CNA ka siguruar një tjetër video ekskluzive, e cila tregon aktivitetin kriminal të të rinjve, shokë të autorit të vrasjes së 21-vjeçarit J.Z., Kristjan Sterjo.
Dy të rinj, shokë të autorit të krimit, Kristjan Sterjo, shfaqen në videon e siguruar ekskluzivisht nga CNA duke bërë qitje me armë në mes të një pylli.
Siç shihet nga pamjet, shokët e autorit të vrasjes, Kristjan Sterjo, janë të pajisur me armë. Ata kanë qëlluar disa herë me armë, ndërsa një tjetër person i filmon.
CNA ka publikuar edhe foton ku autori dhe shokët e tij festojnë me armë dhe drogë, ndërsa fotoja shpërndahet në rrjetet sociale.
Korça është një nga qytetet, ku rrjeti i shpërndarjes së kanabisit, por edhe drogërave të forta, është në nivelet më të larta në vend.
Shpërndarja e kanabisit, hashashit apo drogërave të forta, do të sjellë të tilla ngjarje kriminale. Me kalimin e kohës, përtej disa të rinjve që u duket vetja kurajozë, që nuk punojnë e duan luks të menjëhershëm, nesër do të kemi disa vrasës për kontrolle territori.
Duke pasur armë kthehen në ushtarë dhe shkaktojnë ngjarje të rënda si vrasja e të riut, shtetasit J.Z.
Të gjitha këto ngjarje nën syrin e Policisë, e cila duket se nuk i sheh këta të rinj që bëjnë qitje me armë, që shpërndajnë në rrjete foto me kanabis, armë dhe drogë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 gusht ku 21-vjeçari u ekzekutua në hyrjen e një pallati pasi ishte ndjekur nga autori Kristjan Sterjo.
Në deklarimet e këtij të fundit gjithçka kishte ndodhur për shkak se prej disa kohësh kishin pasur debate edhe për ngacmimin e një vajze.

Për Korçën këto ngjarje janë një plagë e hapur pasi të shumta janë rastet ku të rinjtë rezultojnë të përfshirë në shpërndarjen e drogës dhe armëmbajtjes pa leje.
Duke i shpëtuar syrit të policisë përfundojnë në krime si ai që tronditi mbarë opinionin e publikut./ CNA
Burimi/cna.al


Leave a Reply