
Global Financial Integrity thotë se elitat e korruptuara shqiptare kanë nxjerrë më shumë se 1.3 miliard dollarë nga Shqipëria në vitet 2005- 2010.
Grupi i avokatisë anti- korrupsion me qendër në Uashington thotë se sasia e parave, e barazvlefshme me një të tretën e buxhetit vjetor të Shqipërisë, ka dalë nga vendi gjatë pesë viteve në mënyrë të kombinuar përmes korrupsionit, evazionit fiskal dhe aktiviteteve ilegale.
Clark Gascoigne, një zëdhënës për këtë organizatë, tha për Balkan Insight se besohet se 60 përqind e këtyre parave vijnë nga evazioni fiskal, 35 përqind nga aktiviteti kriminal dhe 5 përqind nga korrupsioni.
GIF, që përdor të dhëna nga Banka Botërore dhe FMN, thotë se vetëm në vitin 2008 janë transferuar në mënyrë ilegale jashtë Shqipërisë 405 milion dollarë, ndërkohë që mesatarja vjetore e parave të dërguara në strehat fiskale është 131 milion dollarë.
“Është një sasi gjigande parash për një vend si Shqipëria për tu humbur dhe këto para kanë qëndruar jashtë vendit, ndërkohë që mund të ishin përdorur për infrastrukturën, edukimin dhe për të nxjerrë njerëzit nga varfëria,” thotë Gasoigne.
“Mbi të gjitha, këto para furnizojnë ekonominë e nëndheshme, krimin dhe korrupsionin si dhe thellojnë hendekun duke i bërë të pasurit më të pasur dhe të varfrit më të varfër,” shton ai.
Të dhënat e publikuara nga GFI përkojnë me ardhjen në pushtet në vitin 2005 të qeverisë së Sali Berishës, që premtoi zero tolerancë ndaj korrupsionit.
Megjithatë, qeveria e tij e qendrës së djathtë është mbërthyer nga skandale korrupsioni, që kanë arritur majat e pushtetit.
Në vitin 2012, Transparency Inernational vlerësoi në indeksin e perceptimit të korrupsionit se Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në Europë.
Organizata me qendër në Berlin e rendiste Shqipërinë në vendin e 113-të në krahasim me 176 vende, ndërkohë që në vitin 2011 Shqipëria ishte në vendin e 95-të.
BIRN
Tema
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply