“Lufta jonë s’është që të iki një kryeministër që i ka dalë kurrizi dhe të vijë një më i gjatë”
Rrësheni ka qenë ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, ku ka zhvilluar një takim me përfaqësues të sindikatave në vend si dhe banorë të zonës së Rrëshenit. Në fjalën e tij kreu i PS-së ka vënë theksin tek gjendja e vështirë ekonomike në vend, e cila sipas Ramës është akoma dhe më e theksuar në zonat jashtë Trinës.
Deklarata
“Unë jam i bindur që ata fare pak që nuk e ngritën dorën llogarisin vetëm borxhet që njerëzit kanë sot ndaj njëri – tjetrit. Por nuk llogarisin pjesën e tyre në borxhin që e merr qeveria në emër të tyre dhe e paguajnë ata. Ky borxh ka kapërcyer 3000 euro. Ky borxh i kushton një familjeje sot 800 mijë lekë në vit për shpenzimet e borxhit. Janë 800 mijë lekë që mungojnë në ekonomi, janë 800 mijë lekë që mungojnë në arkën e shqiptarëve për shkak se shkojnë për shpenzimet e borxhit. Ky borxh është një gropë e madhe ku Shqipëria rrezikon të bjerë dhe të ndodhet në një situatë që sot ne nuk e parashohim dot”, tha Rama.
Programi i PS-së
Duke akuzuar qeverinë për gjendjen kryesocialisti Rama ka premtuar se PS-ja do të ndryshojë këtë gjendje e cila po shkon sipas tij në drejtimin e gabuar dhe po njeh përparim negativ. “Dua t’ju them se arsyeja pse unë jam vendosmërisht i angazhuar në këtë përpjekje nuk është që me votën e shqiptarëve të iki një Kryeministër që i ka dalë dhe kurrizi dhe të vijë një Kryeministër edhe më i gjatë. Nuk është ky qëllimi. Nuk është qëllimi as që të ikin disa që tundin një flamur blu e të vijnë disa që tundin një flamur lejla. Qëllimi është që të mbyllim një kapitull dhe të hapim një kapitull tjetër. Për këtë arsye të gjithë ju jeni shumë të rëndësishëm në këtë proces, sepse të gjithë ju jeni zëra të kurajës dhe të shpresës. Unë do kërkoja që ju të bëheni zëdhënësit e këtij projekti. Të bëheni mbrojtësit e kësaj shprese dhe të bëheni fuqia e këtij besimi se gjërat mund të bëhen ndryshe dhe gjërat do ndryshojnë”, përfundoi Rama.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply