Një 72-vjeçare nga Shkodra ka mundur të zgjidhë pas shtatë vitesh një problem të zvarritur me pronësinë e banesës së saj, pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit.
Gruaja kishte bërë më shumë se 30 aplikime pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për t’u pajisur me aktin e pronësisë për shtëpinë e banimit, por për vite me radhë nuk kishte marrë një zgjidhje.
Përballë zvarritjes administrative, 72-vjeçarja iu drejtua zyrës rajonale të Avokatit të Popullit në Shkodër për të kërkuar ndihmë.
Institucioni ndërhyri pranë Kadastrës në muajin qershor, duke kërkuar informacion dhe shpjegime për arsyet e moszgjidhjes së çështjes. Rezultati erdhi brenda pak javësh: zonja Bajre u pajis me Aktin Provizor të Pronësisë.
Rasti është bërë publik nga Avokati i Popullit si një prej rasteve të zgjidhura përmes ndërhyrjes së institucionit në problematikat që qytetarët hasin me administratën publike.
Avokati i Popullit deklaron se do të vijojë të ndërhyjë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të qytetarëve, veçanërisht në rastet kur evidentohen zvarritje apo shkelje nga institucionet shtetërore.
Burimi/Facebook/TV1 Channel – Shkodër


Leave a Reply