Nga Zenepe Dibra
(Shenim shkrimin e morem nga statusi i saj në facebook dhe u kujdesem të permiresonim cilesine e fotografive të postuara nga Zonja Dibra- Rush Dragu)
VIRTUOZITETI I VIOLINISTËVE SHKODRANË NË HISTORINË E MUZIKËS SHKODRANE DHE ASAJ SHQIPTARE
(NË DITEN NDËRKOMBËTARE TË VIOLINËS)
Instrument, që hyn në grupin e veglave “kordofone” që prodhon tinguj nga lëkundja e telave. Ka një gjatësi afro 36 cm. Edhe pse familja e veglave kordofone ishin më të njohura në vendet e lindjes, më parë se sa në Europë, violina europiane është ajo e cila përdoret sot më shumë. Turqit e përshtaten violinën pas strukturës së violinës së përdorur në Itali; më vonë ky instrument u përhap në Iran; ndërsa Lindja e Mesme u njoh me te pas fushatës së Napoleonit në Egjipt. Zakonisht një orkestër e madhe simfonike ka 24 violina, të ndara në violina të para dhe të dyta dhe e para prej tyre, në krah të dirigjentit, quhet spala. Në formën e strukturën që ka sot, violina shfaqet në Itali në fillimet e shek. XVI dhe arriti përhapje e perfeksionim nga kompozitorët që shkruan për violinë, si Vivaldi, Vioti, Tartini etj. Kulmin e virtuozitetit të teknikës e arriti kompozitori e violinisti Nicolo Paganini, ndërsa si cilësi tingulli ky instrtument arriti kulmet me mjeshtrit-liutistë kremonezë Amati, Stradivari, Guarnieri, në shek. XVII-XVIII.
Nga materiale të gjetura deri më sot, mund të thuhet se violina hyri në ahengun qytetar të Shkodrës, aty rreth vitit 1825, nëpërmjet Mark Kralit, që e solli nga Berati. Në vitin 1877 ishte hapur në Shkodër një mësonjtore, ku midis veglave të tjera mësohej edhe violina e klarineta. Violina u pa nga shkodranët, një instrument mjaft i preferuar thuajse në të gjitha grupet e muzikes popullore, duke luajtur rolin kryesor në formacionet orkestrale. Këto grupe prej 4-5 instrumentash luanin në të gjitha festat dhe sidomos në dasma. Violina ose qemalja (siç i thonin ahengçitë e vjetër), vendosej përmbi gjurin e këmbës së majtë dhe tastjera e saj mbahej me gishtin e madh të dorës së majtë dhe gishtat e tjerë rrëshqitëshin mbi tasjerë duke formuar melodinë, kurse harku i violinës mbahej nga dora e djathtë. Nën influencen e kontaktit me Italinë, u bë e modës që familjet fisnike dhe borgjeze shkodrane të blinin violina në Venedik apo Tirol. Në Shkodër firma “Kaçulini”, në Shkodër, shiste violina. Bërdica ishte fshati që në v. 1842 cilësohej si vendi i 30 violinave, të përdorura në ahengun popullor. Njihen si violinistë të pare në Shkodër: Ndrek Gjon Teneqja, Ndoc Martini, Xhorxh Preçi, Jak Kakarriqi, Pjetër Boriçi, Ejll Çeka, Filip Muzhani, Kol Kodheli, Kol Lufi, Luigj Mjeda, Ded Kiri, Kin Kumria, Kol Kraja, Lush Marku, Gasper Gera, Kol Vjerdha, Beqi Behri, Cin Çarakaxhia, Latif Çaku, Gjon Shllaku, Ahmet Abdyli, Muho Cani, Palush Ashiku etj. Që në v. 1936 në Shkodër, në festa dhe gëzimet familjare, shfaqet një vajzë nga familja Kumria, Roza (Kumrija), Kodheli e cila e kishte mësuar këtë instrument në mënyrë autodidakte.
I pari shkodran që studion jashtë vendit për këtë instrument ishte Lodovik Naraçi. Më 1928 ai përfundoi Konservatorin e Vjenës, në degën e violinës, me pedagogun e dëgjuar Koçian, ndërsa në vitet 1928-1931 perfeksionohet në Konservatorin e Pragës nën drejtimin e pedagogut e violinistit të shquar çek O. Shevçik (1852-1934), që njihet si muzikanti që rinovoi tërësisht pedagogjinë për tekniken e violinës. Më 3 dhjetor 1926,Lodovik Naraçi, si student, jep në Tiranë një Koncert recital. Studentin e ri shqiptar e shoqëron në pianoforte vetë profesori austriak Emanuel Scharfberg, pedagog në Konservatorin e Vjenës. Kjo dëshmi e rallë e interpretimit muzikor shqiptar, është e para datë që kemi të dokumentuar për një koncert violinistik me muzikë klasike në Shqipëri. Me kthimin në atdhe të profesor Naraçit, të këtij violinisti e pedagogu të shquar, hyri edhe në Shqipëri shkolla më e re violinistike europiane. Lodovik Naraçi është quajtur pionieri i artit të violinës në Shqipëri
Mbas Luftës Dytë Botërore, i dyti që studjoi jashtë, në Konservatorin Çajkovski të Moskës, – ishte Pjetër Gaci, që do bëhej një ndër pedagogët shqiptarë të violinës në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, por edhe kompozitor i njohur. Ai kompozoi dhe ekzekutoi vetë “Koncert për violinë dhe orkestër”, që ishte dhe koncerti i parë shqiptar për violinë. P.G. ka kompozuar të parën baladë për violinë dhe piano dhe pjesë të tjera violinistike, por edhe opera e shumë këngë.
Para hapjes së Shkollës së Muzikës, shquhet si mësues, violinisti autodidakt Zef Alimhilli, që u mësoi me dashuri bazat e para të violinës shumë nxënësve, pjesa më e madhe e të cilëve vazhduan më tej studimet e u bënë themeli i Orkestrës Simfonike të Shtëpisë së Kulturës.
Ndër violinistët e parë profesionist në Shkodër ishte Ndoc Shllaku, një nga instrumentistët e parë e spala për disa vite në orkestrën sinfonike të qytetit. Një nga violinistëtë e shquar të qytetit të Shkodrës ishte edhe Mark Kaftalli, njëkohësisht kompozitor dhe dirigjent. Që nga viti 1958 dhe deri sa del në pension është drejtues i orkestrës së Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës.
Me hapjen e Shkollës së Muzikës (1962), u shquan për përgatitjen e violinistëve të rinjë mësuesit e violinës Ndoc Shllaku (për disa vite dhe drejtues i shkollës), Gjovalin Xhanxhafili (drejtues i sektorit të harqeve), Robert Prennushi, Henrik Darragjati, Bardhyl Piraniqi, Marije Lacaj, Merita Hoti e pastaj nxënësit e tyre: Bujar Sykja, Dorotea Miloti, Violeta Bajraktari, Valdete Hoxha, Ylli Rakipi, Suzana Nehani, Zyhdi Hoxha, Aleksandër Qyteza etj. Njëri prej tyre, Lorenc Radovani, sot me titull profesor, është një nga violinistët e shquar shqiptarë. Ai është dy herë fitues i çmimit të parë në konkurset kombëtare të interpretimit violinistik për vitet 1982 dhe 1983, si dhe fitues i çmimit “Instrumentisti i Vitit” dhënë nga Akademija “Kult” për vitin 2006.
Shumë nga violinistët që kanë nisur studimet në Shkollën Muzikës “Prenkë Jakova”, bëjnë dhe sot një jetë pedagogjike e artistike jo vetëm mbrenda vendit, por edhe jashtë, si Beniamin Guraziu, Elizabeta Qyrsaqi, Ajlinda Mataj, Franc Shestani, Ylli Rakipaj, Paç Pavaci (spala në orkestren sinfonike të Barit), Xhovana Guli, Çeçila Lacaj.
Disa nga sukseset e violinistëve shkodranë jashtëvendit mund të permendim:
Rrok Jakaj, që specializohet në Itali për violinë nën udhëheqjen e sugjerimet e profesor Bruno Pignata, që nga viti 1992 bëhet pjesë e formacioneve sinfonike ndër më prestigjozet në Shqipëri e më pas në Itali: tek Orkestra e R.T.SH., Orkestra e Operas e Baletit-Tiranë, Orkestra e RAI-Torino, Orkestra Sinfonike e Savones, Orkestra Filarmonike e Torinos, Orkestra Internacionale e Italisë, Royal Ballet i Londrës, Teatro Regio i Torinos,etej. duke pasë fatin kështu të punojë nën baketën e dirigjentëve të mëdhenj si Riccardo Muti, Giuseppe Sinopoli, Zubin Metha, Sergiu Celibidache, Eliahu Inbal, Renato Serio e Carlo Maria Giulini. Shkodra i kushton një aktivitet të përvitshëm, duke realizuar një projekt të tij. Kështu janë organizuar që nga viti 2005 gjashtë edicione Shkodra festival Jazz “Rrok Jakaj”, me pjesëmarrjen e instrumentistëve e formacioneve jazz shqiptare e të huaja.
Agustin Simoni pasi emigron në në Greqi, diplomohet me titullin e lartë Violinist i shkelqyeshëm. Punon disa vite në RTV grek, ku merr pjesë edhe në turne në Amerikën e Veriut. Nga Greqia emigron në Kanada ku arrin të inkuadrohet në orkestrën e Filarmonisë së Torontos dhe më pas pedagog në Fakultetin e Muzikës së Toronto.
Paç Pavaci, një nga artistët më të njohur shqiptarë, ka një karrierë të pasur në Evropë, SHBA dhe Azi. Ai kthehet çdo vit në Shkodër për aktivitetin kulturor Rrok Akademi. Ka performuar në sallat më të rëndësishme të koncerteve në shumë vende, duke përfshirë Gjermani, Angli dhe Kinë.
Elizabeta Qyrsaqi, mbasi emigron në Greqi, futet në Orkestrën e Harqeve të Akademisë greke- violinë e parë. Në v. 1997, është violinë e parë në grupin prej 12 virtuozësh helenë të kryesuar nga violinist i shquar grek Jani Giorgiadhi, për të shoqëruar tenorin botëror nga Argjentina, Hoze Kurra.E.Q ( Dodmasej) ka luajtur me këngëtarin- kompozitor-saksofonist Jorgo Kacaru, me qipriotin e famshëm Mario Toka, me grupin e të cilit ajo ka dhënë tri shfaqje në Qipro etj.
Eugjen Gargjola është violinist i njohur shkodran, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Mantova të Italisë. Ai emigroi në Itali në moshën 15 vjeçare, ku vijoi studimet për violinë në Konservatorin e Mantovës. Eugjeni ka shëtitur për të luajtur në violinë në 28 shtete të botës, duke fituar eksperienca të reja por dhe emocione nga publiku i huaj. Vajza e tij Cecila Lacaj, sot është spala (concert maestër) në Orkestrën San Carlo të Napolit ku jep koncerte brenda edhe jashtë Italisë si soliste.
Trashëgimia vazhdon deri në ditët e sotme: Violina e Ndoc Shllakut i dhurohet nipit të tij Eugen Gargjolës; Violina e Pjetër Gacit i dhurohet mbesës, violinistes Elizabeta Qyrsaqi; Violina e kompozitorit dhe violinistit të shquar, Mark Kaftalli, i lihet si trashëgim nipit të tij, djalit të Anton Kaftallit.
Shënim. Kjo që po postoj është vetëm histori e shkurtë e violinës në Shkodër, nuk asht përshkrim teknik apo profesional sepse unë jam jashtë profilit muzikor, por është në mirë kuptimin e muzikantëve dhe studiuesve të shtojnë, të sugjerojnë dhe të komentojnë më profesionalisht duke shtuar edhe kontributorë të tjerë në këtë zhanër muzikor.
Bibliografia: Ramadan Sokoli. Piro Miso “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë, 1991; Ramadan Sokoli “Mbi zhvillimin e instrumenteve muzikorë popullorë” tek rev. “Shkenca dhe Jeta”, nr.1, 1979; Të dhëna nga Ridvan Karakaçi.Navigim në internet
FOTO 1 Pikturë e Kel Kodhelit Roza Kodheli (Kumrija) në violinë
FOTO 2 Kursi i violinës me mësues Zef Alimhillin, Shkodër 1947. Nga e majta Pjerin Xhanxhafili, Gjovalin Lazri, Gjyli Bardhoshi, Robert Prennushi, Gjovalin Alimhilli, mësuesi i violinës, Zef Alimhilli, Mark Kaftalli, Paulin Shestani
FOTO 3 Ndoc Loro Simoni, Zef Gjon Simoni, Kolë Vjerdha i këndojnë lamit të parë.
FOTO 4 Disa nga violinistët e shquar shkodranë: Lodovik Naraçi me spotin e dhënies koncertit më 1926 , Pjetër Gaci, Ndoc Shllaku, Mark Kaftalli, Lorenc Radovani
FOTO 5Violina 200 vjeçare e Kolë Vjerdhës ruhet në arkivin e Dedë Ndrekës
FOTO 6 Violina e Ndoc Shllakut dhuruar nipit të tij Eugen Gargjolës
FOTO 7 Violina që Pjetër Gaci i dhuroi mbesës, violinistes Elizabeta Qyrsaqi;
Foto 8 Violina e kompozitorit dhe violinistit të shquar, Mark Kaftalli, i lihet si trashëgim nipit të tij, djalit Anton Kaftalli
FOTO 9 Foto e violinës së përdorur në familjen Ceka







Burimi/Facebook/AlbDreams Televizion


Leave a Reply