Kronikë e shkurtër
Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, qysh në vitin 2011, me vendim të veçantë, shpalli vitin 2012: “Viti i 100 Vjetorit të Pavarësisë”. Për realizimin me sukses të këtij qëllimi u hartua një program i detajuar me veprimtaritë që do të organizoheshin gjatë gjithë vitit 2012, në kuadër të këtij përvjetori të madh, dhe që do të arrinin kulmin e tyre më 28 nëntor 2012.
Deri në muajin Nëntor u organizuan 15 veprimtari ku bënë pjesë ato me nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, festës së Pavarësisë së Kosovës, të grave dhe mësuesit, të jubileut të 10 të krijimit të shoqatës, përkujtimit të dy figurave të shquara, Nolit dhe Konicës, të Nënë Terezës në 15 vjetorin e vdekjes së saj, etj, etj.
Afrohet Nëntori, muaji i festës së madhe të 100 Vjetorit të Pavarësisë.
– 28 Tetor 2012 – Organizohet veprimtaria me temë: “Në nderim të fjalës shqipe”, ku mbas fjalës hapëse të Dr. Sadik Elshani, kryetar i shoqatës, kumtoi një material Z. Llazar Vero, anëtar i kryesisë së shoqatës, për veprimtarinë e krijuesëve emigrant me banim në Filadelfia. Më pas krijuesit paraqitën diçka nga krijimet e tyre.
Muaji Nëntor vjen me shumë ngjarje të gëzuara për Komunitetin Shqiptar të Filadelfias.
– Aprovohet nga Bashkia e Filadelfias, kërkesa e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” për të ngritur Flamurin Shqiptar, në qytetin e Filadelfias, më 28 Nëntor 2012, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
-Bëhen disa takime të përfaqësuesëve të kryesisë së shoqatës me ata të Bashkisë së Filadelfias për saktësimin e veprimeve ditën e ngritjes së Flamurit Shqiptar në Filadelfia.
– Mbledhja e ndihmave financiare për përballimin sa më të mirë të festimit për 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
– Porositen në Kaliforni dhe blihen 500 Flamuj Shqiptar, të mëdhënj dhe u shpërndahen falas bashkatdhetarëve për të vendosur në dritaret e banimit të tyre.
– Blihen 100 Flamuj Shqiptar të vegjël (dore) dhe 50 Flamuj Amerikan për t’i shpërndarë në ceremoninë e ngritjes së flamurit, më 28 Nëntor.
– Përgatiten 30 Flamuj të mëdhenj Shqiptar dhe 20 Amerikanë që u shpërndanë në ceremoninë e 28 Nëntorit, para Bashkisë së Filadelfias.
– Blihen dhe shpërndahen:
– Bluza të kuqe, ku u stampuan shqiponja e zezë dy krenore dhe nën të
vitet 1912 – 2012.
– Flamuj të vegjël Shqiptar për t’i vendosur brenda makinave të
bashkatdhetarëve.
– Vijnë të porositura nga Kanadaja, 1000 stikera për t’i ngjitur në gjoks, fusha e kuqe me shqiponjën në mes, në anën e majtë të së cilës viti 1912 kurse në anën e djathtë 2012.
Vijnë nga Shqipëria, të porositura 500 stema, Flamuri Shqiptar .
– Me ndihmesën e anëtarit të shoqatës, bizesmenit George Profi, mblidhet një shumë e konsiderushme dollarësh, pjesën më të madhe të së cilës e vë vet z. George Profi, me të cilat porositen në Vlorë materiale, dhuratë për shtëpinë e fëmijëve në Vlorë. Sipas kërkesës së drejtusëve të shtëpisë së fëmijëve blihen krevate, dyshekë, batanije, çarçafë, tavolina, etj. Shkon në Vlorë vet z. George dhe në emër të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, i dorëzon dhuratën shtëpisë së fëmijëve, një gjest ky, i lartë njerëzor dhe atdhetar për tu vlerësuar dhe marrë si shëmbull.
– Dërgohet në Vlorë si përfaqësues i shoqatës sonë, z. Bashkim Bërdufi, anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” për të marrë pjesë në festimet e 100 Vjetorit të Pavarësisë.
– 19 Nëntor 2012. Aprovohet kërkesa jonë bërë kompanisë Peco për të vendosur në Peco Crown Lights mesazhi “Happy 100th Year Of Independence, Albania”.
– 23 Nëntor 2012. Organizohet mbrëmja e madhe festive e 100 Vjetorit të Pavarësisë. Mbi 500 bashkatdhetarë, burra e gra, të moshuar e fëmijë, të rinj e të reja, që përfaqësojnë Shqipërinë nga jugu në veri, si dhe nga trevat e tjera shqiptare, Kosovë, Maqedoni, Çamëri dhe Mali i Zi. Shkëlqejnë, nëpër gjokse stikerat kuq e zi, kurse në ambjentin e sallës së mbrëmjes lodrojnë tullumbace të kuqe me shqiponjën dy krenore të stampuar. Mer pjesë edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës në Washington, z. Jetish Jashari si dhe kongresmeni z. Eduard J. Neilson. Të ftuar këngëtarët Merita Halili dhe Kino Gara.
– Ora 6:30 PM çelet mbrëmja me Himnet Amerikan e Shqiptar. Mbrëmja e organizuar në mënyrë të shkëlqyer, ashtu si i takon kësaj njgjarje (ky është vlerësimi i pjesëmarrësve), me një program shumë të larmishëm, ku spikatën një grup fëmijësh të shkollës “Gjuha jonë”, të përgatitur nga z, Hamdi Gjana, përfundoi në mesnatë.
– 27 dhe 28 Nëntor. Shfaqet në Peco Crown Lights, për dy ditë, mesazhi “Happy 100th Year Of Independence, Albania”.
– 28 Nëntor 2012. Mund të quhet me plotë të drejtë pika më kulmore e festimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë ndër shqiptarët e Filadelfias.
– Ora 8:30 AM. Filojnë të grumbullohen bashkatdhetarët tanë, para Bashkisë së Filadelfias, të veshur me bluza të kuqe apo edhe me kostume kombëtare.
– Ora 9:30 deri 10:00 AM, këngët shqiptare të shpërndara nga qendra e zërit buçitën në Qendër të Filadelfias, kurse pjesëmarrësit kërcenin valet tona popullore.
Gjithë sheshi u skuq nga veshjet dhe flamurët e shumtë të përmasave të ndryshme.
– Ora 9:50 AM tre vajza, Vesa Dobi, Anxhela Fili dhe Simona Lloshi, ish nxënëse të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, të përgatitura nga Gojart Dobi, këndojnë dy këngë patriotike që u duartrokitën me ovacione nga festuesit.
– Ora 10:00 AM fillon ceremonia zyrtare e ngritjes së Flamurit Shqiptar. Sheshi ishte mbushur plot e përplot. Nuk mund të përcaktojmë dot, numërin e saktë të bashkatdhetarëve, por mund të themi se të kaloje midis tyre ishte e pamundur. Të gjithë me pankarta dhe flamuj nëpër duar.
– Këndohet në kor Himni Amerikan e më pas ai Shqiptar, gjatë të cilit ngrihet në shtizë Flamuri Shqiptar me dimension shumë të mëdha, si e kërkon protokolli i këtyre rasteve. Flamurin e ngre sekretari i shoqatës i ngarkuar nga kryesia e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Në përfundim të Himnit Shqiptar, në majë të shtizës valëvitet Flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dy krenore, në mes. Të gjithë shpërthejnë në ovacione të forta. Sheshi gjëmon.
– Ora 10:15 AM. Përshëndesin në fillim z. Sadik Elshani,Kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe më pas z. Mark Squilla, Philadelphia Concilman of Distrikt 1, si përfaqësues i Bashkisë së Filadelfias. Të dy përshëndetjet u ndërprenë herë pas here nga duartrokitje të forta dhe thirrjet Albania-Albania, Albania-USA, Vlora-Vlora.
– Ora 10:30 deri 11:30 AM. Vazhdon festa në shesh me këngë e valle të festusëve që herë pas here ngrehin kokën lartë dhe shohin me krenari valëvitjet e flamurit.
– ora 12:00 AM. Deri në mesnatë festa vazhdon në Qendrën Kulyurore të Shoqatës që qëndron hapur gjithë kohën. Bashkatdhetarët vijnë grupe – grupe, urojnë njëri – tjetrin, marrin diçka në koktejlin e shtruar nga shoqata dhe me pije nëpër duar bisedojnë.
Dalëngadalë grumbullohen aq shumë festues, sa që me vështirësi përballohen në hapësirat e Qendrës Kulturore. Jo vetëm kjo, por tek anëtarët e Këshillit Drejtues u shfaq edhe shqetësimi se mos ndoshta nuk do të rezistonin trarët ku mbështetet dyshemeja.
– Ora 6:30 PM shtrohet darka e 100 Vjetorit të Pavarësisë, me ushqime të bollshme të përgatitura nga amvisat tona
– Ora 8:00 PM në sallë u vendos torta e madhe me fushën e kuqe dhe shqiponjën në mes, nën të cilën vitet 1912 – 2012 si dhe urimi “Gëzuar 100 Vjetorin e Pavarësisë Shqipëri”. U këndua në kor “Shumë urime për ty Shqipëri” dhe u fikën qirinjtë me shifrën 100.
Qendra Kulturore e Shoqatës, gjatë gjithë jetës së saj të deritanishme, nuk kishte parë një numër kaq të madh njerëzish sa në këtë 28 Nëntor.
Festimet u mbyllën rreth mesnatës me urimet: “Gëzuar 100 Vjetorin e Pavarësisë”, një festim ky me përmasa madhështore për Komunitetin Shqiptar të Filadelfias.
– 29 Nëntor 2012, ora 3:00 PM. Një grup i vogël, i përbërë nga znj. Gail Maria dhe zotërinjtë Vlashi Fili, Llazar Vero, Arben Xheka, Fred Xhema, Dhimitraq Xhoxhi, Besnik Xhafa dhe Pishak Birçe ulin nga shtiza Flamurin Shqiptar që u valëvit në qendër të Filadelfias për 29 orë. Flamuri u vendos në një valixhe dipllomatike dhe do të ruhet si i shënjtë në Muzeun e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” me shënimin: “Ky flamur u ngrit më 28 Nëntor 2012 në qendër të Filadelfias”.
Vlashi Fili
Filadelfia, 29 Nëntor 2012
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply