Në Maqedoni sot mbahen zgjedhjet e pesta presidenciale, ku në garë janë katër kandidatë për president.
Në garën për president janë Iljaz Halimi nga PDSH, Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE, Stevo Pendarovski nga LSDM dhe Zoran Popovski nga GROM.
1.778.572 qytetarë me të drejtë vote do të votojnë në 3.480 vendvotime në tërë vendin, nga ora 07.00 kur hapen kutitë e votimit deri në ora 19.00. Qytetarët do të kenë mundësinë për të zgjedhur mes katër kandidatëve, dhe se do të zgjidhet ai që do të fitojë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve. Por, në rast se nuk arrihet ky census në raundin e parë, atëherë pas dy javëve do të zhvillohet raundi i dytë, ku do të garojnë dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota.
Duke pasur parasysh praktikën e deritanishme, gjasat e mëdha janë për raundin e dytë që do të mbahet më 27 prill, në të njejtën ditë kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në këto zgjedhje presidenciale për herë të parë ka votuar dje diaspora, me ç`rast 8.311 qytetarë jashtë vendit dje kanë votuar për presidentin. Dje gjithashtu kanë votuar pjesëtarët e armatës, të sëmurët dhe personat e paaftë, si dhe të shpërngulurit. Votën e tyre dje e kanë dhënë edhe 1.706 të burgosur nëpër burgjet e vendit.
Zgjedhjet presidenciale do të vëzhgohen nga 8.325 vëzhgues vendor dhe 326 vëzhgues të huaj. (INA)
Leave a Reply