
Nga DHURATA HAMZAI
TIRANE- Flamujt me shqiponjë të deformuar po valëviten në institucionet shtetërore në pragun e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Megjithëse në suplementin “Fundjava” të “Shqiptarja.com”, dhjetë ditë më parë, është botuar artikulli “Suvenirët e pavarësisë me simbole të shtrembëruara” dhe gazeta sërish pas një vëzhgimi botoi shkrimin “Në institucionet tona valëviten flamuj me shqiponjë të deformuar”, asnjë nga përfaqësuesit e institucioneve të shtetit nuk ka reaguar për mungesën e vëmendjes. Rezulton se nuk u ka rënë në sy shqiponja e ndryshuar në flamur. Institucionet më të larta nuk kanë treguar as kujdesin minimal për të parë nëse është vendosur apo jo simboli i gabuar në flamurin kombëtar. Flamurit nuk “i kanë hedhur sytë” as Kryeministri, as Kryetarja e Kuvendit dhe as ministrat. Në zyrat e tyre ka hyrë simboli i deformuar tashmë. Simboli i flamurit të Pavarësisë është lënë në harresë edhe nga Akademia e Shkencave, nga Drejtoria e Trashëgimisë në MTKRS, nga kryetari i Bashkisë. Kryetari i Akademisë, z. Gudar Beqiraj, thotë se “nuk e ka vënë re”. Sekretari i Përgjithshëm i Presidentit Bardh Spahija tha se “nuk e di këtë fakt”. Drejtori i Trashëgimisë Olsi Lafe e mori vesh nga telefonata jonë dje pasdite. Çfarë ka ndryshuar në simbolin e shqiponjës? Flamuri origjinal prej 100 vjetësh ka ruajtur modelin e shqiponjës dykrenare, e cila në dy kokët e saj qëndron me gojë hapur dhe ka një gjuhë që zgjatet jashtë. Flamujt e rinj të hedhur në treg në vend të gjuhës tek kokat e shqiponjës kanë pësuar “mutacion”. Gjuha zhduket fare dhe del në pah një buzë e poshtme e tejzgjatur. Njëri prej këtij lloji valëvitet përballë Heroit Kombëtar, Skënderbeut, në qendër të kryeqytetit. Të tjerë flamuj me shqiponjën e ndryshuar valëviten përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ky flamur i transformuar ngrihet kundër ligjit me numër 8926, i cili ka hyrë në fuqi në datën 22. 07. 2002 dhe përcakton detyrimet sesi duhet të jetë pamja e Flamurit Kombëtar. Edhe pse pak ditë na ndajnë nga jubileu i 100-vjetorit të Pavarësisë flamujt që valëviten pranë disa godinave të ministrive përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” kanë të njëjtin “deformim” të shqiponjës dykrenore të Flamurit Kombëtar shqiptar.
OLSI LAFE: KJO ËSHTË SHUMË E RËNDË. DO T’UA KALOJ PROBLEMIN ZYRTARËVE
Drejtori i trashëgimisë kulturore në ministrinë e Turizmit dhe Kulturës u befasua nga lajmi që i dhamë dje për ndryshimin e shqiponjës në Flamurin Kombëtar. Ja si reagoi ai për Shqiptarja.com:
Mund të më thoni pse dhe kur ka ndryshuar simboli i shqiponjës në flamur?
-Si ka ndryshuar…?!
Eshtë deformuar…
-Nuk e di. S’e kam parë. Bëre shumë mirë që më the që ta shikojë dhe unë dhe t’ua kalojë zyrtarëve. Të betohem që s’e kam parë. Më kupto, unë jam qenie njerëzore nuk mund të vë re çdo gjë. Ku shiten këta flamuj
Në fakt, nuk janë vetëm në shitje, janë edhe në institucione…
-Unë s’e kam vënë re. Me të vërtetë unë s’e kam vënë re.
Deformimi është shumë i dukshëm, në fakt?
-Po s’e kam parë. Të lutem, ç’mund t’ju them unë për këtë gjë. Duhet ta shoh çfarë çfarë deformimi është bërë.
Dimë që propozimi për simbolet bëhet zakonisht nga drejtori i trashëgimisë?
-Po unë s’jam vendimmarrësi. Megjithatë kjo gjë është shumë e rëndë. Faleminderit që më informuat. Sinqerisht shumë faleminderit.
(Sapo mbaroi biseda. Rimerr ne telefon zoti Olsi Lafe)
Alo, Edhe njëherë, Olsi jam.
Urdhëro!
-Më trego pak, ato deformimet janë në bandera apo në flamuj.
Janë në flamuj. Shqiponja është deformuar shumë keq.
-Po si është?
Po ta shpjegoj më shkurt, koka e shqiponjës ka pësuar mutacion. Për më saktë shiko në web-in e gazetës.
-Do ta shoh, sinqerisht nuk e dija. Faleminderit, faleminderit, do ta shoh…
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply