![]()
Thanas Floqi me grupin e mandolinates se Vlores
Bardha Nergjoni
Thanas Floqi, jeta në Elbasan dhe lidhja familjare me Lef Nosin. Pasionet e Thanas Floqit, grupet e mandolinatave, letërsia, përkthimet. Rrëfimi i të bijës, Irenës për poliglotin dhe muzikantin që hyri në histori ditën e pavarësisë.
Elbasani numëron shumë pasardhës të firmëtarëve të Pavarësistë të cilët edhe pse përfaqësuan zona të tjera, jeta e solli që të lidhin jetën me Elbasanin. Disa nga persekutimi, të tjerë nga emërimi prej qeverisë së Vlorës vazhdojnë të jetojnë duke kontribuar për këtë qytet që i mikpriti në ditë të vështira. Në këtë radhë rënditen nipi i Ymer Deliallisit, Shefqet Deliallisi, sot prefekt i Elbasanit, nipi i Dhimitër Zografit që mban emrin e gjyshit, arsimtar i njohur në Elbasan etj. Një ndër mysafirët e Elbasanit ishte Thanas Floqi. Poliglot me 6 gjuhë të huaja dhe me një dashuri të madhe për muzikën ai ka një kontribut të vetin për Pavarësinë e vendit. E bija Irena Floqi Bitri në ditën e Pavarësisë ndihet mjaft e emocionuar për vetë kujtimet dhe dashurinë e ngjizur tek ajo dhe familja e saj për ditën e flamurit nga babai, Thanas Floqi. Ajo kujton momentet më të rëndësishme të pavarësisë dhe jetën e mëpasme të babait të saj i cili lidhi jetën me Elbasanin. Familja e re Floqi krijoi lidhje të ngushta me familjet elbasanase dhe patriotët e kohës.
Thanas Floqi si firmëtar i Pavarësisë
“Babai në Shpalljen e Pavarësisë bashkëpunoi me Marigo Pozion dhe Petro fotografin për të gdhendur bocën e shqiponjës dhe për ta stampuar në flamur. Me atë bocë u stampuan me qindra e mijëra flamuj që u shpërndanë në të gjithë trojet shqiptare. Kristo Floqi, vëllai i babait formon gjithashtu mandolinatën “Labëria”. Kudo që shkonte babai ngrinte grupin e mandolinatës. Edhe në Elbasan formoi grupin e mandolinatës dhe ngriti grupin teatror”, tregon Irena teksa shfleton materialet që ruan nga jeta dhe veprimtaria e babait të saj. Një tjetër moment mjaft kuptimplotë që lidhet me pavarësinë është Himni i Flamurit në kohën e Pavarësisë. “Murat Toptani shkroi tekstin e himnit të Flamurit “O flamur i Shqipërisë” ndërsa babai e muzikoi. Gjithashtu ka shkruar këngën “O trima luftëtarë”. Tregon në shkrimin e vet që kjo këngë e shkruar në një moment frymëzimi i rezistoi të gjithë kohërave”. Floqi ishte delegat i Korçës, por detyra që iu ngarkua ishte në qytete të tjera të Shqipërisë.
Mbërritja në Elbasan
“Ardhja në Elbasan ishte ndër detyrat e pavarësisë. Menjëherë pas pavarësisë emërohet gjykatës në Elbasan. Puna e parë që bëri ishte të mësonte shkruesit të mbanin procesverbale dhe të shkruanin me shkronja shqipe duke bërë një kurs me ato. Më pas emërohet në Shkodër nga Ismail Qemali më 1913 si përkthyes nga anglishtja në shqip për të kaluar në Ministrinë e Drejtësisë si kryesekretar. Rikthehet në Elbasan pasi Aqif Pasha e emëron pranë vetes për mbrojtjen e letërkëmbimit zyrtar”.
Irena tregon se babai i saj kishte njohje me Ali Agjahun dhe si një rilindas i vërtetë ai karakterizohej nga një tolerancë fetare. “Në kujtimet e tij shkruhet: Kur kam ardhur në Elbasan, Ali Agjahu më ka njohur me shumë familje të nderuara elbasanase dhe më kanë mirëpritur”. Babai nuk kishte dallime fetare. Ai thoshte shpesh “jemi të gjithë shqiptarë”. Madje më kujtohet kur tregonte mamaja për martesën ku merrte pjesë edhe një hoxhë që babai e kishte shumë mik. Pasi mbaron ceremoninë prifti, i thotë hoxha që ta bekonte martesën edhe ai në bazë të ritit mysliman. E kam për nder, i kishte thënë babai dhe gjithmonë do të flitej në shtëpinë tonë për martesën e prindërve të bekuar edhe nga prifti edhe nga hoxha”.
Njohja me vajzën elbasanase, mbesë e Lef Nosit
Familja e nënës me mbiemrin Dodbiba, mbesë e Lef Nosit ndodhej në Kala. Ishte një mami bullgare e martuar me shqiptar që punonte në Elbasan e cila u bë edhe shkak për martesën me nënën time. Ajo ishte patriote dhe shkonte për vizita tek familja Dodbiba. Kjo grua i thotë gjyshes sime, kam një dhëndër shqiptar (kush ishte atdhetar atëherë i thonin shqiptar) për ty që ka marrë pjesë edhe në ngritjen e flamurit. Është shumë i mirë për Stasinë. Gjyshërit e mi i thonë nënës për fejesën kur ajo ishte 16 vjeç dhe nëna bindet. Gruaja i thotë edhe babait që kishte menduar për këtë nuse. Pasi e kishte dëgjuar, babai i kishte thënë se donte ta shihte më parë. Atëherë babai shkon për vizitë tek familja Dodbiba. Aty bëhet edhe parja gjatë qerasjes së vajzës së re. Thanasi e pëlqen vajzën e re dhe miratohet martesa e tyre. Pas martesës fillimisht prindërit jetuan një shtëpi me qira. Më pas u bë avokat në Elbasan, profesion që e vazhdoi i biri.
Babai sëmuret nga mushkëritë gjatë kohës së luftës. Vasili punonte për të gjithë familjen. Babai vdiq nga sëmundja e mushkërive në moshën 62 vjeç më 1945 menjëherë pas çlirimit”.
Irena tregon edhe mbi dy momente të rëndësishme që përfshijnë një tjetër firmëtar të Pavarësisë, Lef Nosin. Ajo thotë se veç lidhjes patriotike me të atin, Lef Nosin e lidhte edhe ajo familjare pasi, nëna e Irenës ishte e bija e të motrës së tij, pra e mbesa. “Daj Lefi vinte edhe tek mbesa edhe takonte babain. Një herë më kujtohet kur e shoqëroja babanë. Vjen një ditë dajë Lefi nga Tiranë në kohën kur ishte regjent. Vjen dhe viziton babain që ishte shumë i sëmurë. Dëgjova babanë që i thotë: Ç’bëre kështu more Lefi, pse iu fute kësaj valle sepse lufta do mbarojë e mesa duket partizanët do vijnë në pushtet. Daj Lefi i përgjigjet: “Duhej të bëja pjesë në këtë qeveri se po ta linim në dorë të gjermanëve, do vriteshin e do priteshin të rinj. Lef Nosi aty ku mundi, shpëtoi”.
Mblidhen pasardhësit e firmëtarëve
Një takim i veçantë mes pasardhësve është cilësuar ai i ditës së 28 Nëntorit. Me iniciativën e prefekturës Elbasan janë mbledhur pasardhës të firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Elbasanit. aktiviteti solli shumë emocioneve kur do të merrnin fjalën pasardhës të familjeve që firmosën aktin e pavarësisë të cilët mes lidhjeve të ndërsjellta flasin për kontributin e gjyshërve të tyre dhe shkëmbyen kujtimet e ruajtura me vështirësi në kohën e komunizmit e deri sot. Nga pasardhësit e firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë kombëtare si Shefqet Daiu, Qemal Karaosmani, Lef Nosi, Thanas Floqi, dhe pasardhës të atyre që firmosën Pavarësinë e Elbasanit si: Haxhi Hafëz Sulejman Kungulli, zavendës mitropolit Papa Dhimitër Dhimitruka(klerikë), Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Biçakçiu, Abdulla Bej Tirana, Fuad Bej Kareman Beu(Biçaku), Servet Bej Zylfi, Ismail Bej Xheladin Beu, Ali Agjah Bej, Maliq Bej Riza Beu, Demir Bej Sulçe Beu, Refik Myftiu, Mahmut Guma, Xhaferr Pasmaqi, Hysein Sulova, Ruzhdi Alush Saraçi, Beniamin Deliana, Beniamin Nosi, Taq Buda, Kolë Papajani, Lazër Papajani, Serafin Jorgaqi, Haxhi Nikollë Jorgaqi, Mihal Prifti, Dhimitër Paparisto, Emin Haxhiadem Shijaku, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Hysein Dakli, Jusuf Bej Taushani, Hasan çifte, Ymer Peni, Hysein Hastopalli, Demir Zenelhoxha etj.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply