe Projekt 21 – Danimarke
Danimarke me 21 janar 2026


Leave a Reply