Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta tre figurat që prej më shumë se tri dekadash rrotullohen radhazi në pushtet dhe opozitë, duke mbajtur peng fatin e këtij vendi, kanë sot një shans të fundit për t’u treguar shqiptarëve se nuk janë vetëm politikanë që mendojnë për karrigen e tyre.
Ata mund të tregojnë se të paktën një herë në jetën e tyre politike janë të gatshëm të vendosin Shqipërinë përpara vetes. Dhe kjo kauzë është e qartë, shkarkimi i Artur Metanit.
Artur Metani ka lënë drejtësinë shqiptare pa asnjë llogaridhënie, duke mbyllur sytë përballë abuzimeve të përditshme, duke lejuar që gjyqtarë e prokurorë të zvarrisin çështjet, të manipulojnë provat dhe të favorizojnë krimin, ndërsa mijëra qytetarë vuajnë padrejtësitë dhe shteti ligjor është kthyer në një fasadë të rreme.
Metani është bërë simbol i kolapsit institucional, njeriu që ka mbyllur sytë përballë abuzimeve, që ka heshtur përballë korrupsionit, që ka lejuar që drejtësia të katandiset në një rrjet të kalbur ku gjyqtarë e prokurorë bëjnë pazare në emër të ligjit.
Çdo ditë shqiptarët shohin se si hetimet zvarriten me vite, si proceset gjyqësore shtyhen pafund, si provat manipulohet, si kriminelët dalin të lirë ndërsa qytetari i thjeshtë mbahet peng. Çdo ditë qytetarët përballen me një mur të ftohtë ku ligji nuk ekziston, ku e drejta blihet e shitet, ku e ardhmja e tyre varet nga një zar i hedhur në tavolinat e korrupsionit.
Ky është realiteti i hidhur që ka prodhuar një drejtësi e kapur, një drejtësi që nuk njeh më as turp, as ndëshkim. Dhe mbi këtë realitet bie edhe përgjegjësia e plotë e Artur Metanit, i cili ka zgjedhur të jetë spektator i kolapsit, e jo mbrojtës i qytetarëve dhe ligjit.
Prandaj, Rama, Berisha dhe Meta nuk kanë më justifikime. Nëse ata nuk bien dakord për këtë akt minimal, për shkarkimin e njeriut që ka lejuar drejtësinë të fundoset, atëherë është e qartë se të tre janë bashkëfajtorë, bashkëudhëtarë në rrugën e shkatërrimit të shtetit. Dhe historia do t’i mbajë mend jo si liderë politikë, por si njerëzit që nuk bënë asgjë, as kur kishin shansin e fundit për të bërë diçka.
Kjo nuk është çështje partie, nuk është çështje fushate, nuk është çështje pushteti. Është çështje kombëtare. Sepse pa drejtësi nuk ka liri, pa drejtësi nuk ka shtet, pa drejtësi nuk ka as të ardhme për shqiptarët. Dhe qytetarët nuk do të durojnë pafund që drejtësia të jetë strehë e krimit dhe varr i shpresave të tyre.
Prandaj thirrja është e qartë, shkarkoni Artur Metanin, jepni një mesazh se ky vend ende ka një shans. Bëjeni këtë jo për veten tuaj, por për Shqipërinë. Bëjeni të paktën një herë, një të vetme herë, që qytetarët të kujtojnë se edhe ju mund t’i shërbeni vendit dhe jo vetëm vetes.
Burimi/Facebook


Leave a Reply