Moikom ZEQO
Në shpellat e pllajat e Hasit, plot pyje të dendura ahesh dhe pishash, jetonte një burrë i fuqishëm e madhështor. Kishte mjekër dhe flokë të gjatë. Të lidhur gërshetë-gërshetë. Sytë i kishte blu. Me një vezullim të brendshëm. Ky burrë fshihte nën sqetullën e majtë një send të mrekullueshëm. Enigmatik.
Kur binte terri, nata e plotfuqishme dhe e gjithëmbarshme, në hapësirën rreth burrit një sferë e hatashme e dritësonte atë vetë. Dukej se nga qenia e tij hyjnore dilte vetëm ndriçim i pazakontë.
Një grua e bukur (o, sa lozonjare e tërë lojna!) u duk befas te shpellat dhe pllajat e Hasit me pyje të dendura ahesh e pishash. E shtangu burrin, që fshihte nën sqetullën e majtë sendin e fshehtë. Burri u dashurua me këtë grua dinake e këmbëngulëse, të butë dhe tërheqëse, që të çmendte me bukurinë e saj të papërballueshme.
Në gjumin e ankthshëm e të madh të dashurisë, kur burri u kapit dhe i lumtur ra në ëndrra magjike, gruaja ia rrëmbeu sendin e shenjtë nën sqetull. Iku poshtë ujërave, në thellësitë e luginës së gurtë dhe plot erëra përcëlluese, drejt detit të turbullt, shkumëkaltër e plot të thara në rërë. Ndërkohë, burri po shihte ëndrrën e fundit.
Në ëndërr po i afrohej gruaja e bukur. E qeshur. Delikate. Farfuronjëse. Ai e përqafoi me padurim. Ja, qenia e saj e përsosur iu shpërnda në krahë si një kalbësirë. Si hi i djegur. Pleh të vdekurish. Me kundërmim të padurueshëm.
Burri u zgjua. Kuptoi se sendi i tij intim nën sqetull nuk ishte më. Ia kishin marrë përfundimisht. Burri ulëriu me llahtar.
Sendi, në të vërtetë, qe një sferë e vogël, ku qe tërë dituria dhe tërësia e botërave, tërë pamjet dhe viset në miniaturë, shkretëtira dhe kaosi i parajetës, krijimi i qenieve, kafshëve, shpendëve, peshqve, dinozaurve, krokodilëve, pallojve bishtylberë, majmunëve qimekuqë, fluturave mendimtare, dragojve ndëshkues, kuajve që vrapojnë në gërmadhat e Trojës, të vrarëve në Krujë dhe në Albulenë e Torvioll, të porsalindurve në Vermosh e në Kelmend, në Bjeshkët e Namuna, tek Ura e Shenjtë, në Gjakovë, shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe, shkrimtari i hatashëm dhe peshkopi i pafrikshëm nga Hasi i shekullit XVII, Pjetër Bogdani i Pavdirë, që mbas vdekjes kufomën ia nxorën nga varri turqit e egër dhe ia hodhën qenve për ta shqyer, poezitë e tij të marra nga sibilat e lashta, vajza orakuj, që kanë ditur absolutisht gjithçka, detarët piratë të Ulqinit, që e rrëmbyer dikur në 1573 spanjollin kokëkrisur dhe ëndërrimtar Servantesin, i cili shkroi më vonë librin “Don Kishoti”, helmimin e nxënësve të Kosovës nga serbët, fotografitë e gazetave të botës, që fitonin çmime ndërkombëtare e që paraqesin të vrarët e Kosovës, shkrimtarët pa rrogë dhe pa shtëpi të Shqipërisë, handikapatët, që janë shtuar mjerueshëm, mushkat që pjellin papritur kafshë monstruoze, të paimagjinueshme, kontrabandistët e prostitutave që kalojnë Adriatikun, të mbyturit e Otrantos, lokomotivat e prishura dhe të ndryshkura të Durrësit, anijet e mëdha të mbytura brenda porteve në Shëngjin e Golem, në Porto Palermo dhe në Butrint e Orikum, varrezat e kudogjendshme të makinave, oxhakët e shuar të metalurgjikut, serrat me xhama të thyer dhe të rrafshuara përdhe, shiringat e drogës të hedhura qosheve pas përdorimit, fëmijët e braktisur nga nënat në maternitet, të abortuarit e vdekur, poezitë e Naim Frashërit dhe të Mjedës, ikonat e mrekullueshme të Onufrit e të Kostandin Shpatarakut, këngët popullore të Demir Zykos në Gjerbës të Skraparit, filmi i pazbehur për Skënderbeun, muzika e Çesk Zadesë, pikturat e Abdurrahim Buzës, të Vangjush Mios e të Zef Kolombit, të Spiro Golgotës dhe të Kolë Idromenos, amforat e thellësive të Adriatikut dhe të Jonit, mozaikët e amfiteatrit të Durrësit, grafikën e Marin Barletit me libër në dorë në sfond të kështjellës së Shkodrës, karuselet e fëmijëve në Tiranë, kioskat e panumurueshme dot, Muzeun Historik Kombëtar, lulëzimin e përvitshëm të pemëve dhe luleve, metaforën e De Radës për ujin e ri të detit, që del në Kohërat e reja si një shpresë për të ardhmen.
Sendi enigmatik kishte zjarrin e parë të njerëzimit të dhënë nga Prometeu, bulëzimin e sytheve të para të pranverës, nxjerrjen e kallëzave, djepet e fëmijëve të porsalindur në shekuj, yllin Alef, ku është makrokozmosi brenda mikrokozmosit, tërë planetet brenda një kokrre molle të purpurt.
Tani burri i fortë nuk e kishte më sendin e tij të çuditshëm dhe të pazëvendësueshëm. I vinte të vdiste. Të vetëvritej. Të zhdukej nga bota.
Gruaja që e vodhi nuk qe aspak një Muzë, që i rrëmben një poeti subjektet e fshehta, për ta bërë memec përgjithmonë. As vajza Dalila e Biblës, që i preu flokët të dashurit të saj Samsonit.
Burri ulëriu e ulëriu… Befas, nga sqetulla e majtë, mes një dhimbjeje të egërsishme, i doli… një kokë. Koka e Pjetër Bogdanit të Hasit. Me një vështrim tmerrues dhe të zemëruar përjetësisht. Pa fjalë. Sfidues si kryegjyqtari i Gjyqit të Fundit të Zotit, që nuk shihet në lartësi. Pjetër Bogdani i këngëve magjike e parashikuese të sibilave.
Ja, sibilat vijnë me një valle erërash mbi malet dhe pllajat, mbi pyjet e aheve dhe të pishave. Në vorbullën e tyre kanë gruan e bukur që e vodhi sendin enigmatik, e cila është plakur dhe thinjur tmerrësisht, e shëmtuar, e shtrigëruar, e bërë skelet, e copëzuar dhe e kthyer në pluhur të helmët në hapësirat e amëshuara trishtueshëm dhe pa dhembshuri.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply