-Libri “Gjuha e Gjarprit” i Arflet Selmanit
“Kujtimi i vuajtjeve të së kaluarës na është i nevojshëm si një garanci, si një provë, që identiteti ynë vazhdon”, shkruante Oskar Wilde në librin “De Profundis”. Në kushtet e sotme të politikës së globalizmit ruajtja e identitetit kombëtar bëhet një çështje gjithnjë e më e mprehtë. Veçanërisht për popujt e vegjël, që shpesh bëhen pre e tendencave shoviniste, që synojnë zhdukjen e identitetit kombëtar nëpërmjet gjenocidit, shfarosjes së popullsisë, eliminimit të historisë, gjuhës e kulturës kombëtare.
Identiteti kombëtar është një diamant me shumë reflekse, ka shkruar dikush. E nëqoftëse nuk ruhen të gjitha reflekset e tij, diamanti e humbet shkëlqimin dhe vlerën e vet, kthehet në një xham që reflekton më shumë dritën e të tjerëve se rrezatimin e vet.
Këtë temë të rëndësishme e delikate trajton në romanin e tij me titullin domethënës “Gjuha e gjarprit”, autori Arflet Selmani.
Heroi i romanit, Kolosi, në gojën e të cilit vihen të gjitha ngjarjet e romanit, është një i ri student, me ndienja të thella dashurie për atdheun, për gjuhën shqipe, për historinë e kulturën kombëtare. Ai është pjesë e një grupi të rinjsh, të cilët, të mbledhur përreth profesorit të mençur e patriot, Agimit, e shtrijnë aktivitetin e vet pikërisht në këtë fushë. Një ditë atij i bie në dorë një dosje. Më shumë se një dosje materiale, ajo është një dosje simbolike, brenda së cilës ruhen vlerat e së shkuarës. Ajo duhet ruajtur me çdo kusht, përballë qarqesh qeveritare që janë gati të vënë në funksion makinën e dhunës për ta zhdukur atë, përballë pseudohistorianësh e pseudoshkencëtarësh që bëjnë gjithçka për ta fallsifikuar atë, përballë individësh me urrejtje e mllefe nacionaliste, që janë gati të zhdukin fizikisht ata që e mbrojnë.
Një temë e tillë mund të jetë e lehtë për një simpozium apo konferencë shkencore, por jo për një roman artistik. Megjithatë autori ka ditur ta kapërcejë këtë vështirësi, duke ndërthurur bukur, me forcën e penës e të talentit të tij, pasazhet meditative me karakter filozofik, me ngjarjet dramatike apo me karakter tragjik, që përshkruhen në roman.
Përgjatë historisë populli ynë ka luftuar me penë dhe me shpatë për të mbrojtur territorin, historinë e kulturën e tij. Por instrumenti më i rëndësishëm për mbrojtjen e identitetit kombëtar është gjuha. Dikush ka shkruar: “Pena është më e fortë se shpata, por gjuha është më e fortë se ato të dyja sëbashku”. Sot pikërisht vjetërsia e gjuhës është kthyer në qendër të debateve midis gjuhtarëve, historianëve e deri politikologëve. E në këtë debat, që ka një rëndësi gati jetike, për fat të keq ka edhe shqiptarë që vihen përkrah atyre që përpiqen të mohojnë apo fallsifikojnë identitetin tonë. Patrioti i madh italian Massimo D’Azeglio pat thënë dikur: “Kemi bërë Italinë. Tani nevojitet të bëjmë italianët”. Mbase kjo thënie është sot aktuale për shqiptarët, që shpesh herë janë e keqja e vetes dhe nuk dinë të rrinë të bashkuar. Sidomos për ata shqiptarë që bëjnë lojën e tjetërkujt.
Pak a shumë këto ide autori i përcjell nëpërmjet personazhve dhe ngjarjeve të romanit. Grupi i të rinjve studentë, që drejtohen nga profesor Agimi, ka përballë një grup kundërshtarësh, madje armiqsh të paskrupullt, që janë gati të përdorin edhe mjetet më të egra për të shuar kauzën e drejtë të studentëve shqiptarë. Përgjatë historisë, për shkronjat shqipe janë vrarë mjaft figura të rëndësishme, si Dhaskal Todri, papa Kristo Negovani e të tjerë.
Politika antishqiptare nuk është më pak e egër sot. Përkundrazi është më e sofistikuar, sepse me mjetet moderne arrijnë të bëjnë krimin e të fshehin dorën, siç ndodh në roman me personazhin e Trimit e ndoshta edhe të vetë profesor Agimit. Kjo e zgjon ndërgjegjen e grupit të të rinjve, që pas vdekjes së profesorit të tyre detyrohen jo vetëm të vetëorganizohen, por edhe ta intensifikojnë luftën e tyre, duke iu përgjigjur kundërshtarëve me mjetet e tyre, për të mos lejuar që mbi ta e mbi popullsinë që ata përfaqësojnë, të përsëritet ai gjenocid e ajo dramë e madhe që ndodhi në Kosovë në fundin e shekullit të kaluar.
Autori ka zgjedhur simbolin e gjarprit për të personifikuar kundërshtarët e kauzës. Diku në roman ai shkruan: ” Ne respektonim edhe gjuhën e atyre si komb. Por grupi që kishim përballë përdorte ndaj nesh gjuhën e gjarprit, për të vjellë helm e vrerë kundër gjuhës, historisë e traditave tona”.
Nëpërmjet personazhesh të tillë, me emra domethënës, si Kolosi, Besa, Ideali, Shpresa etj., autori na sjell figurat e atyre të rinjve që përbëjnë frontin kryesor përbrenda vendit për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe gjithë atyre vlerave që përmbledh dosja simbolike e romanit. Ndërsa me të rinj si Flamuri, Qëndresa, Artani e Shqipja, ai sjell figurat e atyre të rinjve emigrantë, që në momentin e duhur e lanë emigracionin dhe erdhën e iu bashkuan çështjes kombëtare, të gatshëm për të rrezikuar edhe jetën e tyre.
Në kampin kundërshtar, autori ka arritur të tipizojë me mjeshtri figura të tilla të paskrupullta si Bardhoshi, Ujkani, Sejmeni,Lubica, Neda, Vesna etj., që përfaqësojnë jo vetëm urrejtjen nacionale e egërsinë për të bërë krime nga më makabret me gjakftotësinë tipike kriminale, por edhe shthurjen e degradimin e tyre moral e shoqëror. Në mes janë edhe të rinj si Fitimi e Serdari, që kanë gëlltitur si të thuash supën e kundërshtarit, por e kanë kuptuar fytyrën e tyre të vërtetë dhe nuk duan të vjellin gjithë jetën nga shkaku i asaj supe. Ata janë në kërkim të identitetit të tyre dhe e kuptojnë se identiteti është diçka shumë e brishtë dhe shpesh arrin të gjendet vetëm në momentin e të vërtetës. Kjo ndodh sidomos me Fitimin, i cili vepron energjikisht e me zgjuarsi për t’i dhënë një hulli të drejtë jetës së vet.
Krimi më i egër e shkatërrues, ka shkruar Fausto Gianfranceschi, është të çrrënjosësh nga zemrat ngrohtësinë dhe ngjyrat e së kaluarës. Këtë janë munduar të bëjnë në shekuj armiqtë e kulturës dhe të historisë kombëtare shqiptare. Këtë mundohen ta bëjnë edhe sot, siç është parë konkretisht në Kosovë, por siç po tentohet edhe në territore të tjera të banuara nga shqiptarët, me mohimin e figurave të rëndësishme të historisë kobëtare dhe deri në investimet e qëllimshme e të ekzagjeruara në ndërtimin e institucioneve fetare, për ta shndërruar identitetin kombëtar në identitet fetar. Ky është një atentat që i bëhet kulturës e historisë sonë, ndaj duhet mbajtur e ndezur ndërgjegjja kombëtare, që një fatkeqësi e tillë të mos ndodhë. Këtë mesazh e përcjell edhe autori në roman, kur thotë që dosjen simbolike nuk duhet ta mbulojë pluhuri i harresës.
Ndue Lazri
Shënim, sot më erdhi nga autori ky libër, në të cilin kam patur kënaqësinë të jem redaktor.
Burimi/Facebook
Leave a Reply