Shën Eufemia lindi në qytetin e Kalcedonisë afër Kostandinopolit, në një familje të dalluar dhe të pasur. Që e re mori një edukim të krishterë dhe në qytetin e saj u shqua për bukuri dhe virtyte. Si e bija e një qytetari të dalluar frekuentoi, ndoshta, një shkollë në Kalcedoni, pasi nganjëherë duket me një tunike studentore. Në kohën e Perandorisë së Dioklecianit, i cili i përndiqte të krishterët, u dënua dhe u burgos bashkë me 49 të krishterë të tjerë, sepse refuzoi t’i kushtonte një fli hyjit pagan të qytetit. U torturua në mënyra të ndryshme, mbi të gjitha pësoi torturën e rrotës masakruese dhe vdekjeprurëse. Por edhe kur pas torturës qëndroi besnike ndaj Krishtit dhe ngulte këmbë në vendimin e saj për të mos iu kushtuar fli hyjnive pagane, iu hodh luanëve në arenë. Luanët e vranë, por nuk e shqyen dhe nuk e përpinë trupin e saj duke ngjallur kështu habinë e publikut pagan të pranishëm. Ishte vetëm 15 vjeçe kur i duroi këto turtura në emër të fesë. Kjo ndodhi më 16 shtator të vitit 304. Trupi i saj u ruajt prej besimtarëve të krishterë që e kishin varrosur në një vend të sigurt në Kalcedoni. Kur u njoh dhe u pranua feja e Krishterë, në vendin e varrit të saj ata ngritën një kishë të madhe. Në këtë kishë në vitin 451 përpara trupit të saj u mbajt koncili i Kalcedonisë. Kur qyteti i Kalcedonisë u pushtua nga persianët në vitin 620, të krishterët duke pasur frikë se pushtuesit do të përdhosin reliket e Virgjëreshës së Shenjtë, e sollën Sarkofagun në Kostandinopojë, në kishën e madhe që perandori Konstandin urdhëroi të ngrihej në nder të saj. Këtu trupi i Shën Eufemisë qëndroi deri në vitin 800. Në atë kohë në Kostandinopojë mbretëronte perandori Nicefori, i cili ishte ikonoklast (armik i nderimit të figurave të shenjta). Besimtarët druheshin se edhe reliket e Shën Eufemisë do të përdhoseshin. Legjenda tregon që në një natë stuhie, sarkofagu i mermertë me trupin e martires u zhduk nga Kostandinopoja. Ndoshta peshkatarë të devotshëm e ngarkuan mbi barkat tyre me qëllim që ta çonin në një vend të sigurtë. Në të njejtin vit (800) mrekullisht, nëpërmjet detit zbarkoi (doli në breg) në Rovinjo të Kroacisë së sotme. Gjatë kësaj kohe mendohet që devocioni për Shën Eufeminë të ketë ardhur edhe në Kallmet nga misionare katolike apo priftërinj. Nuk dihet data se kur është ndërtuar kjo kishë në nder të kësaj shenjtoreje. Kisha e Shën Eufemisë përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 1343, ku Stefan Dushani e rendit në mes të kishave që i jepen Krujës. Po ashtu, në letrën që papa Innocenti VII, i drejton nga Roma, më 12 nëntor 1404, ipeshkvit të Lezhës, Andrea, i jep atij të drejtën të gëzojë edhe të ardhurat e kishës famullitare të Kallmetit, Shën Eufemisë. Tek kisha e Shën Eufemisë është gjetur një copëz afresku me pamjen e Shën Eufemisë, e cila, sipas specialistëve daton që nga shek. XII. Kjo tregon hershmërinë e kësaj kishe. Në vitin 1629, kjo kishë përmendet sërish nga ipeshkvi i Lezhës, Benedikt Orsini, i cili e rendit “Shën Eufeminë” e Kallmetit, në listën e kishave të dioqezës së Lezhës. Njëkohësisht ajo përmendet edhe në letrën e ipeshkvit të Sapës, Frang Bardhit, më 8 shkurt 1637 dhe rreth dy muaj me vonë, përsëri në një letër tjetër të po këtij ipeshkvi, më 28 maj 1637. Informacionet rreth kësaj kishe dhe gjendjes së saj janë të vazhdueshme pas këtyre viteve, pasi përmendet në të gjitha relacionet e ipeshkvijve drejtuar Propagandës Fide. Emri i kishës gjendet sot i shndërruar nga banorët në “Kisha e Shën Misë”. Për kishën Shën Eufemia në Kallmet ka shumë gojëdhëna. Një gojëdhënë tregon se kallmetorët kishin pasur dëshirë të ndërtonin një kishë në fshat. Ata kishin afruar materialet e nevojshme pranë vendit ku donin ta ndërtonin dhe të nesërmen nuk i kishin gjetur aty. Kjo ngjarje ishte përsëritur dhe kishin filluar të kërkonin se ku ishin materialet që mendonin se ua kishin vjedhur. Ato i gjetën lart në mal dhe vendosën që aty duhet ta ndërtonin kishën. Aty kishte një problem, se nuk kishte ujë, por problemi u zgjidh se nga shkëmbi mrekullisht buroi uji, një mrekulli që vazhdon deri në ditët e sotme. Dhe kështu u ndërtua kisha në atë vend. Kjo kishë ka bërë shumë mrekulli dhe konsiderohet mbrojtëse e fshatit Kallmet. Banorët dinë shumë histori të mrekullive të kësaj kishe. Sot kjo kishë ndodhet në një lartësi prej 373 metrash, në anën veriore të malit të Velës. Nga vendndodhja e kishës mund të vështrohet e gjithë fusha e Drinit të Lezhës, deri në Shkodër Pranë kishës, nga shkëmbi gëlqeror rrjedh një burim uji i bollshëm, i cili është futur në brendësinë dhe në oborrin e kishës pasi shihet si ujë pastrues dhe bekues nga besimtarët. Kisha nuk ka absidë, por në vend të saj, një shkëmb i gjallë është përfshirë në brendësinë e kishës në të cilin është gdhendur skulptura e Shën Eufemisë nga skulptori kallmetor Tonin Prendi. Ndërtimi i rrugës kohët e fundit për të shkuar te kisha ka bërë që numri i besimtarëve të rritet shumë dhe të jetë destinacion pelegrinazhi nga besimtarë nga i gjithë Veriu i Shqipërisë dhe më gjerë.

Burimi/Facebook


Leave a Reply