FIER – Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Fierit gjatë orëve të mbrëmjes së sotme, teksa një grua, nënë e dy fëmijëve është gjetur e vrarë pranë banesës së saj, pasi është qëlluar me thikë në trup.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 në lagjen “Kryengritja e Fierit”, në hyrje të qytetit të Fierit.
Sipas korrespondentit të televizionit A1Report, Kristaq Thano, identiteti i gruas e cila humbi jetën si pasojë e goditjes me thikë, është Asinja Krytha, 49 vjeç.
49-vjeçarja është dërguar menjëherë për në spital, por bluzat e bardha nga spitali i qytetit të Fierit bëjnë me dije se gruaja ka ndërruar jetë në sallën e operacionit, pavarësisht përpjekjeve prej gati një ore për ta mbajtur në jetë. 49-vjeçarja ndodhet në morgun e spitalit.
Sipas korrespondentit të Tv A1Report, Asinja Krytha ka qenë duke u kthyer për në banesën e saj, një pallat në lagjen “Kryengritja e Fierit”. Për shkak të orës së vonë zona ka qenë e pandriçuar. Pasi është qëlluar me thikë gruaja ka bërtitur. Kanë qenë familjarët e saj të cilët kanë dëgjuar thirrjet ata që e kanë dërguar drejt spitalit të qytetit.
49-vjeçarja prej disa vitesh ishte e divorcuar nga bashkëshorti i saj dhe është nënë e dy fëmijëve.
Sipas informacioneve nga banorët e lagjes, Asinja nuk ka pasur asnjë konflikt në zonën ku banonte. Ndërkaq, nuk ka as informacion për konflikte pas divorcit, pasi kishte vite e ndarë nga bashkëshorti.
Fqinjët e saj tregojnë për mikrofonin e A1Report se 49-vjeçarja punonte në biznesit e vëllait të saj.
Ende nuk dihen detaje rreth kësaj ngjarje, ndërsa polica po heton për të zbardhur motivet dhe autorin apo autorët e vrasjes.
Ndërkaq, kohët e fundit, dhuna dhe vrasjet ndaj grave, janë bërë shqetësuese. Vetëm gjatë ditës së sotme një 28-vjeçare ra pre e dhunës së bashkëshortit të saj. 28-vjeçarja në muajin e 4 të shtatzënisë u rrah me dru nga bashkëshorti i saj në pjesë të ndryshme të trupit dhe kokës. R.Iljaz pas plagëve të marra iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale ndërsa dhe fëmija ishte jashtë rrezikut për jetën.
Por në qytetin e Vlorës, dhuna rezultoi fatale për 34-vjeçaren e cila ndërroi jetë pasi bashkëshorti e qëlloi me sqepar. 34-vjeçarja ishte në muajin e 6 të shtatzënisë dhe priste fëmijën e tretë.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply