Vajza e kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, është përgjigjur ndaj deklaratave të PS për pasurinë e saj, duke sulmuar kreun e PS.
“Sot Rama vijoi sulmet politike me spekulimet e radhës për të ardhurat tona të fituara në mënyrë të ligjshme dhe të deklaruara pranë organeve shtetërore me transparencë të plotë. Ky njeri i zhveshur nga cdo normë dhe moral njerëzor shpif cdo ditë, manipulon, mbledh e shumëzon për të gënjyer përsëri, në lidhje me të ardhura të cilat janë fituar me aktivitet profesional, kërkimor-shkencor, botues dhe mësimdhënës në universitete private; në të njejtat universitete ku shumë më të paguar se ne, janë disa nga deputetët socialistë, përfshirë dhe bashkëshorten e tij, Linda Basha”, thuhet në reagimin e saj.
Sipas saj, “Rama që shpif e trillon prej 10 ditësh nuk paraqet dot as edhe një fakt të vetëm për ILDKP, prokurorinë apo gjykatën. Të gjitha të ardhurat tona janë fituar pa asnjë konflikt interesi, janë derdhur në rrugë bankare, e pra, tërësisht transparente; për to janë paguar tatimet në cdo qindarkë, janë bërë deklarimet përkatëse në organet tatimore dhe ILDKP dhe janë kontrolluar periodikisht nga këto institucione. Ai mendon se mund të mashtrojë shqiptarët duke bërë vetë rolin edhe të paditësit, edhe të gjyqtarit, edhe të jurisë, edhe të ekzekutuesit”.
“Ky mashtrues ordiner, për të cilin janë hedhur akuza direkte publike për korrupsion më shumë se për asnjë person tjetër në Shqipëri, ka deklaruar vetëm 3000 dollarë kursime për 13 vite në pushtet si ministër Kulture dhe kryetar bashkie; është deklaruar si i pastrehë, ndërkohë që prej një jave ka nisur pushimet e dimrit, i strehuar në hotele luksoze nga ku dirigjon fushatën e shpifjeve të ulëta. Z.Rama tregoju shqiptarëve se me cfarë parash udhëton për pushime luksoze në hotele të cilat sic është bërë publike nga një e përditshme, janë më të shtrenjtat e Europës dhe Gjirit Persik, ku një natë nuk është më pak se 2500 euro”, përfundon deklarata.
Tema
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply