KOSTUMI KOMBËTAR- VESHJA MË TRADICIONALE DHE MË SOLEMNE E GRUAS SHKODRANE
E kuj ma bukur se grave shkodrane u hijeshonte kostumi kombëtar. Kostumet ishin të mahnitshme por ato shkelqenin, impozoheshin bëheshin edhe më madhështore kur i veshnin gratë dhe vajzat e bukura shkodrane. Kam shkuar në shtëpi shkodrane, jam mahnitur nga bukuria e kostumeve të grave muslimane dhe katolike, që akoma ruhen edhe sot, me ngjyra e jashtëzakonshme , me aksesorë të punuar aq bukur nga mjeshtërit shkodranë, me punimet e qëndisive të xhamadanëve , të barnavekëve të pjesëve të mbrendshme dhe mbi të gjitha me mbretërorin”hilallek” një kunorë lavdije mbi kryet e të bukurave tona, ku shëndrisnin punimet me inxhi të çmuar nga ku vareshin pastaj me dhjetra monedha të arta. Komunitetet e grave i pëlqenin kostumet e njëra tjetrës . Janë me dhjetra foto të grave katolike që kanë pozuar me kostume kombëtare të muslimanëve apo ka edhe gra muslimane që kanë bërë një kombinim të jashtëzakonshëm midis dy veshjeve duke na dhënë një harmonizim të asaj që ne e quajmë kombëtare, ajo që na bashkon në gëzimet tona, në evente dhe dasmat. Kostumi trashëgohet e vesh nana, pastaj vajza, pastaj nusja, mbesa, stermbesa dhe sa më i vjetër të jetë aq më shumë trashëgohet dhe rritet kënaqësia për ta veshur. Janë ruajtur edhe shumë aksesorë të kostumeve kombëtare. Në familjen e H. Kazazit, përveç ruajtjes së kostumit kombëtar është ruajtur dhe një enë dekorative ku mbahej hilalleku.
Valdet (Bekteshi) Jubani ka ruajtur një kostum kombëtar, i përdorur nga disa breza që ka të veçantën e tij sepse jeleku i tij është dizenjuar nga mjeshtri Ragip Kraja, dhe qëndisur nga mjeshtri i njohur i veshjeve kombëtare Abaz Bekteshi kurse pjesa e shtatit dhe e barnavekëve qëndisur nga Saime Bekteshi.
Pjesë e kostumit kombëtar të Marie (Dema) Shkrelit (Nana e Leopold Shkrelit), si xhamadani, këmisha e brendshme, sallmani (trajtë diademe) i lidhur me një lidhës mëndafshi, e i qëndisur me ar e laxhyhera, rrypi i belit ruhen në arkivin e Leopold Shkrelit. Qëndisitë janë tepër të veçanta dhe unike në llojin e vet. Është shumë interesant të theksojmë se Marie Dema Shkreli ka lënë si trashëgim pektin kombëtar por edhe inventarin dhe radhën e veshjes se pjesëve të kostumit kombëtar qytetar shoqëruar edhe me kartolina të veshjes së këtij pekti.
Felek Damnori, ka ruajtur pjesë të kostumit kombëtar, të quajtur kamca që vihen në pjesën e poshtme të këmbës deri tek pulpi kur vishej kostumi. Ato janë qëndisur nga Halime Domnori. Prapa është shënuar Shkodër, Koha e zerzeles (tërmetit) 1905.
Në arkivin e Artenca Tufit, me origjinë nga Ulqini, është ruajtur kostumi kombëtar I ulqinakëve por edhe kapuçi i mbulesës së kokës për nuset e reja kur binin të flinin. Ajo ka ruajtur edhe pjesë të kostumit kombëtar katolik, degërminë e bardhë e transparente, e qëndisur me lule mëndafshi të bardhë që vihet në kokë dhe që shkonte deri në shpinë.
Një foto shumë e bukur e Frankl-publikuar nga Zeitbilder tregon Shkodren e 1923 ku gra katolike me kostume kombëtar tregojne se duhen 10 m për një palë barnavekë.
Në arkivin e Ana Shkrelit janë ruajtur disa lloje xhamadanësh të veshjes së gruas katolike shkodrane si dhe aksesorë të kësaj veshjeje.
Një rast interesant është edhe fotoja e bërë nga Marubi e italianes Maria Battista, në janar të 1938, e cila ka të veshur një kostum kombëtar të shkodranes Sebije Muka, në shtëpinë e saj. Nga dhoma kanë mbetur shumë relike midis tyre edhe striçja e murit afër së cilës është bërë fotoja.Fotoja është bërë nga Ded Jakova në v. 1936 dhe ruhet në arkivin e Irfan Mukës.
Dy shishe dekorative me parfum kryesisht francez me të cilat u dërgoheshin vajzave në ditën e parë të takimit (dita e shejit) fejesë, nga ana e burrit ruhen në arkivin e Elvira Çapalikut Daberdaku.
Në arkivin e Ahmet Shurdhës ruhet peshtafti me një komplet bizhuterish dhe parfumesh që I jati I tij, Muhamet Shurdha, bashkëshorti i Nezihat Behri Shurdha, i dhuron asaj me rastin e martesë.s Zakonisht kutija ku mbaheshin bizhuteritë e grave shkodrane quhej “peshtaft” që i dërgohej vajzave që do martoheshin ditën kur dërgohej dhuntia.
Një relike (tualeti) “make up” e gruas shkodrane për lyerjen e syve dhe vetullave shumë interesante ruhet në familjen Djepaxhija.
Ka shume relike te tjera te kostumit kombetar qe ruhen ne arkivat shkodrane dhe une kam mbetur pa trokitur ne disa dyer………..
KUR KOSTUMI KOMBETAR VESH BUKURINE SHKODRANE
Ne foto Liana Pogu, Nexhi Arra,Nana e Zana Uruçit dhe Nana e Agim Tahes



Burimi/Facebook


Leave a Reply