Berisha Në 2013 do t’i japim leksion Ramës, siç u dhamë etërve të tij në 1992
Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në një takim të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Tiranë, ku u anëtarësuan 400 të rinj e të reja. Duke vijuar qëndrimet nacionaliste që mbajti gjatë festës së 100 vjetorit të Pavarëisë, Berisha vuri në dukje se çështja kombëtare është prioriteti numër një.
Deklarata
“Albanofobia është një re që qarkullon në rajon, fqinjët na shihnin si qytetarë të dorës së dytë e të tretë, nuk mund t’i pranojnë shqiptarët si qytetarë të lirë, sot jemi më të bashkuar se kurrë, çdo pëllëmbë toke është territor në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Ata të cilët mendojnë që ne do mund të kemi çështje më të madhe se çështja kombëtare gabohen rëndë, duhet ta dinë mirë se shqiptarët janë adresuar, kanë përjetuar pas hebrenjve racizmin më të egër në rajon dhe më gjerë. Duhet ta dinë mirë se ndaj tyre më shumë se ndaj çdo kombi tjetër janë hartuar paraprakisht programe të shfarosjes së tyre. Ne festuam 100- vjetorin, por imagjinoni që paraardhësit nuk kishin shtet se një perandori që i kishte sunduar për 500 vjet donte ti ndante, ndërsa fqinjët u vërsulën të tërbuar nën një aleancë të quajtur e shenjtë, që kishte si synim grabitjen e trojeve shqiptare dhe zhdukjen e trojeve shqiptare”, tha Berisha.
Komunistët
Kryeministri i është rikthyer edhe njëherë regjimit komunist dhe ngjarjeve të ’97-ës duke hequr një paralele me tyre. “Vendi përjetoi diktaturën më të egër, por shqiptarët për të mbrojtur vokacionin e tyre perëndimor vuajtën më shumë se kushdo tjetër, u burgosën, internuan vetëm për besimin tek zoti e vlerat e qytetërimit europian. Pasardhësit e komunistëve erdhën me dhunë në pushtet me një rebelim në vitin 1997, por ishit ju ata që përzutë me votë ata që morën pushtetin me dhunë. Ju bëtë mrekulli”, tha Berisha.
Akuza Ramës
“Para jush shtrohen dy alternativa ajo e integrimit dhe ajo e bllokimit. Edi Rama pas përpjekjes për të marrë pushtetin me dhunë në 21 janar, pasi ëndrra e Edi Ramës qe të mbante fjalim nga zyra ime, kjo s’mund të ndodhte, dhe pasi nuk pranonte të votonte asnjë ligj, bëri gjithçka për të bllokuar vizat. Unë jam i bindur se do marrë leksionin shekullor si etërit e tyre në 1992, nuk ia jap unë për të rinjtë dhe të rejat. Nuk mund t’ju zësh ti të rinjve ëndrrën evropiane”, shtoi Berisha, duke u shprehur se për çështjen e imunitetit i është lutur edhe privatisht Ramës që ta votojë.
Reagon Rama: Ti vuan nga makthi ndaj PS-së
Pas akuzave të Berishës që kreu i PS-së, Edi Rama ka bllokuar integrimin e vendit, ky i fundit ka reaguar në Twitter. “Sa gjynah ata të rinj që i kanë thirrur për ëndrrat (ç’kopjacë!) e u flasin për makthin që kanë ndaj opozitës, d.m.th ëndërr e vetme pushteti”, ka thënë Rama. Sipas kreut të opozitës, të anëtarësosh të rinjtë në partine që qeveris e t’u flasësh përçart kundër opozitës, Rama tha se është shembull kuptimplotë për katandinë e politikës qeverisëse!
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply