Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian besojnë se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, por Teherani thotë se programi i tij është civil dhe paqësor. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera në materialin në vazhdim shqyrton politikat më pak të dëshirueshme që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli mund të zbatojnë kur bëhet fjalë për një sulm ushtarak kundër qendrave të dyshuara të armëve bërthamore të Iranit.
Komuniteti ndërkombëtar është përpjekur për vite me radhë ta bindë Iranin që t’i japë fund programit të pasurimit të uraniumit, por pa rezultat. Uraniumi i pasuruar në nivele të ulëta mund të përdoret në centrale civile të energjisë bërthamore, por uranium i pasuruar në nivele të larta është pjesë përbërëse e një bombe bërthamore.
Në përpjekje për t’i bërë presion Teheranit që t’i japë fund programit të tij të pasurimit, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka vendosur sanksioni ndaj Iranit. Dhe disa vende individuale, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, kanë vendosur masat e tyre, për shembull vënien në shënjestër të industrisë së naftës dhe sektorit financiar të Teheranit.
Gjithashtu, dy raunde negociatash ndërkombëtare të mbajtura këtë vit nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Por disa analistë besojnë se ka mundësi për ndryshime pas zgjedhjes së klerikut të moderuar Hassan Rowhani në postin e presidenti të ardhshëm të Iranit.
Por kryeministri izralit, Benjamin Netanyahu thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë kujdes që të mos bjerë pre e iluzioneve rreth udhëheqjes së Iranit.
Izraeli e shikon si kërcënim të madh një Iran me armë bërthamore, madje Tel Avivi ka lënë të kuptohet se është i aftë të kryejë një sulm ushtarak kundër qendrave bërthamore të Iranit për t’u siguruar që ky i fundit të mos prodhojë një bombë bërthamore. Analisti ushtarak, Paul Rogers në Universitetin Bradford të Britanisë, thotë se izraelitët përballen me një objektiv të vështirë.
“Iranianët kanë bërë të gjitha përpjekjet gjatë viteve të fundit që një pjesë të qendrave të tyre bërthamore t’i ndërtojnë në thellësi të tokës, ku nuk mund të dëmtohen nga ndonjë sulm i mundshëm izraelit. Forca ajrore e Shteteve të Bashkuara disponon tani mjete të fuqishme për të hedhur në erë bunkerë në thellësi të mëdha nën tokë, por nuk ka shenja se janë të gatshme t’ia japin ato Izraelit. Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Izraelit mjete shpërthyese të nivelit të mesëm, por jo eksplozivin më të fuqishëm, që njihet si “Penetruesi Masiv i Tokës”.
Eksperti ushtarak në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes, Thomas Hammes thotë se objektivat iraniane duhet të përcaktohen fare mirë.
“Nuk duhet menduar se dihet vendndodhja e qendrave bërthamore të Iranit. Le të mos harrojmë se Shtetet e Bashkuara ndërhynë në Irak sepse ishin të sigurta rreth ekzistencës së armëve të shkatërrimit në masë dhe vendndodhjes së tyre. Por këto dolën presupozime të gabuara”.
Zoti Hammes ngre pyetjen nëse aftësitë amerikane të zbulimit janë përmirësuar ndjeshëm gjatë 10 vjetëve të fundit. Ish ambasadori amerikan, Ryan Crocker, i cili ka shërbyer në Irak, Afganistan, Pakistan dhe Siri, thotë se nëse do të ndërmerret një sulm ushtarak, ai duhet të jetë i sukseshëm.
“E vetmja gjë më negative se sa një Iran me armë bërthamore, do të ishte një Iran me armë bërthamore pas një sulmi të dështuar të një ose disa vendeve për ta parandaluar Teheranin që të zotëronte armë të tilla”.
Eksperti i programit bërthamor të Iranit në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit, Jim Walsh, thotë se ndërhyrja ushtarake ndaj Iranit mund të jetë kundër produktive.
“Kam frikë se një sulm ushtarak do të pasohet pikërisht me atë që ky sulm donte të parandalonte. Të nesërmen e sulmit qeveria iraniane do të mblidhej dhe do të deklaronte përpjekjet për zhvillimin e një arme bërthamore për t’i treguar komunitetit ndërkombëtar se është e aftë për një gjë të tillë”.
Shumë qeveri dhe analistë thonë se një Iran me armë bërthamore është i papranueshëm. Por eksperti ushtarak Thomas Hammess ka një pikpamje tjetër.
“Ne jetuam për një kohë të gjatë me Bashkimin Sovjetik me armë bërthamore. Ne po jetojmë tani ndoshta me një Kore të Veriut me armë bërthamore dhe me një Kinë me armë bërthamore. Pra, prania e armëve bërthamore nuk do të thotë se ne nuk mund të vazhdojmë jetën normalisht. Nuk e kuptoj se pse një Iran me armë bërthamore është më i rrezikshëm se sa vendet e tjera”.
Zoti Hammess thotë se nëse Irani arrin të prodhojë armë bërthamore dhe vendos t’i përdorë ato, Izraeli ka të ngjarë ta shkatërrojë atë vend. Dhe nëse Izraeli nuk e bën këtë, thotë eksperti, ka të ngjarë që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin një hap të tillë.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply