“Tradita nuk është të adhurosh hirin por të mbash gjallë zjarrin”
Gustav Mahler-kompozitor
“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruaj libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë çfarë është dhe çfarë ishte.”
Milan Kundera-novelist
NDERTESA KU U KRIJUA SHOQËRIA “BASHKIMI” DHE VILA E TEF CURANIT
Kjo vilë ka dy rëndësi historike :
1. Aty u krijua shoqwria “Bashkimi”
2. Më vonë aty jetoi Familja Curani që duke e kthyer në një vilë moderne e bani një institucion dinjitoz, si lloj konsullate, të pritjes e përcjelljes të shumë personalitetev të vendit dhe të huaja.
Shoqëria “Bashkimi” ishte shoqëri gjuhësore –letrare e themeluar në Shkodër, në janar të v. 1899, me nismën e abatit të Mirditë Imzot Prend Doçi. Bashkëpunuan për themelimin e saj edhe At Gjergj Fishta, Dom Ndoc Nikaj, Luigj Gurakuqi, Imzot Dodë Koleci, Imzot Jak Serreqi etj. Një ndër ithtarët dhe përkrahësit e kësaj shoqërie qe edhe Faik Konica. Puna e parë e kësaj shoqërie qe hartimi i një alfabeti të shqipes me shkronja latine, në të cilën disa tinguj -fonema paraqiteshin me dyshkronjësha. Ky alfabet u përdor nga disa organe dhe shkrimtarë të dëgjuar të kohës. Shoqëria “Bashkimi” botoi 32 libra, ndër të cilët, tekste shkollore (abetare, gramatikë, libra leximi, historie, aritmetike), libra letrarë dhe libra fetarë për shkollat katolike. Botoi dhe një fjalor shqip-italisht, “Fjaluer i ri i shqypes përbam prei shoqnijet “Bashkimi” (Shkodër, 1908) me 13.798 fjalë (përfshi dhe shtesat). Në Kongresin e Manastirit (1908), Shoqëria “Bashkimi” dërgoi si përfaqësues Gj. Fishten, (që u zgjodh edhe Kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit), dhe L. Gurakuqin. Kjo shoqëri dha ndihmesë të vyer për kulturën shqiptare, duke ndikuar në zhvillimin e gjuhës, të letërsisë dhe të arsimit në gjuhën shqipe.
Vila e Tefë Curanit, ish shtëpia e Abatit të Mirditës Preng Doçi (shpallur sot Monument Kulture), ka patur relike të jashtëzakonshme.Tef Curani(1865-1941) ishte ekonomist, diplomat dhe funksionar i lartë i shtetit. Ai ishte patriot, përfaqësues i denjë i shtetit shqiptar. Gjatë v. 1923-1938 ka qenë konsull nderi i Austrisë në Shqipëri. Më 1898 botoi librin “T’nollnat e Shqypnis” me pseudonimin “Nji gegë që e don vendin e vet”. Libri që mendohet të jetë një përshtatje në gjuhën shqipe e një dorëshkrimi të Ludwig Thalloczy (Taloçi), është e para histori e Shqipërisë, që nga lashtësia deri në kohën e re e botuar në gjuhën shqipe. Libri u botua tri herë. Afro 1/5 e vëllimit të librit i kushtohet drejtpërdrejt vetëm jetës dhe veprës së Skënderbeut. Për këtë në vilen që për kohen ishte ndër më modernet në Shkodër në ballë të sallonit kishte vendosur portretin e Skënderbeut.Jo vetëm kaq por ai mbante në këtë vilë përkrenaren e Skënderbeut që shumëkush kush e vizitonte bënte foto me këto relike. Vila kishte një arredim perëndimor dhe ishte në stil barok. Ka qenë krejt ndryshe nga shtëpitë e kohës. Por të gjitha këto duhet të kenë qenë shumë të kushtueshme. Aty ruhej një karrige e Abatit, dhe sot, karriga ruhet nga familja Curani në Itali. Karrigia ka qenë një lloj froni, që mbante Abati prej detyrës që kishte. Curanët kishin koleksion armësh e shpatash, që u morën dhe u dërguan në Gjirokastër nga shteti komunist. Poltro¬nat e kësaj shtëpie – që kishte dy sallone, një për personalitetet që priste konsulli e një për miqtë – kanë qenë të kohës së Lugjit të XVI. Muret, ishin të veshura me letër, damask e të pikturuara. Vila vizitohej rregullisht nga diplomatët e huaj, pasi shërbente edhe si një “lloj” konsullate”. Në shtëpi nuk mungonin as fisnikë austro- hungarezë, klerikë të rangut të gjitha besimeve, amba¬sadorë, qeveritarë e familje në zë, miq të Tefës, të birit të tij Albertit, që ishte shkolluar në Theresianum të Vienës (i dedikuar për klasat nobile)e me pas në Bocconi të Milanos.
Sot shtrohet detyra që nga institucionet shtetërore lokale dhe qëndrore, ky monument të rikosstruktohet dhe të kthehet në një muze të Shkodrës për rëndësinë e madhe historike që mban. Mos të na ikin kjo vepër sepse nga pakujdesia u prishen shumë banesa monument kulture si ajo e Luigj Gurakuqit, Daut Boriçit, etj. dhe po na mbetet pak si trashëgim nga kultura jonë.
Fig. 1 Shtëpia e Abatit të Mirditës Preng Doçi e blerë më vonë nga Stefë Curani. Ajo sot ekziston por është në gjendje shumë të rënduar që ka nevojë për një rikonstruksion të thellë
Fig. 2. Shoqëria “Bashkimi”
Fig. 3 Stefani Curani në dhomën e pritjes së vilës së Curanëve
Fig. 4 Dy motrat Stefani dhe Silvia Curani -bijat e Stefë Curanit, në sallonin e vilës së tyre. Në ballë shihet basorelievi i Skënderbeut
Fig 5 Stefani Curani me prindërit e saj Stefë dhe Marija (Steiner) Curani me kostum kombëtar dhe përkrenaren e Skënderbeut;




Burimi/Facebook


Leave a Reply