Partitë politike në Shqipëri mbrëmë kishin heshtje heshtje zgjedhore, ndërsa sot shqiptarët do të japin votën e tyre në qendrat e votimit që do të hapen nga ora 7 e mëngjesit.
Partia Demokratike i dha fund fushatës me një miting në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku më pas vijoi një koncert festiv, ndërsa Partia Socialiste mbylli fushatën në Shkodër dhe më pas në Vlorë. Partitë e tjera gjithashtu mbyllën fushatën me mitingje finalizuese dhe takime me qytetarë dhe forma të tjera të fushatës.
Në votimet e sotme gara kryesore do të zhvillohet midis dy koalicioneve politike, të djathtëve dhe të majtës. Koalicioni i së majtës, i quajtur “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, e udhëhequr nga PS-ja, tubon rreth 40 parti politike, ndërsa koalicioni “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, i udhëhequr nga PD-ja, tubon 24 parti.
Në garën zgjedhore janë edhe partitë e tjera politike LSI, FRD, Aleanca Kuq e Zi dhe partitë tjera më të vogla. Ndërsa kësaj gare i janë bashkëngjitur edhe deputetë të pavarur, mes tyre Arben Malaj, Nikollë Lesi, Dritan Prifti e të tjerë, të cilët do të garojnë nëpër qarqe të caktuara.
Këto janë zgjedhjet e teta parlamentare që nga demokratizimi dhe fillimi i pluralizmit politik në Shqipëri.
Gjithsej mbi 3.1 milion zgjedhës janë të regjistruar për votimet e 23 qershorit.
Për herë të dytë zbatohet sistemi zgjedhor proporcional-rajonal. Vendi është ndarë në 12 qarqe prej ku do të dalin 140 deputetët e parlamentit të ri.
Përveç vëzhguesve lokalë, rreth 550 vëzhgues ndërkombëtarë nga OSBE-ODIHR, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, NATO dhe BE do të ndjekin nga afër zgjedhjet.
Këto zgjedhje konsiderohen si një test i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri dhe integrimet evropiane.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply