Vjollca Hoxha: “Ne jemi gjysma më e bukur dhe fisnike”
Në një shoqëri maskiliste, gratë nuk e kanë të lehtë të marrin rolin e tyre. Për të mbështetur gruan dhe rolin e saj në familje e shoqëri, si dhe për të reaguar ndaj valës së dhunës në shoqëri gjatë vitit 2012, “Top Media” i dedikoi gruas një mbrëmje gala.
Kështu, çmimi i përvitshëm i fondacionit “Dritan Hoxha” i shkoi këtë vit një gruaje të suksesshme, këngëtares legjendare Vaçe Zela, për kontributin e saj të çmuar në shërbim të artit shqiptar. Çmimi i është dorëzuar zonjës së madhe të muzikës shqipe në banesën e saj në Zvicër nga Vjollca Dako, drejtoreshë e fondacionit mediatik “Dritan Hoxha”.
“Ju falënderoj me gjithë shpirt për këtë vlerësim. Me këtë rast, u uroj shqiptarëve një vit të gëzuar”, u shpreh Vaçe Zela.
Jo vetëm si presidente e “Top Media”-s, por si një grua që drejton një sipërmarrje gjigante dhe një nënë e përkushtuar, Vjollca Hoxha përshëndeti në këtë mbrëmje të veçantë gratë shqiptare, duke përcjellë mesazhe kuraje dhe mbështetje: “Ne jemi gjysma më e bukur dhe më fisnike. Ne jemi një nënë, jemi një grua, një mbesë, një bashkëshorte. Jemi të kujdesshme, të brishta, mbase edhe të frikësuara, por kuraja nuk na ka munguar kurrë. Kur je një grua në krye të një institucioni, përballesh me shumë paragjykime, por pa modesti mund të them se së bashku me vajzat dhe djemtë e mrekullueshëm të ‘Top Channel’ i kemi përballuar dhe kapërcyer të gjitha sfidat”.
Eventi ka vijuar me performanca të ndryshme nga disa prej artistëve më në zë shqiptarë, përfaqësues të të gjitha brezave në vend, por edhe në botë. Këngëtare të njohura si Anita Take, Juliana Pasha, solistja Marjana Leka, fituesja e edicionit të parë të “The Voice of Albania”, Rina Bilurdaku si dhe Alma Bektashi, kanë interpretuar për publikun në sallë.
Pjesë e madhështisë së mbrëmjes gala ishin edhe performancat muzikore të disa prej instrumentistëve më të njohur që e ushtrojnë profesionin e tyre në mbarë botën, si violinistja Suela Mullai apo pianistja Manjola Trebicka.
Për herë të parë, gratë më të suksesshme, krenaria e këtij vendi, u mblodhën bashkë në një mbrëmje të paharruar, që u zhvillua në sallën e Universitetit të Arteve. Në këtë mbrëmje nuk ishin vetëm ata që fizikisht ishin pjesë e tij, por edhe personalitete shqiptare në botë, të cilët përcollën mesazhet e tyre në ekranin gjigant të skenës së këtij koncerti.
Nëpërmjet lidhjeve direkte të mundësuara nga “Eutelsat Communication”, lideri europian i transmetimeve satelitore, solistja Ermonela Jaho, sopranoja Inva Mula e këngëtarja Eda Zari, përkthyesja dhe shkrimtarja Mira Meksi, si dhe shkrimtarja Anilda Ibrahimi përcollën për publikun, sidomos për femrat shqiptare, një mesazh respekti dhe një apel kundër dhunës dhe diskriminimit të gruas.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe moderatorja e njohur e “Top Channel”, Rudina Xhunga, e cila e mbështeti këtë iniciativë, duke e cilësuar këtë vit si vitin e gruas.
TCH
Eutelsat
Lidhjet direkte
Nëpërmjet lidhjeve direkte të mundësuara nga “Eutelsat Communication”, lideri europian i transmetimeve satelitore, Ermonela Jaho, Inva Mula, Eda Zari, Mira Meksi dhe Anilda Ibrahimi përcollën për publikun një mesazh respekti dhe një apel kundër dhunës dhe diskriminimit të gruas
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


























Leave a Reply