Ndahen nga jeta dy binjaket famoze Kessler
TË PANDARA NË JETË, TË PANDARA NË VDEKJE
Ishte vullneti i tyre: T’i thonin lamtumirë jetës dhe botës sëbashku, ashtu siç kishin ardhur sëbashku në jetë. Dy binjake gjermane, Alice e Ellen Kessler, me një jetë si në përrallë, të cilën ia kushtuan artit. Të lindura në qytetin Nerchau të Saksonisë më 20 gusht 1936, ato iu kushtuan që në fëmijëri artit të vallzimit dhe të këngës. Që në moshën 6-vjeçare u regjistruan në kurs për vallzim e pesë vjet më vonë filluan një program për adoleshentë në Teatrin e Lajpcigut. Që nga ai moment jeta e tyre do të ishte si një përrallë e bukur, prej dy binjakesh me një talent të rrallë. Nuk gabuan kurrë një tingull në këngë a një hap në vallzim e mbase asnjë hap në jetë. Lëvizje simetrike, jetë simetrike. Si të ishte njëra, që gjithçka e bënte në pasqyrë.
Në moshën 18 vjeçe, duke e ndjerë ngushticën e jetës në Gjermaninë Lindore, vendosën të arratisen dhe shkuan në Gjermaninë Perëndimore, ku u vendosën në Dusselforf. Tanimë bëhen dy yje të artit. Spostohen përkohësisht në Paris, ku bëhen pjesë e grupit “Bluebell Girls” dhe realizojnë disa filma muzikalë francezë e gjermanë.
Patën një lidhje afektive me televizionin, artin e publikun italian, që kur u paraqitën në vitin 1961 dhe morën pjesë në varietenë televizive “Kopshti i dimrit”. Më vonë në “Studio Uno”, ku në fillim sigla “Da-da-un-pa”e më vonë kënga “Nata është e shkurtër”, do të bëheshin famoze dhe ikona të personalitetit të tyre artistik. Në vitin 1965 përfaqësuan Gjermaninë në Festivalin e Këngës në Eurovision, ku u klasifikuan në vendin e tetë. Në vitin 1986, në moshën 50 vjeçare, u rikthyen në Gjermani.
Çdo hap e çdo lëvizje e zgjidhnin dhe kalkulonin bashkë. Kishin vendosur të mos krijonin familje e të mos bëheshin nëna, por t’i kushtoheshin artit të tyre të preferuar. Duket sikur edhe lidhjet afektive i kishin kalkuluar bashkërisht. Alice pati dy lidhje të tilla, një me këngëtarin Marcel Amont e një me aktorin Enrico Maria Salerno. Kurse Ellen pati një lidhje me aktorin Umberto Orsini e një me aktorin Burt Lancaster.
Kishin zgjedhur të jetonin në afërsi të Mynihut, në Bavari. Në dy apartamente që komunikonin me njëri-tjetrin. Drekën e hanin bashkë. Gatuanin herë Alice e herë Ellen.
Ishin aq të lidhura me njëra-tjetrën, sa nuk mund ta pranonin që vdekja t’i ndante. Në një intervistë të dhënë me rastin e ditëlindjes së tyre, në gushtin e vitit të kaluar, Ellen kishte deklaruar se nëqoftëse njëra prej tyre do të ishte në prag të vdekjes, do të bënin vetëvrasje të asistuar, gjë që ligji gjerman, me kushte rreptësisht të përcaktuara, e pranon, për të ikur bashkë nga jeta. Këtë e kishin konfirmuar më vonë edhe në testamentin e tyre, ku shprehnin vendimin që pas vdekjes trupat e tyre të digjeshin, hiri i trupave të vendosej në të njëjtën vazo dhe të pushonin përfundimisht në varr pranë nënës Elsa e qenit Yello. Kjo zgjedhje, sepse ato kishin patur një baba violent që nuk i kishte mbështetur kurrë në jetë.
Mbase ishte menduar të kalonin drekën e fundit bashkë, por aty i kanë dhënë fund jetës, duke injektuar medikamentin vrastar, siç thuhet se ka ndodhur. Në ora 12.00 policia i ka gjetur të vdekura në apartamentin e tyre dhe ka dhënë komunikimin, krahas hapjes formale të hetimeve rreth këtij fundi.
Ikin dy binjake, dy yje, për t’u prehur në panteonin e yjeve të artit botëror.
Ndue Lazri
Burimi/Facebook


Leave a Reply