Duke konsideruar Etërit që për shkak të padijes së madhe
ndodhnin shumë të këqija e që për mungesë të dritës shumë ecnin
në terr, duke qenë se gati (erat sicut Populus sic sacerdos) si populli,
ashtu edhe prifti, e duke mos u gjendur askush në këtë dioqezë që të kuptonte latinishten, askush që të dinte të shkruante e ndonjë me shumë vështirësi të lexonte, për këtë arsye e gjykoi Atë Xhaçinto
nga Sospello, se dobi më e madhe për shpirtrat do të ishte të
predikonte e të bënte ushtrime shpirtërore, ai mendoi që të ngrinte
një shkollë, në mënyrë që, kur pranonte njëri të bëhej nxënës,
pastaj ua mësonte fëmijëve të tij tetë apo dhjetë vjeç atë që ai vetë
kishte mësuar, me abetare dhe alfabet, që i kishte në dorëshkrim.
Kështu, pak kohë kishte kaluar kur u përhap fama e kësaj shkolle
nëpër gjithë vendin e u rrit në atë mënyrë, saqë numri i nxënësve
shkoi në 25 veta, sepse, jo vetëm që shkonin të mësonin nxënësit
e fshatrave afër, por madje deri edhe nga Zadrima dhe vende të
tjera të largëta i sollën fëmijët. E në këtë mënyrë jo vetëm fëmijët
e vegjël, por edhe ata që ishin 18 e 20 vjeçarë, të cilët, duke qenë
ndihmës të priftërinjve që shërbenin në celebrimin e Meshës
donin të bëheshin meshtarë, mblidheshin në një prej këtyre
fshatrave afër që të mësonin të lexonin e të shkruanin dhe gjërat e
tjera të nevojshme. Që të mund të shuguroheshin meshtarë etërit
ua mësonin në kohë të ndryshme, jo vetëm Doktrinën e krishterë,
devocionin, por edhe të lexonin e të shkruanin, si dhe Gramatikën.
Në harkun e kohës prej tetë apo nëntë viteve, që është mbajtur
shkolla, shumë qenë ata që kanë mësuar të shkruajnë e të kuptojnë
atë që lexonin, dhe në të gjitha ditët e festave lexonin në këtë orator
uficën e Zojës Tejet të Shenjtë. Për këto vepra, shumë u acaruan
e u tërbuan turqit kundër etërve, duke u parë qartë se të varfrit
e Krishterë po ndriçoheshin e po forcoheshin edhe më shumë
në besimin e shenjtë. U ndërpre, pastaj, aktiviteti i kësaj shkolle,
sepse shumë veta, duke parë që prelatët i shuguronin meshtarë
injorantët, atëherë njerëzit nuk u kujdesën më të mësonin.
Duke qenë se ishte përhapur fjala e të mirave të mëdha,
fryteve dhe dobisë që merrnin të krishterët nga shkolla e ngritur në
Pllanë si dhe për mësimin që u jepej fëmijëve nga këta misionarë,
krerët e fshatit të Blinishtit të Zadrimës, i cili, meqë ishte shumë i
madh dhe vetëm me të krishterë, kishte shumë fëmijë që mësonin
aty, i bënë kërkesa të shumta Atit prefekt dhe misionarëve të
Troshanit, që të përpiqeshin të ngrinin një hospic në këtë fshat
për të mësuar djemtë dhe vajzat në Doktrinën e krishterë, të
mësonin të shkruanin ata që ishin më të zotët, t’u predikonin në
ditët e festave dhe t’u celebronin meshën në ditët e zakonshme,
duke celebruar me radhë në këto ditë disa priftërinj që ishin – u
mor në shqyrtim me shumë maturi kjo kërkesë nga të gjithë etërit,
të cilëve, nga njëra anë, meqë bëhej fjalë për një përfitim që mund
të vazhdonte, dhe duke parë edhe këtë nevojë ekstreme të atyre që
po bënin kërkesën – u pëlqeu shumë. Nga ana tjetër duke vlerësuar
arsyet e përndjekjeve të sipërpërmendura dhe duke parashikuar
se fshati ishte rrugë kalimi i turqve, për të mos shkaktuar trazira
mes tyre, u pezullua e u ndryshua destinacioni i saj për disa
kohë. Ndërkaq, meqë ishte nisur Atë Bonaventura për Kotorr
e meqë kishin mbetur etërit zëvendës prefekt, Atë Evangjelista
nga Venetia dhe Atë Karlo nga Mirandola, një Atë shumë i zoti
ky për të dhënë mësim e për të administruar shkollën, morën
kërkesa edhe më shumë nga fshati për zgjidhjen e kësaj çështjeje,
prej ku, duke mos mundur më t’u rezistonin lutjeve të tyre, me
aprovimin e ipeshkvit të Sapës, dhe të priftërinjve të fshatit, u
ngrit kjo shkollë dhe u fillua me një rregull të ri. U panë shumë
fryte, saqë deri edhe zotërinjtë turq, për mrekullinë që provonin,
shkonin ta shihnin.
Burimi/Facebook
Leave a Reply