Me kënaqësi dhe shpresë të madhe për stabilitetin institucional të vendit, e mirëpres marrëveshjen e arritur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që Prof. Dr. Bekim Sejdiu të propozohet për President të Republikës së Kosovës.
Ky bashkëpunim dëshmon pjekuri politike dhe përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve, duke vendosur interesin shtetëror mbi dallimet partiake.
Prof. Dr. Bekim Sejdiu vjen nga një familje atdhetarësh të shquar, e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si në rezistencën paqësore e politike të udhëhequr nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova, ashtu edhe në luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke e njohur nga afër bashkëluftëtarin tim, Heroin e Kosovës Arben Sejdiu, kam pasur nderin të shoh drejtpërdrejt frymën e lartë atdhetare, sakrificën dhe përkushtimin e pandalshëm të familjes Sejdiu për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Me përvojën e tij të pasur diplomatike, profesionale dhe juridike – si ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe diplomat i shquar – Prof. Dr. Bekim Sejdiu përfaqëson me dinjitet figurën e unitetit të popullit, mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe garantuesin e Kushtetutës. Përgatitja dhe përvoja e tij e konsoliduar në të drejtën ndërkombëtare, si dhe në diplomaci, përbëjnë një vlerë të çmuar për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
I uroj Prof. Dr. Bekim Sejdiut suksese të plota në këtë proces të rëndësishëm, me shpresën dhe besimin e plotë se pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit, do ta udhëheqë vendin me urtësi, paanshmëri dhe përkushtim të palëkundur ndaj Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.
Na priftë e mbara!
Burimi/Facebook


Leave a Reply