Të gjithë ruajnë në mendje “Skënderbeun” e Sergei Jutkeviçit që sot vjen i dubluar dhe i restauruar. Negativi i filmit “Skënderbeu” i regjisorit Sergei Jutkeviç (1953), është kthyer në HD, ndërsa teksti ekzistues është ridubluar në shqipen letrare nga aktorë profesionistë si Rikard Ljarja (Skënderbeu), Robert Ndrenika (sulltan Murati), Kastriot Caushi (Pali), Lulëzim Zeqja (Sulltan Mehmeti), Roza Anagnosti (Donika), Monika Lubonja (Mamica) etj. Ky ridublim u bë me iniciativën e regjisorit Pirro Mikani. Janë shtuar efektet zanore që i mungonin versionit origjinal, si zhurma e shpatave, zhurma e kuajve apo është pastruar dhe kolona zanore. Por çfarë mendojnë ata që patën mundësi të jenë publiku i parë i këtij versioni. Saimir Kumbaro e konsideron këtë dublim një eksperiment. Për herë të parë në kinematografinë e filmit shqiptar, ose më saktë atij rus. “Ne jemi akoma të përfshirë me filmin e parë. Do kisha dëshirë të dëgjoja Naim Frashrin dhe jo atë që e interpreton sot rolin e tij”, thotë Kumbaro. Ai e quan sallën e Imperialit si një sallë jo të përshtatshme për prezantimin e këtij filmi, sepse nuk është dolby, por mono. “Nga kjo filmi humbet shumë vlera që ka marrë gjatë dublimit dhe fiksimit dhe pse imazhi është goxha i përmirësuar, po ashtu dhe zëri, muzika, miksazhi, sfondi janë disa elemente që plotësojnë figurën” thotë Kumbaro. Veçon zërin e Rikard Ljarjes, duke thënë se vjen më në kohë interpretimi tij, pasi zëri i Lec Bushatit, ishte një interpretim më i vjetërsuar. “Tentativa ka qenë që Skënderbeu të na vijë sot me interpretimin modern teatror, por është tepër e vështirë që ai lloj in terpretimi të përkojë me një interpretim bashkëkohor, sepse po t’i ulësh zërin dhe të shikosh gjestikulacionet e aktorëve, dominon poza teatrore.” Ndërsa dublimit në shqipen letrare nuk i jep ndonjë rëndësi. Aktori Rikard Ljarja i ka megjithatë nuancat e gegërishtes duke i ruajtur njëfarë autenticiteti. Ndërsa për aktoren Roza Anagnosti zëri i të cilës është përdorur për personazhin e Donikës, kjo “është një punë e jashtëzakonshme. Një punë shumë e vlefshme dhe shumë e bukur sepse ky film i ka vlerat të papërsëritshme. E pashë për herë të parë dhe më pëlqeu qoftë nga figura e pastër, nga muzika, nga dublimet”. Pirro Milkani vlerëson rezultatin e punës së 60 aktorëve profesionistë, një punë e pastër jo vetëm për sa i përket zërit, por dhe figurës e muzikës. Regjisorit të ri, Andi Deliana i është dukur sikur ka parë një film të ri. “Zërat janë të pastër, muzika vjen shumë bukur, nuk ka gjë që të të shqetësojë gjatë filmit. Interpretimi pavarësisht se është thellësisht teatral kalon krejt natyrshëm nuk vihet re në imazh”, thotë Deliana. E megjithatë, edhe “Skënderbeu” i atëhershëm për të mbetet unik. Por dhe ata që nuk janë të botës kinematografike, por thjesht dashamirës të saj janë të entuziazmuar nga ky dublim. Shpëtim Vezivolli thotë se “ është bërë një transformim shumë i mirë i të gjithë zërave, të cilët kanë ardhur në një standard kaq të pastër. Pamja është shumë e pastër, por teknika nuk ishte në lartësinë e duhur”. Më tepër përshtypje Vezivollit i ka bërë zëri i Roza Anagnostit.
Valeria Dedaj
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply