“Dita e Verës” një festë pagane që lajmëron ringjalljes e natyrës-
Festa tradicionale “Dita e Verës” është pjesë e rëndësishme e kulturës së Shqipërisë, Bullgarisë, Rumanisë, Moldavisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në disa pjesë të Greqisë, Serbisë dhe Ukrainës, etj.
Marsi është muaji i ringjalljes së natyrës, muaji kur mbas dimrit të ftohtë vjen shpresa për ditë më të ngrohta të pranverës. Kësaj ringjalljeje dhe në nderim të natyrës popujt e lashtë të Ballkanit i kanë dedikuar një festë mjaft të bukur-Ditën e Verës. Një përshkrim mjaft interesant i ka bërë kësaj feste pagane qysh në vitin e largët 1911 shqiptari i madh Faik Bej Konica. Në pak reshta mjeshtri i penës në mënyrë elegante ka thënë gjithçka për këtë festë hirushe të Ballkanit. Nga pikëpamja historike, tradita e kësaj dite është e lidhur me historinë e lashtë pagane të Gadishullit Ballkanik. Ekzistojnë hipoteza për origjinën ilire, trako-dakike ose proto-bullgare, madje diku edhe atë iraniano-indiane. Ritet për të pritur pranverën dhe zgjimin e natyrës në një farë mënyre të kujtojnë shamanizmin dhe komunikimin me forcat e natyrës, transhendente dhe paranormale, mistike dhe okulte. Ky është një nga misteret e shumta të Ballkanit, ku jetojnë popuj me një folklor unik me motive të ngjashme që të tërheqin me magnetizmin e tyre dhe të kthejnë në kohë të vjetra, në vetë zanafillën e jetës në planetin tonë. Sot kjo traditë vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e kulturës së Shqipërisë, Bullgarisë, Rumanisë, Moldavisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në disa pjesë të Greqisë, Serbisë dhe Ukrainës, etj. Ndoshta dy popujt që e festojnë më shumë janë shqiptarët dhe bullgarët.
Tradita bullgare
Le të ndalemi pak tek tradita bullgare që ka të bëjë me këtë festë pagane. Ajo festohet nga mbarë bullgarët, si në Bullgari ashtu dhe nga bullgarët jashtë atdheut. Tradita bullgare është mjaft e pasur dhe interesante. Dita e Verës në Bullgari quhet me emrin Baba Marta dhe festohet më 1 Mars. Emri Baba Marta, përkthyer në shqip Gjyshe Marta, vjen nga emri i muajit mars në këtë gjuhë. Sipas besëtytnive popullore, ajo në të shumtën, e herëve është një grua e moshuar dhe më rrallë një vajzë e re dhe e bukur, por në të dyja rastet ajo përfaqëson diellin dhe pranverën. Baba Marta është një personazh mitik në folklorin bullgar që është personifikim i muajit mars, i cili jo rastësisht quhet dhe “muaji i grave”,dhe është përsëri një simbol i ngjizjes së pranverës dhe tokës që do të lindë verën dhe pjellorinë. Legjendat që lidhen me Baba Martën janë të shumta. Sipas njërës prej tyre ajo është motra e muajve janar dhe shkurt. Këta dy muaj paraqiten si vëllezër me një karakter të ashpër, ndërsa Baba Marta konsiderohet të jetë motra e tyre, e cila herë është e mirë dhe me qëllime të mira, herë e keqe dhe e paparashikueshme. Prandaj dhe njerëzit duhet të bëjnë kujdes që mos ta zemërojnë. Kjo është arsyeja pse një pjesë e madhe e traditave dhe zakoneve që lidhen me këtë ditë dhe muajin në tërësi i kushtohen një sjelljeje dashamirëse ndaj Baba Martës. Besohet se më 1 Mars ajo viziton njerëzit dhe të korrat, e veshur me një fustan të kuq, çorape të kuqe dhe një shami të kuqe. Njerëzit besojnë se plaka do të hyjë vetëm në ato shtëpi që janë të pastra dhe të rregulluara dhe për këtë arsye në fund të shkurtit ata pastrojnë shtëpitë e tyre. Ky pastrim pranveror simbolizon heqjen e gjithçka të keqe, të vjetër dhe të panevojshme të mbetur nga viti i kaluar. Gjithashtu tradita e do që në oborr të vendoset një copë me ngjyrë të kuqe, sepse njerëzit mendojnë se kjo do ta bënte të lumtur Baba Martën dhe do të shkaktonte mirësinë e saj ndaj shtëpisë dhe banorëve të saj.
Gjatë këtij muaji duhet të bëjnë kujdes gratë e moshuara, sepse Baba Martës nuk i pëlqen t’i shikojë, prandaj ato qëndrojnë në shtëpi për të mos e zemëruar. Kurse ndaj vajzave të reja dhe fëmijëve ajo sillet mirë dhe falë tyre koha mund të jetë e ngrohtë dhe me diell. Baba Marta është jashtëzakonisht e mirë me njerëzit që vendosin verore, prandaj edhe tradita e mbajtjes dhe zbukurimit me to është e lashtë. Në bullgarisht verorja quhet Martenica dhe lidhet me emrin e muajit mars në këtë gjuhë. Ajo është një nga simbolet më të dashura për bullgarët. Tradita e do që të bëhet prej fijeve të thurura të kuqe dhe të bardha nga gjyshet ose nënat. Secila prej ngjyrave ka kuptimin e saj-e bardha simbolizon pastërtinë, pafajësinë, fillimin e ri, ndërsa e kuqja simbolizon jetën, ngjizjen, energjinë e diellit dhe pjellorinë. Bullgarët besojnë se martenica ka fuqi magjike dhe se mbajtja e saj do t’i mbrojë nga forcat e liga dhe do t’u sjellë jetëgjatësi. Mbajtja e saj sjell shëndet të mirë, fat dhe sukses gjatë gjithë vitit. Sipas traditës duhet stolisur edhe bagëtia dhe dera e shtëpisë, që të mos ketë sëmundje dhe për mbrojtjen ndaj syrit të keq. Martenica mbahet për një periudhë të caktuar kohore. Ajo hiqet kur shfaqen shenjat e para të pranverës që po afron-çelja e pemëve ose kur shohim ndonjë nga zogjtë shtegtarë-lejlekun ose dallëndyshen dhe varet në një pemë ose vendoset poshtë një guri.
Ekzistojnë versione të ndryshme mbi prejardhjen e martenicës bullgare. Njëri e lidh atë me kohën e trakëve, banorëve të lashtë të Bullgarisë, të cilët i varnin bagëtisë së tyre fije të kuqe për ta mbrojtur nga sëmundjet. Versioni tjetër ka lidhje me periudhën kur Hani Asparuh themelon shtetin bullgar (v. 681). Me këtë version kanë lidhje dhe tri legjenda për martenicën.


Leave a Reply