BE u bën thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të mos ndërhyjnë te gjyqësori.
Nga Muhamet Brajshori për Southeast European Times në Prishtinë
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Fatmir Limaj. [AFP]
Trupi gjykues i gjykatës së lartë të Kosovës, i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it, urdhëroi një gjyq të ri kundër ish-komandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Fatmir Limaj dhe tre të tjerëve në lidhje me një rast të krimeve të luftës nga 1999-ta.
Të pandehurit akuzohen për krime lufte kundër civilëve dhe të burgosurve të luftës në qendrën e paraburgimit të Kleçkës. Limaj dhe tre të tjerë u vendosën në paraburgim në 26 nëntor dhe do të mbeten atje për një muaj me urdhër të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës.
Pothuajse të gjitha akuzat mbështeten në dëshminë e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, që ishte roje burgu në Kleçka. Zogaj vdiq në një akt të konsideruar vetëvrasje në maj dhe gjykata e shpalli dëshminë e Zogajt si të papranueshme dhe liroi të katër të pandehurit nga të gjitha akuzat, por akuza e apeloi vendimin.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se askush nuk duhet të abuzojë me besimin e institucioneve të ligjshme të Kosovvs dhe e quajti ndalimin e Limajt persekutim.
“Askush nuk ka të drejtë të përulë luftën e UÇK-së … askush, përfshirë EULEX-in, që nuk duhet në mënyrë të fshehtë, në errësirën e natës dhe pas shpinës së institucioneve të ligjshme të Kosovës, të arrestojë luftëtarët e lirisë, Fatmir Limaj dhe bashkë-të pandehurit e tij”, tha Thaçi.
Në përgjigje të deklaratës së kryeministrit, BE-ja u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mbështesin punën e EULEX-it.
“Si një parim thelbësor i çdo shoqërie moderne dhe demokratike, ndërhyrja politike në procesin gjyqësor është e papranueshme”, tha Majkëll Men, krye-zëdhënësi për përfaqësuesin e lartë të politikës së jashtme të BE-së.
Nikolas Houton, krye-zëdhënës i EULEX-it, tha për SETimes se çështjet politike nuk kanë lidhje me misionin. Ai shtoi se bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës në lidhje me shtetin ligjor është përgjithësisht i mirë.
Houton tha se gjyqtari kryesues dha arsye për vendimin e tij në urdhërimin e ndalimit të Limajt.
“Ekzistonte rreziku i ndërhyrjes në prova në lidhje me të gjithë të akuzuarit duke ditur faktin se u akuzuan me dyshime për vepra penale të rënda dhe se prova nga një dëshmitar i mbrojtur ishte vlerësuar si e papranueshme nga Gjykata e Lartë më parë gjatë javës”, tha Houtoni.
Adem Grabovci, udhëheqës i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njoftoi se partia e tij do të kërkojë një ndryshim të mandatit të EULEX-it nga parlamenti. Në qershor, mandati i EULEX-it u zgjat deri në qershor 2014, në marrëveshje me qeverinë e Kosovës.
Petrit Zogaj, drejtor i Lëvizjes FOL, tha për SETimes se nuk e merr seriozisht deklaratën e PDK-së.
“Mendoj se deklaratat e fundit për të ndryshuar mandatin e EULEX-it nga PDK janë të vonuara, sepse EULEX ka marrë një mandat të ri dyvjeçar dhe pastaj, kur u diskutua vazhdimi i mandatit për dy vjet, [PDK] nuk e bëri një kërkesë të tillë”, tha Zogaj.
Limaj është zëvendës kryetar i PDK-së dhe ish-ministër i transportit dhe telekomunikacionit. Në dhjetor, partia e tij do të zhvillojë zgjedhje për një udhëheqje të re. Ai konsiderohej kundërshtari kryesor për udhëheqësin e tanishëm të partisë Thaçi.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” shkodrani
Leave a Reply