Në një ceremoni të veçantë ku ishin të pranishëm edhe Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe Zonja Liri Berisha, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot Fondacionin “Fëmijët Shqiptarë ‘Domenick Scaglione’” me Urdhrin
“Nënë Tereza” me motivacionin: “Për ndihmën e vyer ndaj fëmijëve në nevojë, duke u dhënë përparësi të porsalindurve dhe fëmijëve të braktisur, fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe institucioneve që ofrojnë ushqim, strehim dhe edukim për këta fëmijë. Për inkurajimin dhe mbështetjen e pakursyer në kërkimet dhe
zhvillimin e trajtimeve dhe kurave për fëmijët me talasemi, për mbështetjen dhe kurimin e fëmijëve që vuajnë nga çrregullime kongjenitale ose patologji të tjera që rrezikojnë jetën e tyre, si dhe fëmijëve autikë dhe atyre me çrregullime psiko-neurologjike.”
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Presidenti i Republikës mbajti një fjalë përshëndetëse ku shprehu vlerësimin më të lartë për rolin dhe kontributin e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” që mban emrin e Domenick Scaglione në dobi të zhvillimit të shëndoshë e të mbarë të fëmijëve shqiptarë, duke dëshmuar vlerat më të larta njerëzore të mirëkuptimit, bujarisë dhe dashamirësisë.
Në fjalën e tij, Presidenti Nishani u shpreh se “Në këto ditë të shënuara për historinë shqiptare, por dhe për të sotmen e të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, është nder dhe privilegj që ne të adresojmë vëmendjen e respektit, e vlerësimit, e nderimit ndaj të gjithë atyre njerëzve, atyre individëve, atyre organizatave të cilët ua atribuojnë angazhimin e tyre ndihmës ndaj të tjerëve në nevojë. Dhe është moment i veçantë dhe privilegj për mua që sot t’i adresoj një respekt të veçantë, në emër të Presidentit të Republikës, në emër të qytetarëve të këtij vendi, por jam i bindur dhe në emrin e çdo shqiptari, kudo që jeton e që ndodhet, një respekt të veçantë ndaj Fondacionit “Fëmijët shqiptarë ‘Domenick Scaglione’”, për kontributin madhor në fushën e shërbimit ndaj fëmijëve”.
“S’ka kontribut më të madh shoqëror, s’ka vlerë më të madhe humane se sa të vihesh në shërbim të fëmijëve dhe veçanërisht ndaj atyre fëmijëve, të cilët kanë nevojë jo vetëm për mbrojtje, jo vetëm për shërbime, por mbi të gjitha për inkurajim. Ndaj, respektin më të madh sot shqiptarët ia drejtojnë këtij Fondacioni, të gjithë aktivistëve të këtij Fondacioni, për vlerë më të madhe që ata i kanë ofruar shoqërisë shqiptare për inkurajimin që u keni dhënë këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre. Ndaj, për mua është një nder që sot, duke sjellë ndërmend ndër vlerat e kombit tonë, atë kontribut të nënës së shquar, Nënë Terezës, i akordoj Urdhrin “Nënë Tereza” këtij Fondacioni, i cili është jetësimi i vlerave dhe i kontributeve të Nënë Terezës në Shqipërinë e sotme”, theksoi Presidenti i Republikës.
Urdhri “Nënë Tereza” për Fondacionin “Fëmijët shqiptarë ‘Domenick Scaglione” iu dorëzua zonjës Liri Berisha, e cila pasi falenderoi Presidenti Nishani, theksoi se fondacioni u ngrit 16 vite më parë nga zoti Domenick Scaglione, me një përkushtim shpirtëror, me një dashuri të madhe për popullin shqiptar, veçanërisht për fëmijët shqiptarë.
Zonja Berisha e vlerësoi dekorimin e Fondacionit si një mirënjohje për të gjithë ata vullnetarë, të cilët kanë punuar shpirtërisht dhe profesionalisht në punën e tyre, një vlerësim për të gjithë ato biznese, të cilët i besuan duke i mbështetur në këtë punë dhe një motiv për të ecur përpara e për të ndihmuar sa më shumë fëmijët në nevojë.
Në vijim të ceremonisë, Zoti Domenick Scaglione u vlerësua për kontributin dhe humanizmin e tij me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me këtë motivacion: “Për përkushtimin e jashtëzakonshëm të treguar ndaj popullit dhe demokracisë shqiptare, duke kontribuar veçanërisht në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve shqiptar, si e nesërmja më e mirë e Shqipërisë, për angazhimin e përhershëm në zhvillimin e ekonomisë shqiptare nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, Kryetari i Shtetit shqiptar i dorëzoi Urdhrin e lartë zotit Scaglione, i cili shprehu mirënjohjen e thellë për këtë vlerësim të lartë dhe nderim që i bëhet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, këtij vendi të madh, që e konsideron si shtëpinë e tij dhe të cilin e deshi që ditën e parë kur shkeli në të, shtatëmbëdhjetë vite më parë, sepse i kujtonte vendlindjen e vet, Siçilinë, ndërsa fëmijët shqiptarë i sjellin ndërmend fëmijërinë që ka kaluar diku në vendin tonë fqinj, në Itali.
Faqja e Presidentit
Per”Alba – Dansk” shkodrani



Leave a Reply