“Fesjbuku” motor kërkimi për votat e zgjedhjeve, përdorim masiv nga politikanët
Berisha, 185 mijë ndjekës në “Fejsbuk”, ia kalon Ramën për nga numri i tyre
Ervin Koçi
Vijon gara e politikanëve shqiptarë në rrjetet sociale. Gjatë mbrëmjes së djeshme Kryeministri Sali Berisha e mposhti kundërshtarin e tij, liderin e opozitës Edi Rama, për nga numri i ndjekësve në këtë rrjet social. Në bazë të numrit të ndjekësve të Kryeministrit, deri mbrëmjen e djeshme ata ishin mbi 185 mijë. Rritja e numri të fansave të Berishës në rrjetin social ka ardhur si një bum, pasi vetëm në 11 ditë anëtarësim në këtë rrjet ai arriti që t’ia kalojë liderit të opozitës Edi Rama.
Berisha
Edhe pse Kryeministri Sali Berisha është anëtarësuar në këtë rrjet social më 5 dhjetor, ai ka bërë për vete një numër të madh ndjekësish. Si risi që solli Berisha nëpërmjet këtij rrjeti social ishte publikimi i fotove të tij personale. Kjo ka ndodhur për herë të parë nga Kryeministri, pasi në 22 vjet të karrierës së tij politike rastet e publikimit të fotove apo videove të tij familjare kanë qenë të tepër të pakta. Kurioziteti i njerëzve për të parë jetën personale të liderit të së djathtës shqiptare ka bërë që ata t’i bashkohen profilit të tij në rrjetin social. Shefi i kabinetet të qeverisë e publikoi llogarinë e tij të Facebook”-ut më 8 dhjetor, që përkon me ditën e lëvizjes studentore për shembjen e murit të diktaturës në Shqipëri. Sipas deklaratave të bëra nga Berisha në rrjetin social, ai iu bashkua këtij mjeti të komunikimit masiv për arsye se ishte më tepër i afërt me të rinjtë. Krahas të rinjve në llogarinë e Kryeministri janë bashkuar edhe shumë individë të tjerë, që u përkasin moshave të ndryshme.
Rama
Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, është disi më i hershëm sesa Kryeministri i vendit në përdorimin e rrjeteve sociale. Që prej afro një viti Rama u është bashkuar përdoruesve të faqes “Fejsbuk”, ku ka bërë për vete një numër tepër të madh ndjekësish. Gjithsesi, ata janë më të paktë në numër sesa ndjekësit e Kryeministrit Berisha. Përveçse një mjet komunikimi me audiencën këto rrjete sociale janë kthyer në një motor të fuqishëm për të bërë sa më shumë votues për vete. Politikanët shqiptarë kanë filluar të përdorin këto rrjete sociale pasi janë mënyra më e preferuar e të rinjve për të komunikuar. Kësisoj ata bëhen simpatizantë të ndonjë prej figurave politike ne vend. Kjo gjë bëhet edhe për arsye se pjesa më e madhe e elektoratit shqiptar përbëhet nga mosha më e re.
Shembulli i kryetarit të Bashkisë u ndoq edhe nga pelikanët e tjerë
Basha, politikani i parë me risinë e “Facebook”
Politikani i parë që solli risinë e përdorimit të “Fejsbukut” ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Ai u anëtarësua në këtë kanal komunikimi disa muaj para se të bëheshin zgjedhjet vendore në vend. Konkretisht Basha është anëtarësuar më 22 shkurt të vitit 2011, rreth 2 muaj para zgjedhjeve të 9 majit të vitit 2011. Me sa duket, kjo mënyrë e re për të tërhequr një numër sa më të madh simpatizantësh ka qëlluar tepër e suksesshme për të, pasi ai arriti të fitonte garën elektorale të vitit 2011. Veç kësaj, anëtarësimi i hershëm i kryetari të Bashkisë së Tiranës në këtë rrejt social ka bërë që ai të ketë edhe numrin më të madh të ndjekësve. Basha numëron rreth 340 mijë ndjekës, duke u cilësuar kështu si njeri me më shumë fansa në rrjetet sociale nga radha e politikanëve. Kjo risi e sjell nga shefi i Bashkisë së Tiranës është huazuar nga politikan të tjerët të vendit, që nga ata me moshë më të re, deri tek ata me moshë relativisht më madhe, siç është Kryeministri Sali Berisha. Për Bashën rrjeti social “Fejsbuk” ka qëlluar tepër i suksesshëm, pasi në këtë faqe ai demonstron edhe punën e bërë nga Bashkia, ku në çdo aktivitet apo investim të bërë nga Bashkia dëshmohen punimet e kryera nëpërmjet fotografive dhe njoftimeve.
OJF-të
Shoqëria civile aktive në rrjetet sociale
Përhapja e projekteve nëpërmjet metodave elektronike
Shoqëria civile dhe përfaqësuesit e saj përbëjnë një tjetër grup aktivistësh në faqen “Fejsbuk”. Rastet konkrete të tyre janë të shumta, siç ishte ai i ish-kandidat për president të vendit Artan Hoxha. Si kryetar i organizatës së Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Artan Hoxha përbën një nga udhëheqësit e këtyre organizatave, që shprehin projektet dhe opinionet e tyre nëpërmjet rrjetit social “Fejsbuk”. Krahas kësaj ai e ka përdorur këtë faqe për të shpjeguar edhe arsyet e dorëheqjes nga posti i kandidat për president disa muaj më parë.
Krahas ISB-së një tjetër organizatë që është tepër aktive në faqen “Fejsbuk” është edhe lëvizja “Act Now”, e ideuar nga ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu. Kjo lëvizje e shoqërisë civile në shumicën e rasteve i publikon projektet dhe protestat në këtë rrjet social. Këto dy organizata të shoqërisë civile përhapin idetë e tyre nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale, konkretisht të “Fejsbukut”.
Opozita
Deputetët e majtë aktivistë në “Fejsbuk”
Nga radhët e partisë më të madhe opozitare në vend, Partisë Socialiste, janë të shumtë përdoruesit e “Fejsbukut”. Këtu futen pothuajse të gjithë deputetët e PS-së, deri tek aktivistët e forumeve rinore të kësaj force politike. Konkretisht ndër aktivistët më të shumtë të kësaj faqe janë deputetët Erion Braçe, Ditmir Bushati e deri te kreu i PS-së Edi Rama. Pjesa më e madhe e aktivistëve të “Fejsbukut” nga radhët e PS-së e përdorin këtë kanal komunikimi për qëllime elektorale. Konkretisht deputeti i PS-së Erion Braçe publikon në profilin e tij të dhëna që u përkasin “aferave” të zbuluara nga forca më e madhe opozitare në vend. Krahas kësaj kategorie aktivistësh janë edhe përfaqësuesit që nuk e përdorin këtë rrjet social për qëllime elektorale, të cilët llogarinë e “Fejsbukut” e kanë hapur vetëm sa për të qenë pjesë e tij. Pra, deputetët e kësaj force politike, ashtu si edhe ata të krahut kundërshtar të tyre, e përdorin këtë faqe sociale vetëm për qëllime elektorale, ku nëpërmjet publikimeve që bëhen prej tyre kërkojnë të rritin sa më shumë numrin e votuesve për deputetët si individ, ashtu dhe për forcën politike që përfaqësojnë.
“Fejsbuku” kthehet në mënyrë reklamimi të punës së qeverisë
Nuk mungojnë aktivistët e PD në rrjetin social
Ministrat reklamojnë punën e tyre në “Facebook”
Përfaqësuesit e qeverisë dhe anëtarët e Partisë Demokratike janë gjithashtu aktivistë në faqen “Fejsbuk”. Nga personat më të klikuar që janë pjesë e partisë më të madhe të djathtë në vend është Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Financave, Ridvan Bode, Astrit Patozi dhe ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit Genc Pollo. Këta përfaqësues të kabinetet qeveritar e përdorin faqen sociale si një mënyrë për të treguar lajmet që kanë të bëjnë me ata si individë. Konkretisht Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topoalli, e përdor këtë rrjet social për të treguar aktivitetet e zhvilluara nga Kuvendi i Shqipërisë. Në faqen e saj zyrtare tregohen lajme që flasim për fjalimet, takimet apo dhe aktivitetet e zhvilluara nga vetë Kryetarja, duke mos u përdorur si një mjet komunikimi, por si një medie. Edhe ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, e përdor llogarinë e tij në faqen “Fejsbuk” për të treguar lajmet nga Ministria apo dhe fjalimet që ai mban në publik, duke e kthyer profilin e tij në një reklamues të punës së bërë nga ai.
Ministri i Financave gjithashtu i ka dhënë të njëjtin kuptim këtij rrjeti social. Me sa duket, disa prej pjesëtarëve të kabinetit qeveritar apo dhe drejtuesit e institucioneve të tjera e përdorin faqen e “Fejsbukut” si një mjet për të reklamuar punën e tyre, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë simpatizant. E përkthyer në gjuhën elektorale, në sa më shumë vota.
Metropol
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply