Gazetarja Ravesa Jonuzi na tregon se në Tiranë ekzistojnë detektivë privatë që punësohen për të zbuluar tradhtitë bashkëshortore.
Nga Ravesa Jonuzi
Ja si të zbulosh tradhtinë e partnerit! Gazetarja Ravesa Jonuzi na tregon se në Tiranë ekzistojnë detektivë privatë që punësohen për të zbuluar tradhtitë bashkëshortore. Një prej tyre tregon historitë e tij në “Anabel”.
Si ta zbulosh që partneri/ja të tradhton? Ia vlen t’i drejtohesh një detektivi
Janë pa fund këshillat në internet për këtë temë. Për përgjigjen e kësaj pyetjeje “njëmiliondollarëshe”, një mendje dyshuese, siç është ajo e një gruaje apo burri që mendon se po e tradhtojnë, mund t’i besojë çdo specialisti: përfshirë këtu dhe kuzhinierëve, të cilët e kanë të hershme filozofinë e lidhjes së dashurisë me stomakun. Ja një këshillë e tyre: “Femra mund ta zbulojë vetëm duke hedhur sytë në pjatën që ai është duke ngrënë… Konkretisht, nëse ai konsumon dhe ju ofron pica dhe fast-food, ta dini se e ka shumë të lehtë që t’ju ndërrojë me dikë tjetër… Por nëse ai i ha shumë karbohidratet, e sidomos ëmbëlsirat, dijeni se nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë”. Edhe analizat e psikologëve shkojnë thellë në të kaluarën e “tradhtarit të mundshëm”: “Ishte tip i përkëdhelur kur ishte fëmijë? Ishte nga ata nxënësit që i bënin provimet duke kopjuar dhe mungonin shpesh në mësim?”. Pastaj janë edhe fjalitë hyrëse: “Nuk është e thënë të jeni detektiv…” a thua se të mos ngatërrosh dyshimet me provat qenka gjëja më e thjeshtë në këtë botë.
Por e dini këtë? Fashitja e dyshimeve që ju torturojnë çdo minutë: “Pse ka filluar të jetë më i/e ftohtë? S’është më ai/ajo që ka qenë më parë… Pse vonohet më shumë se zakonisht? Pse dëshiron të dalë vetëm me shoqërinë e tij/e saj? Ç’është ky ndryshim i beftë i modelit të flokëve? Pse shpenzon më shumë se zakonisht? Pse nxehet gjithmonë kur ia përmend këtë gjë?”, është punë profesionistësh. Prandaj ekziston edhe një profesion i tillë. “Detektivët martesorë” janë të ligjshëm nëpër botë. Ata zbulojnë pikëpyetjet që mund të hedhin në erë, ndoshta dhe pa të drejtë, në mos një martesë, një marrëdhënie. Në Shqipëri profesioni i detektivit privat nuk është ligjëruar, por kjo nuk do të thotë se nuk ekziston. Ne të “Anabel”-it kemi takuar njërin prej tyre.
Në Shqipëri detektivët i punësojnë meshkujt
Të gjesh një detektiv, nuk është “punë grash”. Duhet të kesh njohje dhe para. Dhe meshkujt i kanë të dyja. “Pjesa më e madhe e njerëzve që kërkojnë një shërbim më vëzhgues në terren (ndjekje) janë meshkuj të moshës 40 deri në 55 vjeç, të cilët kanë relativisht lidhje martesore prej 10 deri në 20 vjet”, rrëfen detektivi për “Anabel”-in, duke kujtuar se nga të gjithë klientët që i janë drejtuar atij, vetëm një prej tyre ishte femër. Profili i tyre është pothuaj i njëjtë. Janë biznesmenë kryesisht vendas dhe të huaj që, pasi krijojnë vetë lidhje jashtëmartesore, u lindin dyshime se edhe bashkëshortja e tyre është duke i tradhtuar ose që duan të prishin lidhjen martesore, por nuk gjejnë “fakte” e “prova” për tradhtinë e bashkëshorteve të tyre. “Ata janë njerëz të cilëve nuk u mungon asgjë në jetë dhe ndoshta, edhe për shkak të kohës së lirë që kanë, mendojnë të kontrollojnë bashkëshorten e tyre, pasi në më të shumtën e rasteve edhe ato punojnë në aktivitete tregtare, – shpjegon detektivi.
Në kontaktin e parë me detektivin, ata ankohen duke thënë se ‘ka disa kohë që bashkëshortja ime nuk është më ajo e para, vonohet shumë në punë, ka filluar të lëvizë shumë jashtë shtetit, nuk më afrohet më si dikur etj., prandaj mendoj se mund të jetë lidhur me ndonjë person tjetër dhe këtë dua ta vërtetoj.” Rasti i fundit për të ka qenë kërkesa e një 50-vjeçari, i cili pas 10 vitesh martesë kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore me një vajzë të re dhe ishte aq i dashuruar, saqë donte të divorcohej. “Punonin të dy në të njëjtën kompani që kishin krijuar dhe kishin një fëmijë të rritur. Pasi u paraqit, filloi të shpjegonte se pse kërkonte një vëzhgim në terren dhe vëzhgim me pajisje elektronike përgjimi e regjistrimi. Sipas tij, bashkëshortja ishte e sëmurë mendërisht. Kishte kaluar një krizë të rëndë mendore e psikologjike dhe kishte frikë se mos i bënte gjë fëmijës apo mos dëmtonte njerëz të ndryshëm në vendin ku punonin apo në banesë, – kujton hetuesi. – Gjatë periudhës njëjavore të zhvillimit të ‘operacionit’, vëzhgimi i saj ishte i pandërprerë, si me vëzhgues në terren, ashtu dhe me pajisje elektronike. Në asnjë rast nuk të krijohej përshtypja që kjo grua ishte ‘e sëmurë’, siç pohonte bashkëshorti. Madje ajo ishte një grua energjike, që fliste dhe qeshte me shoqet e saj, pra një grua e rregullt nga ana mendore e morale. Të gjitha rezultatet e arritura iu paraqitën të shoqit dhe ai u detyrua të na e pohonte të vërtetën.”
“Mjetet” që zbulojnë tradhtinë
Çfarë duhet për të zbuluar tradhtinë? Çdo gjë varet nga kërkesa e “porositësit”. Nëse ai apo ajo kërkon vëzhgim vetëm në terren, pra për të fiksuar se me kë takohet, ku shkon, sa vonohet nëpër vende të ndryshme etj., atëherë klienti duhet të dorëzojë foto të personit, një itinerar të përafërt të lëvizjeve, nëse ka automjet për të lëvizur dhe targën e automjetit, veshjet e ndryshme që mund të përdorë etj. Në rastet kur kërkohet vëzhgim elektronik, atëherë personit i kërkohet planimetria e ambientit ku do të realizohet detyra dhe bëhet instalimi i pajisjeve përgjuese “micro spy”, si dhe caktohet një pikë fikse ku duhet të qëndrojë personi që do të bëjë marrjen e informacionit dhe regjistrimin e tij. Aparaturat janë nga më të ndryshmet dhe mund të gjenden kudo. Ato më të domosdoshmet janë: aparati fotografik me teleobjektiv për fotografimin në distanca të largëta, videokamera normale dhe mjetet “mikro” apo siç quhen rëndom “çimkat”: kamera (orë dore, varëse, syze), mikrofona valorë, të cilët kamuflohen në objekte të ndryshme, si dhe celularët përgjues. Këto janë mjetet më të nevojshme me të cilat kryhen punë të tilla.
Dhe rezultati nuk vonon shumë. “Për zbulimin e një tradhtie bashkëshortore, nganjëherë duhen vetëm 1 ose 2 orë, por në të shumtën e rasteve 2 deri në 3 ditë”, tregon profesionisti. Edhe çmimi është një “mjet” shumë i rëndësishëm. Si gjithmonë, varet nga lloji i shërbimit që kërkon, koha dhe njerëzit që angazhohen. Por për të zbuluar tradhtinë, duhen jo më pak se 1 mijë euro. Ata që paguajnë shpeshherë këtë shërbim, nuk e kanë çështje kurioziteti, por një “armë” të cilën duan ta përdorin në gjykatë si “prova të shkeljes së kurorës bashkëshortore”. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve, gjykatat nuk i marrin parasysh. Ato nuk konsiderohen prova, sepse janë në kundërshtim me ligjin për përgjimet dhe me privatësinë e personit.
Ka edhe kështu….
Porosit detektivin që t’i gjurmojë bashkëshorten sepse dyshonte se e tradhtonte, por pasi nuk vërtetohet gjë, jep detyrën që t’i vëzhgohet e dashura. “Ky ka qenë rasti më i vështirë me të cilin kam punuar, – tregon detektivi duke na treguar hollësi të historisë. – E dashura e tij kishte një jetë shumë aktive dhe frekuentonte lokale të ndryshme me shokë e shoqe të ndryshme, pra lëvizte shumë në ambiente të hapura, gjë që e vështirësonte vëzhgimin pa rënë në sy. Por duhej të realizohej detyra e dhënë dhe në një rast ‘e dashura’ na doli që kishte dhe një të dashur tjetër të moshës së saj, pra dy të dashur njëkohësisht. Momenti që duhej të fiksohej në foto ishte pothuaj i pamundur për vetë ambientin ku ndodhej ajo. Atëherë vëzhguesi mori iniciativën të paraqitej si fotograf dhe filloi të bënte foto nëpër gjithë ambientin. Në këtë mënyrë, u arrit të fiksohej momenti i puthjes së të dashurës së këtij personi. Kur mori foton e së dashurës duke u puthur me një tjetër, klienti ynë u tërbua dhe inatin ia nxori të shoqes në shtëpi.
Historia vijoi me një kthesë të papritur kur personi që kishte kërkuar ndjekjen e së shoqes, pas zënkës me të, i thotë që e kishte ndjekur këmba-këmbës. Kaq u desh! E shoqja s’la gurë pa lëvizur dhe përfundoi tek i njëjti shërbim dhe tek i njëjti person, – rrëfen detektivi. – Në këto kushte, kur nga shërbimi ishin nxjerrë informacione se bashkëshorti kishte të dashur, tani dhe e shoqja, duke dyshuar, kërkonte që të vëzhgohej i shoqi. Kjo kërkesë u refuzua për shkak të etikës profesionale. Nuk mund të kryhej e njëjta punë për të dy bashkëshortët.”
http://anabel.al
Leave a Reply