Është zbuluar të mërkurën busti i dëshmorit, Musa Hoti, në shkollën fillore që mban emrin e tij në Mitrovicë, ku kanë marrë pjesë i pari i Mitrovicës, Avni Kastrati, pastaj Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, si dhe veprimtarë të shumtë të çështjes kombëtare, familjarë të dëshmorit dhe mysafirë të tjerë të shumtë nga vendi e diaspora.
Paraprakisht, në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, u mbajt një Akademi përkujtimore. Të pranishmit vlerësuan lartë veprën e dëshmorit, Musa Hoti, i cili u quajt edhe si hero i mërgatës shqiptare, informoi Kosovapress.
Kryetari Kastrati, ka shprehur kënaqësinë e tij për bustin e dëshmorit.
“Veprimtaria atdhetare, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, e bëjnë Hotin një figurë të shquar në historinë e re kosovare. Si i tillë, ai ishte shndërruar në një katalizator të lëvizjeve ilegale që bëheshin nga djemtë e zgjedhur”, ka thënë mes tjerash Kastrati.
Sipas tij, Hoti, i cili ishte rritur dhe kalitur në një familje të lidhur ngushtë me fatet e popullit, herët e kishte zgjedhur rrugën e tij.
“Ai kishte ndjekur vullnetin e njerëzve që donin të jetonin të lirë në vendin e tyre. Ai kishte ndjekur rrugën e babait të tij, Dautit, bashkëluftëtarit të Shaban Polluzhës”, ka theksuar Kastrati. (INA)
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply