Kryeministri nuk ka dhënë asnjë shpjegim se përse takimet me ish zyrtarin e FBI-së janë zhvilluar në prani të personave privatë, sikundër nuk ka shpjeguar se përse fillimisht Duçka e më pas Neza, ishin angazhuar për t’i dhënë informacion ish zyrtarit të FBI-së për një çështje lobimi në Shtetet e Bashkuara, në favor të një partie shqiptare, aq më tepër që të paktën në një rast, sipas akt-akuzës, Neza “e ka marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë”.
Edhe sot nuk u dha ndonjë arsye se përse në interpelancën që opozita kishte kërkuar me të, për lidhjet me ish zyrtarin e FBI-së, ai zgjodhi të mos ishte në sallë duke ia deleguar këtë ministres për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali.
Një veprim që shkaktoi reagime të ashpra të opozitës, sipas së cilës, rregullorja e parlamentit nuk e parashikon një gjë të tillë, aq më tepër që bëhej fjalë për një çështje drejtërdrejtë të lidhur me kryeministrin e jo me të tjerë. “Unë nuk po bëj interpelancë për një çështje apo veprimtari të Këshillit të Ministrave, por për një veprimtari private të kryeministrit, të kryer në mënyrë private, në restorante, bare e parkingje restorantesh. Problemi është, pse për një veprimtari kriminale të kryer personalisht nga Edi Rama, tenton të keqpërdorë një zonjë, në rastin konkret është ministre, dhe fshihet pas fustanit të saj”, u shpreh deputeti demokrat Gazmend Bardhi.
Por sipas zonjës Spiropali, opozita ka ngritur “një shtjellë të tërë gënjeshtrash, mashtrimesh e trillimesh. Nuk mund të vini këtu e të hidhni akuza penale, akuza që nuk ekzistojnë në asnjë dosje, as për kryeministrin e vendit, as për asnjë shtetas tjetër të Republikës së Shqipërisë. Përgjigjen e keni marrë e do ta merrni. Pyetja ime është e doni apo jo përgjigjen? Atëherë pranoni që ju akuzat i keni për konsum politik dhe nuk keni asnjë seriozitet për trajtimin e kësaj çështjeje”.
Ndaj ish zyrtarit të FBI-së Mc Gonigal, ka dy çështje të ndara. Në rastin kur përmendet Shqipëria, ai akuzohet se nuk ka raportuar kontaktet dhe lidhjet me zyrtarë shqiptarë apo dhe të shteteve të tjera dhe se ka marrë para nga ish-punonjësi i shërbimeve inteligjente shqiptare Neza.
Leave a Reply