Nga Laureta Petoshati
Për një vlonjate si unë, ky libër autobiografik i doktoreshës, humanistes dhe aktivistes së të drejtave të njeriut, të vlonjates sonë hebraike Anna Kohen, ishte një bashkëudhëtim në Vlorën që s’e pata jetuar, sepse edhe pse më ishte treguar nga prindërit e të tjerë, kujtesa e asaj që e kishte lënë pas, kur iku përfundimisht në Greqi e më vonë në Amerikë, në vitet e adoleshencës e kishte mbajtur të fiksuar si në një fotografi të shtrenjtë. Kjo kujtesë personale me anë të përmendjes së vendeve, datave, emrave konkretë, me dinamikën e familjes dhe atë personale, del si ajo flutura nga fshikëza dhe bëhet kujtesë kolektive. Nuk i përket më Annës, as Vlorës, as Shqipërisë, por humanizmit, njerëzve të çdo race, historisë njerëzore të mbushur me dashuri dhe dhimbje, vetmohim dhe heroizëm, i shërben të ardhmes kur e sheh të shkuarën si në një pasqyrë me të gjithë ngjyrat e saj të vërteta. Anna në gjithë këtë libër është vetvetja, është pjesë e asaj bashkësie të madhe hebraike të shpërndarë e shfarosur nëpër botë, por që ka hedhur rrënjë të bukura e të fuqishme edhe në Vlorë, ku çelën vajza e djem si lule e që do të bëheshin krenari e kombit të tyre, por edhe këtij qyteti. Ky libër i shkruar me një zhdërvjelltësi dhe linjë kronologjike ka momente që të bën të buzëqeshësh, ka momente që të bën të rikthehesh në ato faqe për të qenë pranë Annës në çastet më vendimtare të jetës së saj: kur ikën në Romë, pastaj në Greqi, pastaj në Amerikë. Të duket sikur ndjen trokitjen e hapave të saj nëpër auditoret e universiteteve të Tiranës, Athinës, Neë Yorkut. Ndjen lotët e gëzimeve, por dhe zhgënjimeve, ndjen brofjen në këmbë për të vazhduar përpara me dinjitet dhe buzëqeshje rrugën për tu formësuar si njeri dhe intelektuale e arrirë. Por ka dhe momente që drithërohesh e nuk mbushesh dot me frymë nga dhimbja. Po e citoj këtë çast të shkëputur nga libri:
” Isha vetëm tetë vjeç. Fillova të çapitesha për atje ku strehohej im vëlla. Ishte rreth treçerek kilometri larg. Në çastin ku arrita atje, pashë se gjermanët e kishin mbështetur tim vëlla pas murit të hambarit, i kishin drejtuar m’u në fytyrë dritat e fenerëve gjysmë të blinduar dhe më pas e qëlluan me mitraloz pikërisht përpara syve të mi. M’u duk sikur m’u shemb e gjithë bota mbi kokë. ” Kjo është dëshmia e Markus De Rou, bashkëshortit të Dr.Anna Kohen, një hebre nga Polonia që pa me sytë e tij vrasjen barbare të vëllait të tij gjashtë vjeç, por dhe të popullit të tij hebre në Poloni. Siç e ka thënë dhe Elie Vizeli, që e përmend dhe autorja në librin e saj autobiografik se “jo të gjithë viktimat ishin hebrenj, por të gjithë hebrenjtë ishin viktima” kjo merr kuptim në të gjithë Europën. Por ne vlonjatet biem dakord pjesërisht, për faktin se qindra djem të Vlorës përfunduan në kampet e përqëndrimit nazist dhe nuk u kthyen më, mjafton të përmendim baballarët e dy piktorëve të famshëm vlonjat, të Nestor Jonuzit dhe Ilmi Banit. Por jo vetëm në Vlorë, por as në Shqipëri e në trojet tona etnike nuk ndodhi kjo gjë me hebrenjtë. Në parathënien e këtij libri, por dhe në vazhdim flitet me fakte, me emra, për këtë fakt historik, që na bën krenar si komb përpara botës dhe Europës, që mban ende mbi supe indiferencën për këtë gjenocid të pashembullt, por që do të pasohej me të tjerë siç ishte ai ndaj popullit tonë, madje deri në vitin e fundit të mijëvjeçarit të kaluar. Pikërisht, në ato vite, kur makineria serbe godiste mbi popullin shqiptar të Kosovës, do të ishin intelektualet shqiptare, si Shqipe Biba, që ishte themeluese e Organizatës së Grave Shqiptaro Amerikane -Motrat Qiriazi, që do ta propozonin dhe zgjidhnin unanimisht Dr. Anna Kohen, Kryetare të kësaj organizate, e cila do të bëhej një faktor dhe zë shumë i rëndësishëm që do të dëgjohej deri në Kongresin e Senatin Amerikan me ndihmën e senatorit me origjinë Hebre Tom Lantosh. Ajo ishte Lulja e Vlorës, që kishte spikatur me bukurinë, zgjuarsinë dhe vendosmërinë e saj qysh në ato vite të zymta të komunizmit, kur ngrihej që në orën dy të mëngjesit për të zënë radhën e qumështit dhe ngrinte zërin kur dikush i lëvizte gurin e radhës. Anna ishte ajo që kishte punuar me mish e me shpirt bashkë me dy vëllezërit dhe motrën edhe në ditët e pushimeve të verës për të ndihmuar ekonominë familjare të ngjyerjes së shamive, që i shisnin. Ajo nuk e kishte harruar kurrë Vlorën, ku u vendos familja e saj hebre romanjote nga Janina në vitin 1938 pasi falimentuan dhe do të rinisnin një ortakëri në Vlorë me një hebre vendas. Por Kohenët, ku fjala Kohen në hebrahisht do të thotë njeri që i shërben zotit dhe që është titulli i kastës priftërore me prejardhje nga Aaroni, këtu patën dorën e zotit sepse rrënimi i ekonomisë në Greqi, do ti paraprinte shpëtimit të tyre në Shqipëri. Dhe pikërisht me pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania naziste, familja e saj me gjyshen, prindërit dhe vëllanë me të madh u fshehën duke u shpëtuar nga familja e Kadri dhe Vera Lazaj në Trevllazër, duke u dhënë emra myslimanë. Se nëna e saj ishte quajtur Bule gjatë asaj kohe Anna do ta mësonte rastësisht në vitet e fëmijërisë, kur një grua në moshën e nënës së saj, i foli në këtë emër dhe u përqafuan duke qarë. Hebrenjtë e Vlorës dhe të Shqipërisë ishin motrat dhe vëllezërit tanë, por dhe ata që erdhën nga Serbia e Bosnja nëpërmjet Kosovës do të mbroheshin nga kodi i besës dhe i nderit të shqiptarëve. Anna Kohen, e rritur me kodin e Talmudit se kush shpëton një njeri, shpëton një botë, duke parë se nga njerëzit e saj të mbetur në Greqi, pothuajse ishin zhdukur të gjithë nga deportimi në kampet e përqëndrimit, tregon një mirënjohje dhe vetëdije të spikatur sa e ndjen veten siç thotë dhe vetë ” tepër shqiptare dhe shume hebreje “. Do të ishte kjo ndjesi që do ta përcillte kur vizitoi Israelin në kohën e luftës së Kosovës që siç thotë ajo” Israeli pranoi qindra refugjatë shqiptarë nga Kosova dhe i vendosi në konviktet e kampeve verore të fëmijëve. Atje u ngritën tenda që shërbyen si klinika të përkohëshme mjekësore për këta refugjatë. Ndër mjekët që vizituan dhe u kujdesën për shqiptarët në kampin izraelit ishin edhe doktor Zino dhe doktor Balaj, një shoku im i klasës në shkollë të mesme. ” Ja pra, kjo është dashuria e kthyer me dashuri dhe që i korrispondon shprehjes së popullit tonë se miku i mirë njihet në ditë të vështira. Në këtë libër aq sa personal, por dhe historik flitet rruga e madhe e jetës e një vajzeje që hapat e para i hodhi në atë rrugë të vogël, që ne vlonjatët e quanim “Rruga e çifutëve”, sot Rruga e Hebrenjve, por ata hapa të vegjël u hodhën të sigurtë dhe me dashuri. Ky libër u bashkëngjitet veprave të larta që ka bërë Anna Kohen në shërbim të kombit shqiptar, për të cilat është nderuar nga dy presidentë të Shqipërisë, si dhe është qytetare Nderi e Vlorës. Ajo hap festat e pavarësisë në Neë York në krah të personaliteteve me të lartë të komunitetit shqiptaro amerikan si Mark Gjonaj, sepse siç e thotë dhe vetë ajo është vlonjate, sepse ka lindur në Vlorë dhe shkruan e thekson se ” përveç shqiptarëve, në luftën për pavarësinë e Shqipërisë morën pjesë edhe shumë hebrenj vendas. Pas shpalljes së pavarësisë, kreu Ismail Qemali me shokë shkuan në familjen hebreje Kantozi për të festuar. ”
Ndërsa më 31 janar 2019 Dr. Anna Kohen e ftuar në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, mbajti një fjalim madhështor në kujtim të Holokaustit duke folur mbi bujarinë dhe humanizmin e shqiptarëve ndaj popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo foli se nuk ishte e mbijetuar, por një fëmijë e të mbijetuarve, që u strehuan në ” Një fshat që të gjithë e dinin që ishin hebre, por askush nuk i tradhëtoi.” I gjithë fjalimi dhe atmosfera e treguar në atë sallë planetare nga Dr. Anna Kohen do të ishin e kundërta e asaj që ndodhi në Europë dhe e treguar me një vërtetësi tronditëse në Parlamentin Europian një vit më vonë nga Liliana Segre, e cila është një politikane antifashiste hebreo-italiane, e mbijetuar e Holokaustit dhe dëshmitare aktive e Shoah, që tha shprehimisht: “Nuk ishte vetëm populli gjerman, ishte e gjithë Evropa e pushtuar nga nazistët, le të flasim për Francën, le të flasim për Italinë ku fqinjët tanë u bënë vegla të jashtëzakonshme për nazistët. Në Itali fqinjët na denoncuan, na morën në pronësi banesën, zyrën tonë, madje edhe qenin që ishte racë e pastër.” Dhe nëse i krahasojmë të dy fjalimet dhe fëmijërinë e senatores Liliana Segre me atë të Anna Kohen, shikojmë mënyrën metaforike dhe metonimike hebraike të pasqyrimit të vetvetes, ku Liliana Segre në kampet e përqëndrimit e mendonte veten si një flutur të verdhë mbi telat me gjemba, ndërsa Anna në rrugët e Vlorës si një lule Vlore. I gjithë ai fjalim i Dr. Anna Kohen na bën krenar, por dhe na bën që ta kthejmë kokën pas dhe të bëhemi më të mirë se të parët tanë, të cilët rrojnë në kujtime, rrojnë në sytë dhe bekimet e pasardhësve të hebrenjve të Shqipërisë. Janë dhe dy djem rabinë që janë pasardhës të hebrenjve të Vlorës, njëri i përket familjes Negrini dhe tjetri familjes Solomon. Ndër bekimet e tyre janë dhe ato për Vlorën e për Shqipërinë, janë dhe për atë rrugë ku çelën dhe u rritën këto lule të Vlorës.
Edhe ky libër është një bekim: i një vajze, nëne, gjysheje, e cila u mëson pasardhësve ato që mësoi nga para-ardhësit e saj se “ndershmëria nuk është thjesht një virtyt, por një mënyrë jetese. Mos kini frikë të thoni të vërtetën!”



Burimi/Facebook


Leave a Reply