Gazeta Shqiptare
“Aleksandër Moisiu, njeriu dhe artisti”, është ky titulli i ekspozitës që prezanton foto dhe dokumente të panjohura më parë mbledhur në arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci gjatë një periudhe kërkimore 7- vjeçare. Kjo ekspozitë e organizuar nga Fondacioni “Moisiu” dhe COD u hap mbrëmë më 25 prill, ora 18:40.
44 foto të printuara në kanavacë tregojnë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së Moisiut si: fëmijëria, familja, dokumentet e rëndësishëm të jetës së aktorit, si dhe pamje nga rolet e tij në film e teatër. Janë bërë publike për herë të parë foto e imazhe të objekteve personale të aktorit si: stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Evropës, si dhe disa foto nga ceremonia mortore e Aleksandër Moisiut në Vjenë. Ekspozita sjell foto me objektet personale të aktorit, pronë e Muzeut Kombëtar të Teatrit Austriak, shumë nga të cilët së bashku me dokumente shkresorë apo korrespondencën e tij personale, janë dhuruar në vitin 1958 nga bashkëshortja e tij Johanna Terwin. Në vitin 1971, këtij koleksioni iu shtua dhe trashëgimia dokumentare që kishte mbledhur për Aleksandrin, adhuruesja e tij, Maria Dobrozensky. Përveç këtyre objekteve, në Fondin Moisiu, ka dhe shumë vepra të tjera, si të shkruara, ashtu dhe nga arti pamor të cilat mungojnë këtu, sepse u përkasin koleksioneve private.
Përveçse i jashtëzakonshëm profesionalisht, ai ishte i jashtëzakonshëm dhe si njeri. Ai nuk shmangu apo refuzoi asnjëherë ftesat për takime që i dërgoi komuniteti shqiptar. Shumë herë ai i kishte shfaqur dëshirën për një vizitë në Shqipëri si dhe për të patur shtetësinë shqiptare. Në një njoftim që konsullata shqiptare në Vjenë i dërgon MP Jashtme në Tiranë shkruhet: “Më 7 nëntor 1933 u paraqit në konsullatën shqiptare në Vjenë, artisti i famshëm Aleksandër Moisiu, i cili bëri kërkesën për marrjen e shtetësisë shqiptare për vete dhe bashkëshorten Johanna Terëin Moisiu. Ky refuzoi gjithë shtetësitë e tjera dhe dëshiron të pranohet vetëm si shtetas shqiptar, siç ka qenë dhe familja e tij e dalë me kohë prej Kavaje”. Gjigandë të artit botëror si Pirandelo, Chaplin, Stanislavski, Kafka, Caruso, Cvajg, ishin miqtë e tij.
Stefan Cvajg pat thënë se “një gjeneratë e tërë e ka dashur atë, “dashnorin e pakrahasueshëm”, i cili nëpërmes zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman”.
Ndërsa Franz Kafka shënonte se “Moisiu është një artist të cilit “suksesi” i del nga koka, nga goja zëri i mrekullueshëm, nga sytë vështrimi që flet aq shumë. Të duket sikur në thellësinë e syve të tij vështron arkiva fotosh bardh’ e zi, me lëvizje të ngadaltë fantazmash. Ai i rrëmben njerëzit me sytë e tij, me zërin e tij”.
Aktori lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste dhe vdiq 23 mars 1935 në Vjenë.
Për kritiken italiane, Alessandro është një triestin i lindur (pa përmendur prejardhjen e prindërve emigrante), përfaqësues i denje i shkollës italiane të aktrimit. Në të vërtetë ai kaloj në Trieste një periudhë të vështirë të fëmijërisë së tij, me shume probleme familjare dhe ekonomike për të cilat familja e tij u detyrua të largohet për një jetë më të mirë, drejtë Austrisë.
Për teatrin austriak, Moisiu u “zbulua dhe u formua” në Vjenë, edhe pse aty u përball me probleme të mëdha të integrimit, u nënvleftësua dhe ju mbyllen dyert e skenës si i paaftë dhe i patalentuar në fushën e kantos e të teatrit. Teatri gjerman i Pragës ishte vendi ku Moisiu gjeti përkrahje dhe ju hapen mundësitë për të filluar karrierën e tij si aktor. Në themel të karrierës së tij qëndron këmbëngulja e superaktorit austriak Kainz, i cili zbuloi tek djaloshi Moisi të ardhmen e teatrit modern dhe e drejtoj atë drejt Pragës ku punonin miqtë e tij.
Fillimi i tij në teatrin e Pragës me eksperiencat që krijoj, ishte shkolla e vërtetë për artin skenik të Moisiut. Por talenti i pakufi i Moisiut me sukseset e njëpasnjëshme kërkonte një ambient me të gjerë, e të përmasave botërore siç ishte skena e teatrit ne Berlin. Mbas dy vjetësh e gjysmë debutimi në Pragë, ku mundësitë ishin të kufizuara, më 17-të dhjetor 1903 emri i Aleksandër Moisiut shfaqet në afishet e teatrit të Reinhardt – it në Berlin me rolin e aktorit në dramën me temë shoqërore “Na dne” të Maksim Gorkit (të shkruar në 1902).
http://www.gsh.al/2019/04/26/aleksander-moisiu-nga-kurora-e-mbretit-te-skenes-te-maska-e-vdekjes/?fbclid=IwAR0Pj_6LoEkBAjcVuOrBzACAKtmbcoqg3dPSO5ZcQCUMu61RhDeumwanYmA
Leave a Reply